Kontratat pezull prej privatizimit, flet mesfushori: Dua edhe një vit në Lushnjë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2022 | 11:51

Kontratat pezull prej privatizimit, flet mesfushori: Dua edhe një vit në Lushnjë!

Bashkia Lushnjë ka në plan që të privatizojë klubin dhe pritet që në mbledhjen e radhës të këshillit të ketë zhvillime konkrete për këtë proces.

lajthiaaa

Kohë më parë presidentja Erisleda Sefa pati thënë se të interesuar ka, por nuk dha emra konkretë. Hapat që do të ndiqen janë disi të ndërlikuar, por zgjidhja nuk do të vonojë.

Institucioni vendor do të mbajë përqindjen më të lartë të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër do të shitet. Nëse gjithçka shkon sipas planit, sezoni 2022-2023 do të jetë krejt ndryshe për verdhejeshilët.

Nëse këtë vit u gëzuan me shpëtimin, kampionatin tjetër do ta nisin me pretendime më të mëdha dhe sidomos kur infrastruktura është përmirësuar ndjeshëm.

I gjithë ky “rebus” për privatizimin mban pezull edhe të ardhmen e lojtarëve. Kontratat ishin sezonale dhe në fund të majit skadojnë, që do të thotë se prej 1 qershorit stafi teknik dhe lojtarët dalin të lirë.

E megjithatë, në ekip ka edhe nga ata elementë që lushnjarët nuk do të duan assesi t’i humbasin.

Mes tyre është edhe Xhonatan Lajthia, autori 10 golave. Edhe pse mesfushor, ai u dha hapur leksion sulmuesve. Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, 23-vjeçari rrëfen se si ishte ky edicion për të dhe flet për të ardhmen.

“Unë rolin tim e kam mesfushor qendror, por përshtatem edhe në lojën e krahëve. Sulmues i deklaruar nuk kam luajtur asnjëherë, por fati ishte me mua këtë vit.

E gjeta 10 herë rrjetën dhe jam shënuesi më i mirë i skuadrës”, tha fillimisht ai, që nuk e mohon dëshirën për të vijuar aventurën te verdhejeshilët.

“Do të stërvitemi 3 herë në javë deri në fund të muajit maj. Pastaj do të marrim pushimet. Primare do të jetë për mua të bisedoj me klubin lushnjar, edhe pas përfundimit të kontratës. Të bisedoj duke u njohur edhe me projektin për sezonin e ri. Njëkohësisht, më kanë kontaktuar edhe klube të tjera.

Akoma nuk kam vendosur. Shpresoj që me 10 golat të gjej gjuhën e përbashkët me Lushnjën ose të shqyrtoj edhe një herë ofertat e klubeve të tjera”, përfundoi Lajthia.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"