Kontratat e lojtarëve, Partizani nuk nxitohet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 15, 2020 | 23:19

Kontratat e lojtarëve, Partizani nuk nxitohet

Partizani është i detyruar për një mijë e një arsye që t’i nënshtrohet një tjetër revolucioni në merkaton e verës. Plani që patën dhe vunë në veprim para një viti nuk funksionoi, kështu që drejtuesit janë të detyruar që të nisin edhe një herë punën nga fillimi. Përveç përforcimeve të mundshme, ku thuhet se në blloqet e drejtuesve të klubit ekziston një listë lojtarësh e gjatë me dëshira, mbetet të zgjidhet edhe çështja e rinovimeve.
PARTIZANI

Ka lojtarë që u mbaron kontrata, ose disa të tjerëve që u duhet shqyrtuar opsioni +1. Sa u përket lojtarëve që e kanë të parashikuar në kontratë marrëveshjen për rinovim edhe për një sezon, është klubi ai që vendos për hyrjen në fuqi. Për shkak të situatës së ndodhur nga pandemia “COVID-19”, ku prej më shumë se dy muajsh është pezulluar çdo aktivitet futbollistik, klubi i kuq nuk është nxituar me rinovimet. Kështu që ky proces është shtyrë për në qershor, pasi nëse rifillon kampionati, të gjithë lojtarët janë të detyruar të jenë pjesë e Partizanit deri në fund të korrikut.

Me rifillimin e kampionatit “demat” kërkojnë të arrijnë objektivin minimal, sigurimin e biletës për në Europë, periudhë e cila do të jetë e vlefshme për të krijuar edhe një ide të qartë sa u përket rinovimeve, por edhe spastrimeve në radhët e skuadrës. Gjithsesi, për disa nga lojtarët klubi i ka të qarta idetë, por drejtuesit nuk duan t’i publikojnë, në mënyrë që të mos ndikojë te paraqitja e tyre në 10 ndeshjet e mbetura në kampionat.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"