“Kontrata që më ofruan, ishte më e mirë se e Kukësit”, Krasniqi hap sfidën: Respekt traditës, Egnatia në elitë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2020 | 23:25

“Kontrata që më ofruan, ishte më e mirë se e Kukësit”, Krasniqi hap sfidën: Respekt traditës, Egnatia në elitë

Egnatia ka befasuar në merkaton e kësaj vere. Pasi morën Gugash Maganin në stol, afruan lojtarë me peshë në organikë si Ndriçim Shtubina, Artur Magani, Gëzim Krasniqi e të tjerë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mbrojtësi Krasniqi tregon pse zgjodhi rrogozhinasit dhe çfarë mund të bëjë kjo skuadër në sezonin 2020- 2021. Ai e quan më shumë se të mundshme ngjitjen, aq sa hapur sfidon edhe ekipet me traditë.

Krasniqi

Pas përvojave me klube të mëdha të elitës, pse zgjodhët Kategorinë e Parë për të vazhduar karrierën?

Kontrata që më ofruan drejtuesit e Egnatias ishte më e mirë siç e kisha te Kukësi. Veç kësaj, më bindi edhe projekti për ta ngjitur këtë skuadër në elitën e futbollit shqiptar.

Çfarë apo cila ndikoi në vendimin tuaj për të shkuar tek Egnatia?

Profesor Gashi më telefonoi dhe biseduam gjerë e gjatë së bashku. “Kemi ngjitur Besën para disa vitesh, eja ta ngjisim edhe Egnatian”, ishin fjalët e profesorit. Ai njihet për profesionalizmin që ka dhe meriton respekt për punën që bën në futboll. Kishte të bënte patjetër prania e profesor Gashit në zgjedhjen time, por edhe e presidentit Demrozi m’u duk shumë ambicioz dhe bindës.

Si ju duket ekipi aktual, me lojtarët që ka marrë gjatë merkatos së verës?

Ekipi më duket vërtet shumë i mirë, pasi jemi një grup lojtarësh që vrapojnë dhe që luftojnë të gjithë njësoj. Jemi grup shumë i fortë dhe shpresoj që me ndihmën e Zotit të ngjitemi në elitën e futbollit shqiptar. Ky është edhe objektivi ynë i vetëm për kampionatin e ri.

Mund të rivalizojë Egnatia me emrat e mëdhenj të Kategorisë së Parë si Flamurtari, Besa, Besëlidhja, Dinamo, Tomori etj.?

Egnatia ka bërë një ekip për elitë dhe jam i bindur se do të rivalizojë me çdo kundërshtar që mund të ketë përballë në Kategorinë e Parë. Ne i respektojmë emrat e njohur të futbollit shqiptar, por rruga jonë dhe ambicia jonë janë vetëm për ngjitjen në Superiore.

Çfarë mendimi keni për skemën aktuale të kampionatit? Po nëse bëhet me një grup?

Mendimi im është që më mirë të bëhet me një grup, që të luajmë nga dy ndeshje me secilën skuadër, por të shikojmë çfarë do të ndodhë në ditët në vazhdim, çfarë vendimi do të marrë federata.

E fundit, një mendim për Partizanin dhe Kukësin, dy skuadrat tuaja të fundit?

Për Partizanin më vjen keq që iu bllokua merkatoja dhe i uroj suksese në sezonin e ri. Për Kukësin s’kam ndonjë mendim, pasi lojtarët që ishin janë larguar thuajse të gjithë. Blerjet e reja nuk i kam ndjekur.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"