Konte vë alarmin te drejtuesit: Kam pak lojtarë, duhet patjetër merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2017 | 12:19

Konte vë alarmin te drejtuesit: Kam pak lojtarë, duhet patjetër merkato

Tekniku italian i skuadrës së Çelsit, Antonio Konte, ka zbuluar se Eden Hazard dhe Timue Bakajoko do të mungojnë në përballjen ndaj Arsenalit. Trajneri ka thënë se dyshja do të mungojë edhe në ndeshjen e parë për blutë, sa i përket sezonit të ri të Premier Ligës ndaj Bërnleit, e cila do të zhvillohet gjatë javës së ardhshme.

konte

Sipas Kontes, të dy lojtarët, Hazard dhe Bakajoko janë duke iu nënshtruar fazës stërvitore. Për trajnerin e Çelsit, ky do të jetë sezoni më i vështirë i karrierës së tij:

“Sezoni i ardhshëm do të jetë më i vështiri në karrierën time. Kjo si pasojë e arsyeve të ndryshme, megjithatë shpresoj të gabohem për këtë pjesë. Nga ana tjetër, nuk e shoh këtë si një problem. Më pëlqen të vihem nën presion, pasi edhe profesioni im ka si qëllim të përmirësojë skuadrën, në mënyrë që në fushë ajo të japë më të mirën e saj.

Por në këto momente jemi duke vuajtur për lojtarë. I kam kërkuar klubit që të bëjnë blerje të reja, përpara se merkatoja të mbyllet, tashmë është në dorën e tyre të zgjedhin.”

Gjatë ditës së diel, skuadra angleze e Çelsit do të marrë pjesë në sfidën ndaj Arsenalit për titullin e “Community Shield”. Topçinjtë të cilët gjatë sezonit të kaluar kanë triumfuar në dy sfida ndaj bluve të Kontes: 3-0 në Emirates dhe finalja e “FA Cup”. Për këtë arsye, trajneri italian ka thënë:

“Sfida e së dielës nuk mund të konsiderohet si një miqësore. Së pari do të luajmë me një skuadër ndaj së cilës kemi humbur finalen e “FA Cup”, megjithatë do të jetë një sfidë komplet ndryshe. Për ne është një sfidë e veçantë dhe mjaft e rëndësishme, pasi do të jetë e para, e cila do të hapë sezonin e ri të Premier Ligës, ndaj duam ta fillojmë me këmbën e mbarë.”

Nga ana tjetër, merkatoja është kryesorja për Konten: “Jemi me shumë pak lojtarë dhe klubi i ka të qarta nevojat në këtë sektor. Nuk është mirë të flasim publikisht për këto probleme.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"