“Konte më ka ‘zgjuar’”, rrëfehet Lukaku: Trajneri i parë që më ka bërtitur në fytyrë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 25, 2020 | 20:56

“Konte më ka ‘zgjuar'”, rrëfehet Lukaku: Trajneri i parë që më ka bërtitur në fytyrë

Një sezon nga më të mirët e karrierës ai tek Interi, skuadër ku u transferua këtë verë nga Mançester Junajtid. Romelu Lukaku duket të ketë bërë lëvizjen e duhur, kur mendoi të kalonte nga kampionati anglez në atë italian dhe fusha po e tregon. Gjatë një interviste të dhënë ditën e djeshme për “Sky Sports”, sulmuesi zikaltër ka diskutuar mes të tjerash racizmin në futboll, largimin nga Premier Liga dhe jetën në Itali. 

lukaku.inter.esultanza.gol.cagliari.2020.750x450

Belgu u bën thirrje homologëve të tij të kenë më shumë përgjegjësi në kuadratin e gjelbër, kur bëhet fjalë për racizëm. Gjithashtu, ka shpjeguar se kur vendosi të ikte nga Junajtid, pasi iu limituan hapësirat nën drejtimin e trajnerit të ri Ole Gunar Solskjaer. Lukaku flet edhe për impaktin që Antonio Konte ka pasur në karrierën e tij që nga momenti i bashkimit me Interin dhe se si tani trajneri italian është i pari që i ka dhënë trajtimin e “tharëses së flokëve” pas një paraqitjeje të dobët.

Ka pasur disa raste të mëdha racizmi përreth Europës. Si ndiheni kur dëgjoni dhe shikoni këto episode?

Mendoj se viti i kaluar ishte i trishtuar për botën në përgjithësi, shumë incidente të panevojshme ndodhën, veçanërisht në futboll. Këtë vit duhet të bëjmë më mirë dhe të marrim masa. Duhet që njerëzit të edukohen. Edukimi është thelbësor: ndihem me fat që jam shkolluar në një institucion ku kishim më shumë se 50 kombësi të ndryshme. Nuk kam diskriminuar askënd, kurrë, pavarësisht racës, seksit apo besimit. Nëse sillesh mirë me mua, bëj të njëjtën gjë. Është një leksion që do t’ia mësoj djalit tim, që askush nuk është ndryshe, të gjithë jemi njësoj. Duhet treguar respekt. Nëse dikush nuk të pëlqen, mjafton të mos i flasësh. Në futboll, ajo që më ka ndodhur mua, i ndodhi edhe Balotelit apo Pjaniçit. Italinë e konsideroj një vend të mrekullueshëm dhe ka potencialin të rikthehet në një nga kampionatet elitare si dikur, por duhet të punojmë të bashkuar për të mbajtur njerëzit injorantë jashtë stadiumit. Ka ndodhur gjithashtu në Holandë, ndërkohë që po shikoja një ndeshje të kategorisë së dytë. Bisedova me lojtarin që pësoi koret, duke i thënë: “Veprove mirë të largoheshe nga fusha  dhe të festoje përpara atyre njerëzve injorantë”.

lukaku

Kemi dëgjuar për Romelun si futbollist. Po si do ta përshkruani veten si person?

Nëse nuk më pëlqen, me ty nuk flas. Kam një rreth personash shumë të ngjeshur dhe njerëzit këtë e dinë. Jam një person familjar, mendoj për mamanë time, djalin tim, vëllain dhe gjithë pjesën tjetër të familjes në mënyrën më të mirë. Ky, për mua, është motivimi më i madh edhe sot e kësaj dite. Qëndroj pothuajse gjithë kohën në shtëpi. Jam një djalë i thjeshtë. Më pëlqen të argëtohem në verë, por kur vera mbaron, nis puna.

Çfarë ka ndryshuar këtë sezon krahasuar me të kaluarin?

Mendoj se kam rizbuluar veten. Viti i kaluar ishte shumë i vështirë për mua në nivel profesional, sepse asgjë nuk po shkonte si dëshiroja dhe nuk po paraqitesha si dëshiroja. Ndaj, u detyrova të kërkoja brenda vetes atë që po më mungonte dhe arrita në përfundimin se kishte ardhur momenti të ndryshoja ambient. Mora vendimin rreth marsit, iu drejtova zyrës së trajnerit, duke i komunikuar zgjedhjen se për mua ishte momenti të kërkoja diçka tjetër. Mendoj se ishte më mirë për të dyja palët të ndaheshim. E konsideroj ende vendimin e duhur. Mançester Junajtid po krijonte hapësira për më të rinjtë, ndaj e shoh si një situatë nga ku përfituam si unë po ashtu edhe klubi”.

Gara për titullin kampion po bëhet gjithmonë e më emocionuese. Sa ndikim ka Antonio Konte në gjithë këtë?

Më duhet të them që personat rreth nesh janë më të emocionuar. Ndërsa ne si lojtarë në dhomat e zhveshjes jemi të fokusuar te puna që duhet të kryejmë, sepse trajneri na qëndron mbi kokë çdo ditë. Më kujtohet edhe dita e parë e stërvitjes këtu, puna fizike: nuk isha mësuar. Kur flasim për Premier Ligën, e cilësojmë si kampionatin më të vështirë fizikisht, por duhet të shikosh stërvitjet tona… Stafi bën të mundur që të gjithë të jemi në formë, çdo ditë. Kujtoj edhe fjalët që i thashë menaxherit tim: ‘Po vuaj shumë në stërvitje, sepse nuk kam punuar asnjëherë me këtë intensitet’. Por Konte është gjithmonë pranë nesh, duke nxitur çdo futbollist të kryejë punën. Dhe askush përreth nuk është ankuar, të gjithë janë përshtatur. Mund të japë një ngarkesë të pamendueshme, por asnjë futbollist nuk heq dorë, sepse Konte të jep atë energji për të vazhduar. Kjo më pas pasqyrohet tek intensiteti në ndeshje. Jemi skuadra që vrapojmë më shumë, krijojmë shumë raste dhe kemi një mbrojtje të fortë, sepse nuk dorëzohemi deri në fund. Personalisht e mendoj kështu: ‘Më në fund kam arritur të jap potencialin maksimal”.

lukaku

Konte nuk është dikush që do të dëshironit të zhgënjenit, apo jo?

Jo, aspak. E thotë edhe hapur. Ta thotë në fytyrë në fytyrë nëse po bën mirë apo keq. Kujtoj një nga ndeshjet e mia të para në Ligën e Kampioneve kundër Slavia Pragës ku luajta shumë dobët dhe më tha gjëra nga më të ndryshmet përpara gjithë skuadrës. Nuk më kishte ndodhur asnjëherë gjatë karrierës, kurrë.

Po lëshonte apo godiste sende?

Jo, thjesht po më komunikonte se isha thjesht ‘plehrë’ dhe se do të më zëvendësonte pas pesë minutash nëse do ta bëja sërish. Pra, detaje të vogla si këto. Pas kësaj luajtëm derbin e Milanos dhe zhvillova një nga paraqitjet më të mira të sezonit. Dhe nuk mund të mos i jap merita Kontes: më cenoi vetëbesimin, por njëkohësisht më “zgjoi”. Vepron kështu me të gjithë, pak rëndësi ka se kush je. Të gjithë janë të barabartë. Nëse punon fort dhe stërvitesh mirë, atëherë luan. Përndryshe, jo. Ke gjithmonë transparencë dhe për këtë e respektoj.

lukaku

Cilët trajnerë kanë nxjerrë maksimumin prej jush?

Mendoj Roberto Martinez, Ronald Kuman dhe tani Antonio Konte. Mendoj se Zhoze Murinjo, nëse do të kishte pasur lojtarët që dëshironte, do të kishte bërë më mirë. Më duhet të citoj edhe Stiv Klark, sepse më dha mundësi të luaja në Premier Ligë në moshën 19 vjeç. Dhe normalisht trajneri im i parë tek Anderlehti, Ariel Xhekobs, i cili më dha shans kur sapo kisha mbushur 16 vjeç. Më telefonoi kur isha në shkollë, më tha: “Duhet të vish të luash me skuadrën e parë”. Më aktivizoi që atë ditë.

Ku e shikoni veten më mirë në fushë? 

Besoj se mund të shënoj me të dyja këmbët dhe me kokë. Në zonën e rreptësisë, kur marr krosime, jam shumë i rrezikshëm. Kur ka shumë lëvizje përreth meje, si me Belgjikën po ashtu edhe me skuadrën, jap më të mirën, sepse mund të krijoj vetë dhe të shënoj. Për momentin, me skemat ku po luaj, këtu tek Interi me 3-5-2 dhe me kombëtaren 3-4-3, e shikoj veten shumë mirë. Tek Interi luaj në një skemë ku duhet të ndodhem në një pozicion të caktuar, megjithatë duke qëndruar në vendin e duhur kam gjithmonë shanset e mia. Ndryshe ndodh te Belgjika, ku kam më shumë liri, por edhe më shumë lojtarë përreth.

Përgatiti: LEDIO NASE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"