Konstantinides “qan” dëmtimet: Na penalizojnë për formacionin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 1, 2017 | 11:16

Konstantinides “qan” dëmtimet: Na penalizojnë për formacionin

Nga data 2-19 gusht, Kombëtarja kuqezi e basketbollit për meshkuj do të zhvillojë 4 sfidat e grupit të saj paraeliminator të Botërorit 2019. Në një prononcim për Televizionin Shqiptar, trajneri i Kombëtares, Antonis Konstantinides, ka rrëfyer gjendjen e skuadrës dhe synimet e saj për këtë fushatë eliminatore.

konstadini-658x370

“Për ne, çfarëdolloj ndeshje miqësore si skuadër përfaqësuese, është me të vërtetë e rëndësishme sepse nuk na ndodh përditë që të kemi mundësi të tilla për të luajtur miqësore. Dhe çdo ndeshje është e dobishme për rritjen e skuadrës sonë.

Sa i përket turneut në Armeni pamë disa aspekte pozitive, por edhe negative në agresivitetin e lojës sonë si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. Të gjitha këto do t’i përmirësojmë kur të kemi sfidën tonë të parë të mërkurën me Austrinë.

Trajneri

Por mua si trajner, nuk më ka interesuar aspak rezultati i ndeshjeve sepse nuk bën asnjë diferencën nëse fiton apo humbet në miqësore. E rëndësishme është se pamë se si ishte paraqitja jonë dhe ku do të përqendrohemi për t’u përmirësuar. I vetmi problem që kemi patur në këto pesë miqësore, ishte se në asnjërën prej tyre nuk patëm mundësinë të kishim një formacion fiks për shkak të disa dëmtimeve.

Për shembull në tre ndeshjet në Armeni, Elvis Dusha luajti në vetëm njërën prej tyre. Dëmtimet kanë qenë një problem i madh për ne, pasi prej fillimisht kemi humbur Shestanin dhe Taflajn, dy lojtarë të rëndësishëm për Shqipërinë. Megjithatë do të punojmë me lojtarët që kemi për momentin”. Sipas teknikut qipriot, miqësoret kanë shërbyer mjaft.

Kombetarja e Basketbollit

“Miqësoret janë për trajnerin, për të parë atë që kërkon prej lojtarëve, por edhe për kritikët për të bërë vërejtjet e tyre, por për mua e rëndësishme është që të jemi gati për të mërkurën dhe e gjithë skuadra të jetë e përqendruar.

Rivalët? Kemi përballë dy skuadra që janë me më tepër përvojë dhe cilësi sesa ne dhe kjo është e sigurt. Kanë lojtarë që luajnë bashkë prej 5-6 vitesh, lojtarë që luajnë në nivele të larta në klubet europiane.

Në të njëjtën kohë, ne si Shqipëri, duhet të gjejmë formulën se si t’i fitojmë dy ndeshjet që luajmë në Tiranë që të kemi mundësi të kualifikohemi. Synim i vështirë, por jo i pamundur nëse luajmë një basketboll të mirë.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"