“Konkurrenca na motivon”, flet Çinari: Jemi kampionët, ja plani për Laçin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2019 | 9:34

“Konkurrenca na motivon”, flet Çinari: Jemi kampionët, ja plani për Laçin

Partizani do të për ballet të hënën me skuadrën e momentit në Superiore, Laçin, që në katër ndeshjet e fundit njeh vetëm fitore. Për shkodranin e të kuqve të kryeqytetit, Erald Çinari, skuadra nuk është në trysninë e trepikëshit me çdo kusht, por duke qenë Partizani, ekipi futet në çdo ndeshje vetëm për fitore. 

eralld cinari

Në një intervistë të dhënë për televizionin “Klan”, Çinari tregon edhe arsyen e barazimit me Flamurtarin në Vlorë, ku sipas tij duhet falënderuar portieri Shpëtim Moçka, i cili bëri disa pritje vendimtare në këtë sfidë. Përpos faktit se kundërshtari po kalon një formë të mirë, sulmuesi shkodran pohoi se Partizani nuk i trembet jo vetëm Laçit, por asnjë ekipi.

Konkurrencën e lartë ai e vlerëson dhe e shikon si një shtysë për të qenë në formë dhe formacion. Në fund Erald Çinari pohon se më shumë rëndësi ka fitorja e skuadrës, sesa aspekti personal. Por ai e dëshiron që ndaj Laçit “demat” të fitojnë me golin e tij.

Partizani Cinari

Me Flamurtarin u ndalët në një barazim 1-1. Çfarë ndikoi në atë takim që nuk arritët fitoren? 

Mendoj se ndaj Flamurtarit bëmë maksimumin. U desh që t’i jepnim edhe një dorë tjetër dhe pak më shumë ritëm lojës. Duhet të falënderohet portieri Mocka se bëri shumë pritje në atë ndeshje. Ne krijuam shumë volum loje si ekip, por ndeshja i ka të tria rezultatet brenda.

A është detyrim për Partizanin fitorja me Laçin? 

Nuk është kusht se duhet me fituar patjetër, pavarësisht se emri i Partizanit është i madh edhe normalisht që futesh në fushën e lojës me fituar çdo ndeshje, pasi kështu mbrojmë edhe titullin kampion. Kështu që na mbetet të futemi në fushën e lojës dhe të bëjmë atë që dimë të bëjmë ne më mirë. Pastaj të tjerat besoj se do shkojnë në rregull.

cinari

I druheni momentit të mirë që po kalon Laçi, i cili në katër javët e fundit njeh vetëm fitore? 

Laçi është me meritë aty ku është. Në jemi kampionë dhe nuk i druhemi askujt. Do të luajmë fort ndaj tyre. Besoj se vetëm duke luajtur kështu, mund të fitohet ndeshja.

Konkurrenca në ekip është rritur shumë këtë sezon te Partizani. Ju si e shikoni këtë? Konkurrenca është shumë e mirë për një ekip, pasi lojtarët motivohen më shumë për të qenë në formë optimale dhe për të kapur formacionin. Keni qenë vendimtar me golat si vjet, por edhe tani.

Shpresoni që ta tregoni këtë edhe ndaj Laçit?

E rëndësishme është të marrim tri pikët. Nëse arrihet me golin tim, atëherë është edhe më mirë. Çdo lojtar sulmues ka ambicie të shënojë. Dihet që goli i jep stimul dhe moral tjetër futbollistit, por e rëndësishme mbetet gjithnjë fitorja e skuadrës.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"