Konflikti/ Rënia e Flamurtarit, ja si vlonjatët “djegin” edhe Orikumin në Kategorinë e Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2020 | 23:18

Konflikti/ Rënia e Flamurtarit, ja si vlonjatët “djegin” edhe Orikumin në Kategorinë e Parë

Flamurtari rikthehet në Kategorinë e Parë pas 16 vitesh dhe aty gjen Orikumin, por në të njëjtën kohë mund t’i prishë punës skuadrës tjetër bregdetare që drejtohet nga Eqerem Memushi. Si për ironi të fatit, Flamurtari dhe Orikumi do të luajnë në të njëjtën kategori sezonin 2020-2021, por me siguri nuk do të kenë shans të përballen. Duke qenë klube të së njëjtës bashki, FSHF nuk do t’i lërë skuadrat në një grup, pasi përbën konflikt interesi.
pjimage
Por, ajo që nuk dihet është se cila nga skuadrat do ta “pësojë”, duke shkuar në Grupin e Veriut për të ruajtur në këtë mënyrë integritetin e garës. Edhe gjatë këtij sezoni, FSHF vendosi që Iliria dhe Shënkolli të luanin në Grupin e Jugut. Sipas argumentimit që jep institucioni i futbollit, Iliria financohet nga Bashkia e Krujës, që njëkohësisht investon edhe te Kastrioti. Gjithashtu, Shënkolli financohet nga Bashkia e Lezhës, që njëkohësisht investon te Besëlidhja. Nuk është çudi që në Veri të shkojë Flamurtari dhe Orikumi të mbetet në Jug. Kategoria e Parë për sezonin e ardhshëm do të jetë me 18 skuadra dhe e ndarë në dy grupe me nga 9 klube. Pjesë e kësaj kategorie do të jetë edhe Luftëtari i Gjirokastrës, që logjikisht duhet të jetë në Jug. Sezonin tjetër mund të kemi një tjetër përplasje Flamurtari-Luftëtari, gjithnjë nëse FSHF nuk do t’i çojë vlonjatët në Veri. Gjithsesi, çdo gjë mbetet për t’u parë në muajt në vijim.
flamurtari (1)
SITUATA – Pas humbjes me Kukësin në transfertë, Flamurtari është lënë pushim ditën e djeshme. Ekipi pritet që të zbresë sot në fushën stërvitore, ku do të nisë edhe përgatitjet për ndeshjen e radhës me Partizanin, që do të luhet në Vlorë. Mungesë e sigurt do të jetë mbrojtësi Arjel Muçollari, i cili është i pezulluar me katër kartonë.

RIKTHIMET – Situata e vështirë e skuadrës, e pranuar edhe nga trajneri Troisi, bën që çdo mungesë të ndikojë së tepërmi. Mirëpo, për këtë 90-minutësh të radhës ndaj kampionëve në fuqi trajneri brazilian ka marrë lajme të mira. Për takimin e së premtes, vlonjatëve u kthehet Denis Pjeshka që shlyen dënimin nga kartonët. Pritet që të shihet gjatë javës edhe situata e dëmtimit të Kreshnik Nebihut dhe gjasat janë që ai të jetë i gatshëm, por mbetet për t’u parë në vazhdim.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"