“Konflikti” në bashki, ngec privatizimi i Flamurtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 18, 2021 | 9:23

“Konflikti” në bashki, ngec privatizimi i Flamurtarit

Ngecin procedurat për privatizimin e Flamurtarit. Përplasja më e fundit mes kryetarit Dritan Leli dhe këshilltarëve bashkiakë ka bërë që të ngecë çdo gjë që ka lidhje me futbollin. Pas dështimit të zhvillimit të një mbledhjeje jashtë radhe të këshillit tri ditë më parë, këshilltarët i kanë kërkuar kryetarit të bashkisë zhvillimin e një mbledhjeje më datë 22 qershor, me tematikën e një raportimi të kryebashkiakut mbi shërbimet në qytet.

flamurtari

“Panorama Sport” mëson se këshilltarët bashkiakë pritet që të ngrenë në këtë mbledhje edhe çështjen e rënies së Flamurtarit në Kategorinë e Dytë dhe diskutimin për të ardhmen e klubit. Por gjithsesi, mbetet të shihet se si do të trajtohet kjo çështje. Burime pranë Këshillit Bashkiak thonë për “Panorama Sport” se situata më e fundit e krijuar, ku kryebashkiaku Leli është në “konflikt” me këshilltarët, ka bërë që të stopohet gjithçka për Flamurtarin dhe asnjë të mos e këtë mendjen te klubi.

RREZIKU

Gjërat në Vlorë janë në kaos. Nga njëra anë përplasja e Lelit me këshilltarët dhe ngecja e privatizimit dhe nga ana tjetër Sinan Idrizi, që paralajmëron largimin. Por “kokëforta” në këtë mes janë afatet e ligjit të sportit. Flamurtari rrezikon heqjen e stemës si dhe kthimin në një ekip amator, nëse deri në muajin korrik nuk është privatizuar. Në bashki i frikësohen më të keqes, pasi ligji 105/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.79/2017 ‘Për sportin’”, thotë se pas kalimit të këtij afati, Bashkia e Vlorës nuk mund të zotërojë aksione te Flamurtari. Deri në korrik, kur në fakt kanë mbetur më pak se dy javë, Flamurtari duhet privatizuar, në të kundërt ligji citon se i hiqet stema dhe kthehet në një klub amator. Neni 21, pika 2, thotë se çdo organizatë që ka personalitet juridik, ka të drejtë të krijojë një shoqatë sportive amatore sipas legjislacionit në fuqi të organizatave jo fitimprurëse.

KËRKESA

Gazeta mëson se Këshilli Bashkiak i Vlorës i është drejtuar së fundmi me një tjetër letër bashkisë, ku kërkon që të përshpejtohet me procedurën e privatizimit. Këshilltarët kërkojnë një raport për situatën aktuale të klubit, kur jemi në limitet e përfundimit të kontratës së administrimit të kompanive turke, hyrjes në fuqi të ligjit të ri dhe rrëzimit të Flamurtarit në të Dytën. Këshilli kërkon që të hapet tenderi për përcaktimin e ekspertit, që do të llogarisë aksionet e klubit. Hapi i dytë është dalja e aksioneve në treg dhe përfundimtari, hapja e ankandit për privatizimin e klubit. Por, se si do të zhvillohen këta tre hapa në një kohë të limituar mbetet e paqartë. Pritet që kjo çështje të diskutohet në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Bashkiak më 22 qershor.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"