Konflikt bashki-shoqatë, skuadra që siguroi ngjitjen në Superiore është në kaos total

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 11, 2022 | 13:58

Konflikt bashki-shoqatë, skuadra që siguroi ngjitjen në Superiore është në kaos total

Situatë e nderë tek Erzeni i Shijakut pas rikthimit në Kategorinë Superiore. Teksa pritej të kishte një angazhim konkret nga të gjithë faktorët që kanë ndihmuar klubin shijakas në ngjitjen në elitë, tashmë ka një ngërç, që nuk dihet ende se kur do të zgjidhet.

Erzeni2

“Panorama Sport” mëson se Bashkia Shijak është në konflikt të hapur me drejtuesit e shoqatës KF Erzeni, teksa gjithçka daton pak muaj më parë, kur përplasja nisi për personin e autorizuar që duhet të votonte në zgjedhjet e FSHF-së.

U mendua se gjërat do të sheshoheshin me kalimin e kohës, nisur edhe nga fakti që Erzeni arriti objektivin, por pas festës së organizuar në qytet për ngjitjen në Superiore, çarja mes palëve është thelluar.

Bashkia Shijak dhe drejtuesit e shoqatës së klubit të futbollit Erzeni duket se kanë të vështirë të bashkëpunojnë në këtë situatë. Madje, pas shkrimeve të ditëve të fundit në “Panorama Sport”, ka pasur një shqetësim të madh nga tifozët shijakas.

Në rrjetet sociale ka reaguar edhe zyrtari i klubit Erzeni, Fundim Dollaku, i cili ka pasur një rol të rëndësishëm në sezonin e fundit.

“Bashkia i ka projektet tona në tavolinë muaj më parë dhe nuk po konkludon akoma. Punimet në stadium ishin parashikuar të fillonin në mars, por ngelën peng i një firme.

Vazhdon e njëjta histori, në një kohë që ligji i sporteve thotë qartë se si veprohet për dhënien në përdorim të stadiumit shoqatës së klubit të futbollit, si e vetmja që mund të organizojë aktivitetin e futbollit në qytet”, shkruan Dollaku.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"