Konfirmohet stafi, Kastrioti gati ofertë të majme për Cetkoviçin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 4, 2018 | 12:34

Konfirmohet stafi, Kastrioti gati ofertë të majme për Cetkoviçin

Kastrioti e ka nisur me hov projektin “Superiore”. Mbase nuk po lëvizin me hapa të mëdhenj, por të paktën drejtuesit po tregohen më shumë se aktiv për të vendosur në vijë të ardhmen. Krahas kontakteve me disa lojtarë, kanë nisur edhe rinovimet me një pjesë të futbollistëve që mbyllën sezonin e kaluar. Klubi është një hap para, krahasuar me skuadrat e tjera dhe për vetë faktin se vijnë nga një kategori më poshtë dhe u duhet shumë punë për t’u përshtatur me kundërshtarët që do të kenë përballë në elitë.

elvis plori

Pasi zyrtarizuan trajnerin Elvis Plori, të cilit iu besua drejtimi i skuadrës në Superiore, tashmë është kompletuar edhe stafi teknik. Dy zëvendëstrajnerët do të jenë dy ishfutbollistë të Kastriotit. Gëzim Rama, i cili për vite ka mbrojtur ngjyrat e ekipit të qytetit dhe për 4 sezone në postin e ndihmëstrajnerit, është rikonfirmuar për këtë rol.

Gjithashtu, edhe Shkëlzen Rustami, i cili në sezonin 2014-2015 drejtoi skuadrën si trajner i parë, do të jetë në krahë të Plorit. Trajner portierësh do të vazhdojë të jetë Besnik Malaj, ndërsa mjek do të jetë Sokol Selenica. Plotësimi i stafit teknik shihet si diçka pozitive, pasi tashmë e gjithë vëmendja përqendrohet të merkatoja.

Aktualisht, krutanët po punojnë edhe në këtë drejtim, madje ata kanë filluar edhe kontaktet me disa futbollistë të njohur. Nëse me Plakun nuk u arrit dot akordi, krutanët kanë nisur negociatat Marko Cetkoviç, i cili po kërkohet edhe nga Tirana. Edhe pse është 31-vjeç, fantazisti u shpall lojtari i vitit në Malin e Zi, ku skuadra e tij Mladost fitoi kupën e këtij vendi, ndaj shihet si një element që mund të bëjë diferencën në mesin e fushës.

cetkovic-658x411

Bisedimet mes palëve kanë nisur tashmë, dhe Kastrioti është gati t’i bëj një ofertë malazezit. Për ta “joshur”, klubi është i gatshëm të paguajë një shumë të konsiderueshme për shërbimet e tij. Fjala e fundit i mbetet lojtarit, i cili edhe dy ditë më parë deklaroi për “Panorama Sport” se për të ardhmen do të vendosë sapo të mbyllë pushimet verore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"