Konfirmohet “Redi Maloku”, Kastrioti me sytë nga merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 15, 2018 | 12:31

Konfirmohet “Redi Maloku”, Kastrioti me sytë nga merkato

Krutanët kanë vijuar përgatitjet në stadiumin “Kastrioti”, në orën 17:00, orar i përafërt me atë në të cilin do të zhvillohet ndeshja e parë e kampionatit ndaj Luftëtarit. Stafi teknik ka punuar me lojtarët me ushtrime të lehta me top dhe jo vetëm, për të ruajtur kondicionin dhe për të qenë sa më në formë për premierën e sezonit të ri në Superiore. Sakaq, firma e hedhur ditën e djeshme me Tiranën nga portieri Shpëtim Moçka ka bërë që drejtuesit e Kastriotit të hidhen në “sulm” për të gjetur një tjetër portier cilësor që do të shtonte konkurrencën edhe te porta.

kastrioti

Momentalisht, Kastrioti ka vetëm dy portierë, Klajdi Kukën dhe Bruno Pujën, madje ky i fundit ende nuk është prezantuar nga klubi si afrimi më i ri. Porta nuk është i vetmi repart në të cilin krutanët kanë nevojë për përforcime, pasi deri në përfundim të merkatos, në Krujë përflitet për afrimin e dy mesfushorëve dhe një sulmuesi, që do të bënin diferencën, si dhe do të shtonin konkurrencën në ekip. Zhoao Mendez, mbrojtësi i majtë që u provua te Kamza gjatë kësaj faze përgatitore, ka dalë dje në stërvitje me Kastriotin. Portugezi nuk e gjeti akordin me kamazlinjtë dhe dje ka nisur testimin te Kastrioti, ku për disa ditë do të vëzhgohet nga trajneri Elvis Plori, i cili në fund do të vendosë për mbrojtësin.

VENDIMI- Pas punimeve të kryera, stadiumi “Redi Maloku” në Fushë-Krujë është konfirmuar nga sektori i licencimeve në FSHF dhe është gati për zhvillimin e ndeshjeve të kampionatit të Kategorisë Superiore. Ndeshja e parë e Kastriotit në këtë stadium do të jetë ajo e javës së dytë të kampionatit, ku krutanët do të presin në “shtëpinë e re” Skënderbeun. Krutanët në kohë rekord i përmbushën të gjitha detyrat e lëna nga zyrtarët e federatës, e tashmë janë në pritje të fillimit të punimeve në stadiumin “Kastrioti”, i cili do t’i nënshtrohet një rikonstruksioni total, me financim të Bashkisë Krujë dhe Federatës Shqiptare të Futbollit. Bujar Balliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"