Konfirmohet Mario Morina, Idrizi “sqaron” Shetën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2015 | 10:22

Konfirmohet Mario Morina, Idrizi “sqaron” Shetën

Sinan IdriziFlamurtari është i vendosur të mos marrë lojtarë që kanë probleme me klubet e tjera. Mesazhi vjen nga administratori i klubit vlonjat, Sinan Idrizi. Gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, Idrizi i referohet edhe rastit të Arian Shetës, i cili kishte një parakontratë me Teutën e Durrësit. Administratori i vlonjatëve shprehet se ka diskutuar për këtë çështje me presidentin e Teutës, Hasanbelliu.

Idrizi tha se i ka bërë të qartë kreut të klubit durrsak se politika e klubit të Flamurtarit është që të ndërhyjë në bisedime me klubet dhe jo me lojtarët dhe se nuk kërkon aspak që të prishë punë apo tregun. “Duke qenë se Sheta është një lojtar që ka pasur një parakontratë me Teutën, unë kam folur personalisht në telefon me presidentin Hasanbelliu. I kam thënë se asnjëherë Flamurtari nuk do të prishë rregullat e lojës apo të dëmtojë klubet e tjera. Politika jonë është se ne, kur janë raste të tilla, nuk hyjmë në bisedime me lojtarët, por me klubet. I kam thënë Shetës dhe Hasanbelliut se, nëse ai është lojtar i lirë dhe e zgjidh çështjen me Teutën, të vijë te Flamurtari. Ne nuk duam lojtarë me probleme.

Ai mund të jetë shumë i rëndë- sishëm për ne dhe një lojtar që na bën punë, por, nëse ka probleme, ne nuk kemi sesi ta marrim. Të zgjidhë këtë çështje dhe dera jonë është e hapur për të”, tha Idrizi. Merkato Administratori Sinan Idrizi thekson se merkato për Flamurtarin ende nuk është mbyllur. E, ndërsa konfirmon edhe afrimin e Mario Morinës, paralajmëron të tjera goditje, sidomos në tregun kosovar dhe atë të huaj. Idrizi shpreh keqardhje edhe për dëmtimin e Debatik Currit. “Merkato për Flamurtarin është e hapur. Do të synojmë edhe të paktën tri afrime të tjera. Po shikojmë pistat nga Kosova dhe nga tregu i huaj. Ju konfirmoj se Mario Morina është lojtar i Flamurtarit. Shpreh keqardhjen time për dëmtimin e Debatik Currit. Është humbje e madhe për ne. I uroj shërim të shpejt”, përfundon Idrizi. Në ditët e ardhshme pritet që klubi vlonjat të zyrtarizojë edhe objektivat e radhës në merkato për të kompletuar skuadrën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"