Konfirmohet lajmi i “Panorama Sport”, Skënderbeu kthen një emër të njohur nga Superiorja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 7, 2023 | 23:33

Konfirmohet lajmi i “Panorama Sport”, Skënderbeu kthen një emër të njohur nga Superiorja

Skënderbeu bën goditjen e dytë në merkato dhe fuqizon mesin e fushës, duke rritur cilësinë dhe konkurrencën për pjesën e mbetur të sezonit. Agnaldo Moraesh mund të quhet zyrtarisht një lojtar i Skënderbeut, i rikthyer në Korçë pas gati gjashtë muajsh si pjesë e Kukësit.

moraes

Një afrim ky, që pritet të rrisë shumë cilësinë në mesin e fushës te korçarët, atje ku edhe mangësitë ishin më të mëdha sa i përket alternativave që kishin në dispozicion korçarët. Akordi mësohet të jetë arritur ditën e djeshme mes palëve, duke konfirmuar kështu lajmin e “Panorama Sport” të publikuar më shumë se një muaj më parë, kohë kur Moraesh shkëputi marrëdhënien me Kukësin dhe filloi bisedimet me korçarët.

Konfirmimi vjen edhe nga zyrtarët e klubit bardhekuq, të cilët e quajnë të mbyllur tashmë afrimin e brazilianit Moraesh te Skënderbeu. Kështu, shkon në dy numri i lojtarëve të rinj, që do të vihen në shërbim të trajnerit Ivan Gvozdenoviç për pjesën e mbetur të sezonit. Në kushte të tilla, afrimet e para te Skënderbeu mund të quhen dy rikthime, pasi si Randi Dumfur, ashtu edhe Agnaldo Moraesh janë lojtarë që e njohin mjaft mirë jo vetëm kampionatin shqiptar, por janë edhe njohës të mirë të ambientit të klubit, çka përbën një përparësi në ambientimin e tyre dhe shumë shpejt mund të jenë të gatshëm për trajnerin serb të korçarëve.

skenderbeu

Me Moraesh të kryer tashmë dhe Randin që pritet të bashkohet sapo të pajiset me vizë pune në Shqipëri, numri i alternativave në mesin e fushës, por edhe cilësia e zgjedhjeve të trajnerit pëson rritje, duke i dhënë mundësi trajnerit të Skënderbeut të bëjë lëvizjet e duhura për pjesën e dytë të sezonit.

MERKATO – Me Randin dhe Moraesh tashmë të konfirmuar, merkatoja e Skënderbeut nuk do të mbyllet këtu. Burime të sigurta pranë klubit bëjnë me dije për “Panorama Sport” se korçarët minimalisht do të bëjnë edhe tre afrime të tjera, me qëllim krijimin e një grupi sa më kompetitiv dhe për t’i vënë në dispozicion Gvozdenoviçit një ekip më cilësor për të synuar përmbushjen e objektivit sezonal. Edhe pse për momentin gjithçka mbahet në sekret të plotë sa i përket emrave që janë në bisedime e sipër me klubin, gazeta mëson se bëhet fjalë për një sulmues dhe dy mbrojtës. Ata do të rrisin jo vetëm cilësinë, por do të shtojnë edhe konkurrencën brenda grupit. Diçka të tillë trajneri 44-vjeçar i bardhekuqve e ka kërkuar që në momentin e parë kur ka marrë detyrën.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"