Konfirmohet ardhja e brazilianit, zv.trajneri i Vllaznisë: Llogarisim vetëm fitoren ndaj Teutës!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2019 | 19:30

Konfirmohet ardhja e brazilianit, zv.trajneri i Vllaznisë: Llogarisim vetëm fitoren ndaj Teutës!

Zëvendëstrajneri i Vllaznisë, Safet Osja, e quan pozitive për ekipin këtë ndërprerje të kampionatit. Edhe pse ka drejtuar si trajner i parë Vllazninë në përballjen ndaj Tiranës, ai do ta drejtojë ekipin edhe në këtë sfidë ndaj Teutës.

safet osja

Për Osjen, kjo javë kishte vlera për skuadrën, sidomos në aspektin e rritjes fizike. Gjendja e skuadrës duket tejet optimale dhe skuadra, me përjashtim të Hygorit, nuk pritet që të ketë mungesa të tjera. Madje, për këtë takim do të jetë i gatshëm edhe maqedonasi Gligorov. Kjo, me sa duket, e ka rritur edhe optimizmin që skuadra të arrijë më të mirën ndaj Teutës.

Një javë punë intensive për përgatitjet ndaj Teutës. Sa vlejti kjo ndërprerje për skuadrën?

Mendoj se erdhi në momentin e duhur. Skuadra kaloi disa takime të vështira dhe mungesat për dëmtime ishin evidente. Fatmirësisht, kjo ndërprerje erdhi pas një pike me shumë vlera, që morëm ndaj Tiranës. Kjo na bëri të punojmë më të qetë dhe larg presionit, pasi ishte një pikë me një lojë të mirë. Me ekipin gjatë kësaj jave, nisur edhe nga kushtet atmosferike, kemi punuar më shumë me aspektin fizik, por nuk kemi përjashtuar edhe aspektin psikologjik.

Si është gjendja e lojtarëve? 

Ne jemi të kënaqur me gjendjen e tyre. Nuk kemi pasur asnjë shqetësim gjatë gjithë kësaj jave. Madje, është kthyer në një stërvitje intensive edhe maqedonasi Gligorov. Një lojtar shumë i rëndësishëm për ekipin tonë. Prandaj, mund të them se jemi të plotë ndaj Teutës, sigurisht me përjashtim të mungesës që do të kemi të Hygorit.

A pritet të vijë ky lojtar nga Brazili, pasi është thënë se ai ka pasur një leje prej dy javësh? 

Hygorin e presim që të jetë në Shkodër fundjavën që vjen, por nuk e shikojmë si të mundshëm që të jetë në fushë, pasi nuk ka asnjë ditë stërvitje. Prandaj, planet jemi duke i bërë pa të.

Vllaznia ka vuajtur më shumë në Shkodër sesa në fushat kundërshtare, a po e përgatisni skuadrën që ta përballojë këtë gjë? 

E thashë, që përkrah aspektit fizik kemi punuar edhe në aspektin psikologjik. Unë shpresoj se forcat janë për të arritur te fitorja dhe këtë besim kanë edhe djemtë. Për ne është një përballje e rëndësishme dhe duhet që të kalojmë me një fitore e të kthejmë rezultatet pozitive në fushën tonë.

Pra, Vllaznia nuk pritet që t’i japë mundësinë Teutës të bëjë kthesën në Shkodër?

Kur të tjerët kërkojnë që të bëjnë kthesën në Shkodër, atëherë çfarë duhet të themi ne që jemi të zotët e shtëpisë? Ne do të kërkojmë që të fitojmë dhe s’kemi alternativë tjetër. Ne duhet të fitojmë dhe të kthejmë besimin se në Shkodër nuk duhet që të diskutojmë asnjë rezultat tjetër. Ne do të punojmë gjatë gjithë kësaj jave që të arrijmë tek ajo që duam.

Admir Uruçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"