Kompletohet grupi, skuadrës së Kategorisë së Parë i kthehen 5 lojtarë
Turbina kompletohet para Lushnjës. Nëse në Burrel udhëtuan të cunguar dhe kjo bëri që të pësonin një humbje me shifrat 3-0, verdhejeshilët do t’i presin me forca të plota.
Një lajm më shumë se i mirë për stafin teknik, që të shtunën do ta ketë të gjithë skuadrën në dispozicion. Rikthehen pesë titullarë, çka do të thotë gjysma e formacionit. Portieri Leonid Vardi dhe mbrojtësit Rei Zaimi, Doksani, Nertil Hoxhaj dhe Gjyrkan Shehi janë gati.
Ata nuk luanin për arsye shëndetësore në transfertën matjane. Ekipi është në formë shumë të mirë, ndaj shpresojnë që të vijë edhe kthesa. Turbina ka barazuar fazën e parë në “Roza Haxhiu” dhe tani që i presin në Cërrik llogaritë i bëjnë veçse me fitoren. Një rezultat që do t’u bënte shumë punë, për t’iu larguar zonën e ftohtë të renditjes. Drejtuesit shpresojnë që të paktën të shmangin rënien direkte.
MARIGLEN MIRAKA – PANORAMASPORT.AL
