Kompleksi “Dinamo” në shërbim të FSHF-së, Çeço: Zgjedhja e duhur, ishte i shkatërruar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2018 | 22:45

Kompleksi “Dinamo” në shërbim të FSHF-së, Çeço: Zgjedhja e duhur, ishte i shkatërruar

Iljaz Çeço është një prej atyre njerëzve që ka qenë prezent që në momentin që ka nisur ndërtimi i kompleksit “Dinamo” dhe ka përjetuar momentet më të mira dhe më të vështira.

CECO

 

Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, ai komenton vendimin më të fundit për ta shndërruar atë në një kompleks sportiv në shërbim të FSHF-së dhe e konsideron si diçka pozitive. Sipas tij, duke parë gjendjen në të cilën kishte përfunduar kompleksi, e konsideron si zgjedhje të mirë vendimin më të fundit.

ÇEÇO

“Për 27 vite, ai kompleks mbeti ashtu i lënë pas dore. Nga një ‘perlë’ që ishte në atë kohë që u ndërtua dhe në vitet më pas, tashmë u zhduk. Unë kam qenë shefi i klubit kur nisi ndërtimi i atij kompleksi dhe jam marrë me organizimin e punës. Ndërtimi i atij kompleksi në atë kohë kushtoi 1 milion e 200 mijë dollarë, pa përmendur forcën punëtore që ishin vullnetarë, të burgosurit dhe persona të tjerë që u angazhuan.

Dhe u ndërtua një klub i strukturuar dhe i bukur. Ndërtimi i kompleksit është ai i PSGsë në Francë. Shkoi një prej drejtuesve të asaj kohe në Francë dhe mori planin që ishte njëlloj me atë të klubit të njohur francez. Dhe, me ndërrimin e sistemit, nisi edhe shkatërrimi i atij kompleksi”, shprehet fillimisht një prej drejtuesve të atij kompleksi.

INTERESI ITALIAN

Më tej, Çeço flet në lidhje me interesin e një kompanie italiane për të marrë kompleksin dhe ndërtuar aty biznese private. “Që në 1992, u interesua një kompani italiane për të marrë kompleksin, në të cilin donin të ndërtonin kazino, hotel, restorante dhe pishina. Ishte një kompleks gjigant rreth 74 mijë metra katrorë dhe dëshirohej nga të gjithë.

Përpara ’90, Tirana kishte 25 fusha futbolli, kurse tani kanë mbetur vetëm dy. Ky është një sulm total i çdo gjëje që u ndërtua në komunizëm dhe, me ndërrimin e sistemeve, lindi mania për t’i shkatërruar. Që përpara disa vitesh duhet të ndërhynte Federata dhe shteti për të bërë të pamundurën që të mos prishej Dinamo.

Ishte një klub i strukturuar shumë mirë dhe nuk i interesonte askujt që të shkatërrohej. Në atë kohë u vendos që, nëse FSHF do të kishte nevojë, i gjithë kompleksi do të vendosej në shërbim të saj.

Madje, përpara Kampionatit Botëror që do të zhvillohej në Itali në 1990, u mendua që në kompleksin ‘Dinamo’ të vinte edhe Brazili për të qëndruar dhe të përshtatej me klimën, pasi ishte njëlloj me atë në Itali. Por, nuk u realizua një gjë e tillë, sepse kompleksi ishte i vogël dhe nuk i përmbushte dot kërkesat e brazilianëve. Më pas kërkuan të ndërtonin pallate, por sërish nuk u lejuan”, tregon Çeço.

ZGJIDHJA

“Për të kaluar në atë çfarë ndodhi tri ditë më parë, mendoj se ishte një zgjedhje e mirë. Të paktën do të bëhet sërish qendër sportive, pasi ishte katandisur në ndërtesë që nuk i shërbente askujt dhe ishte e shkatërruar. Me futjen e manisë për të shkatërruar gjithçka, nuk i shpëtoi as kompleksi Dinamo.

Tani të shpresojmë se ishte një zgjedhje e mirë për të pasur një kompleks sportiv dinjitoz. Më mirë që përfundoi në duart e Federatës, pasi mund të ndodhte edhe më e keqja dhe të ndërtoheshin pallate apo biznese të tjera siç kanë dashur në shumë raste”, mbyll prononcimin e tij një prej ish-drejtuesve të kompleksit “Dinamo”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"