Kompeticionet europiane, Shqipëria pjesëmarrje rekord në muajin korrik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2022 | 23:43

Kompeticionet europiane, Shqipëria pjesëmarrje rekord në muajin korrik

Muaji korrik do të shënojë rekord pjesëmarrjeje në aktivitetet europiane për ekipet kombëtare të basketbollit, duke nisur që nga skuadra e të rriturve e deri te moshat. Plot shtatë përfaqësuese do të zbresin në parket për të marrë pjesë në kompeticionet ndërkombëtare, teksa siparin do ta ngrejë skuadra e të rriturve.

image

Ekipi i drejtuar nga trajneri Afrim Bilali prej disa ditësh ka nisur grumbullimin dhe përgatitjet në kuadër të ndeshjes së fundit paraeliminatore për Eurobasket 2025, ku më datë 3 korrik do të presë Rumaninë në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga”. Ndërkohë, për sa i përket sektorit të moshave, kombëtarja e parë që do të zbresë në fushë do të jetë ajo U-20 e vajzave, e cila drejtohet nga trajnerët Vladimir Xheka dhe Klarent Dedaj. Vajzat kuqezi ndodhen në Divizionin B të Kampionatit Europian, teksa janë shortuar në Grupin A së bashku me Zvicrën, Greqinë, Turqinë dhe Ukrainën.

Një grup ferri për Kombëtaren tonë, që do të masë forcat me shtetet elitare në basketbollin europian, me takimet që do të luhen nga data 9 deri më 17 korrik në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Në Divizionin B të Europianit do të marrë pjesë edhe skuadra U20 e djemve, e cila drejtohet nga trajnerët Melzin Lazimi dhe Glen Prodani. Shqipëria e kësaj grupmoshe ndodhet në Grupin D, ku gjithashtu do të ketë rivalë shumë të fortë si Finlanda, Serbia, Zvicra dhe Sllovakia.

Ndeshjet e këtij divizioni do të luhen në Gjeorgji në datat 15-24 korrik. Shqipëria U-18 e vajzave, e cila drejtohet nga trajneret Elona Merkaj dhe Medina Mustafa, bën pjesë në Divizionin C, teksa është shortuar në Grupin A, së bashku me Andorrën dhe Maltën, ndërsa takimet e këtij grupi do të zhvillohen në Andorrë më datat 26-31 korrik. Kombëtarja U-18 e djemve që drejtohet nga trajneri Besim Dervishaj, do të marrë pjesë në Grupin A të Divizionit C, teksa përballë do të ketë Monakon, Maltën, San Marinon dhe Andorrën. Takimet do të luhen në San Marino në datat 24- 31 korrik.

Ndërkohë, duke kaluar te Kombëtaret U-16, ekipi i vajzave drejtohet nga trajnerët Aleksandër Damo dhe Bruno Topi, ndërsa bën pjesën në Divizion C, takime që do të luhen në qytetin e Korçës në datat 12-17 korrik, me Shqipërinë që për të disatin vit radhazi vijon të presë evente europiane për moshat. Vajzat kuqezi ndodhen në Grupin A së bashku me Maltën dhe Andorrën. Ndërkohë, Shqipëria U-16 e djemve, e cila drejtohet nga Bruno Hoxha, do të luajë në Divizionin C. Kuqezinjtë e vegjël të sportit të koshit do të sfidojnë në Grupin A bashkëmoshatarët nga Malta, Kosova dhe San Marino. Takimet e këtij divizioni do të luhen në qytetin e Prizrenit nga data 12 deri më 17 korrik. Kështu Shqipëria është gati për një tjetër verë intensive, me Federatën Shqiptare të Basketbollit që ka konfirmuar përsëri pjesëmarrjen në eventet europiane me të gjitha ekipet e moshave.

KALENDARI

KOMBËTARJA E TË RRITURVE

Paraeliminatoret Eurobasket 2025

SHQIPËRI-RUMANI

3 KORRIK ORA 20:30

U-20 VAJZA

Kampionati Europian

DIVIZIONI B (9-17 KORRIK)

U-20 DJEM

Kampionati Europian

DIVIZIONI B (15-24 KORRIK)

U-18 VAJZA

Kampionati Europian

DIVIZIONI C (26-31 KORRIK)

U-18 DJEM

Kampionati Europian

DIVIZIONI C (24-31 KORRIK)

U-16 VAJZA

Kampionati Europian

DIVIZIONI C (12-17 KORRIK)

U-16 DJEM

Kampionati Europian

DIVIZIONI C (12-17 KORRIK)

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"