Kompensimi, ja shuma që fitojnë klubet shqiptare nga shitjet e Tiranës dhe Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2023 | 22:43

Kompensimi, ja shuma që fitojnë klubet shqiptare nga shitjet e Tiranës dhe Partizanit

Partizani dhe Tirana kanë mbushur xhepat, duke grumbulluar 1.7 milionë euro nga shitja e tre lojtarëve: Eneo Bitri, Xhuljano Skuka dhe Redon Xhixha. Gjithsesi, dy klubet shqiptare nuk do të jenë ato që do të fitojnë. Kështu, për Skukën fiton Dinamo, Korabi dhe disa skuadra në Francë. Për Eneo Bitrin fiton Tomori dhe për Redon Xhixhën, Laçi dhe Shkëndija Tiranë.

skuka - xhixha - bitri

RREGULLI – Në praktikë, nëse një lojtar transferohet nga një klub i lidhur me një federatë në një klub të lidhur me një federatë tjetër, 5% e çdo kompensimi në lidhje me transferimin, duke përjashtuar kompensimin e stërvitjes, duhet të zbritet dhe t’u shpërndahet klubeve që kanë trajnuar futbollistët nga mosha 12 deri në 23 vjeç.

Nga 12 deri 15 vjeç paguhet për çdo vit 0.25% e shumës që shitet lojtari. Nga 16 deri në 23 vjeç paguhet 0.5 për qind për çdo vit stërvitje.

Ndryshe nga kompensimi i stërvitjes, kontributi i solidaritetit paguhet, pavarësisht nga mosha e lojtarit në momentin e transferimit, me kusht që kjo të bëhet kundrejt pagesës së një tarife.

BITRI – Për Bitrin dhe shitjen e lojtarit 150 mijë euro, janë 5625 euro që do të fitojë skuadra beratase. Nga ana tjetër Tomori nuk merr ndonjë shumë të madhe, por jo pa gjë. Një filozofi që duhet ta ketë çdo klub i vogël.

bitri

XHIXHA – Laçi dhe Shkëndija Tiranë janë dy ekipet që përfitojnë nga 5-përqindëshi. Kështu, kurbinasit fitojnë të paktën 16500 euro nga shitja e Redon Xhixhës te Karabaku. Shkëndija e Tiranës do të marrë 8250 euro. Një shumë e madhe në krahasim me Tomorin.

xhixha

SKUKA – Për Skukën janë më shumë para të fituara. Në Shqipëri përfitojnë dy skuadra nga shitja e sulmuesit të kuq. Kështu, Korabi për katër vite pritet të marrë 20 mijë euro, ndërsa Dinamo 5000 euro.

Nga ana tjetër, 20 mijë euro të tjera i kanë marrë skuadrat franceze. Shkurt, për tre lojtarë të shitur fitojnë tri klubet shitëse dhe pesë klube të tjera që kanë stërvitur lojtarët, të cilët lanë kampionatin shqiptar.

skuka

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"