Komisioni i Apelit, sot vendoset fati i Shkumbinit pas përjashtimit nga Disiplina
Festat e fundvitit në Peqin duket se përveç atmosferës së gëzuar, kanë ditë që po përcjellin ankth te qytetarët dhe tifozët e Shkumbinit, të cilët presin që Komisioni i Apelit të vendosë drejtësinë e munguar.
Drejtuesit e klubit sportdashësit peqinas kanë bërë “apel” që çështja e Shkumbinit të shqyrtohet me korrektësi, duke marrë në konsideratë të gjitha faktet që e shoqëruan ndeshjen me Dinamon.
Klubi i Shkumbinit, siç ka bërë me dije “Panorama Sport”, ka kërkuar ballafaqim të drejtpërdrejtë me krerët e federatës dhe të gjithë aktorët e përfshirë në atë ndeshje, vëzhguesi, delegati, zyrtarë të Dinamos dhe arbitrat, për të pasur transparencë. Vendimi i Disiplinës cilësohet i padrejtë nga peqinasit, të cilët e dënojnë incidentin e ndodhur pas ndeshjes, por, sipas tyre, për gabimin e një adoleshenti nuk mund të dënohet një qytet i tërë.
SHOQATA – Nga ana tjetër, edhe shoqata e tifozëve bardhekaltër ka reaguar në prag të mbledhjes së Komisionit të Apelit, ku pritet të shqyrtohet çështja e përjashtimit të Shkumbinit. “Shoqata e tifozëve të vërtetë të Shkumbinit, e atyre tifozëve që shkon në stadium vetëm për të mbështetur skuadrën e zemrës dhe që është larg çdo akti të shëmtuar dhune, nuk e pranon kurrsesi një dënim kolektiv si ai i Disiplinës.
Për faj të një adoleshenti u nëpërkëmbën ndjenjat futbolldashëse të një qyteti të tërë, duke e përjashtuar Shkumbinin nga kampionati. I kërkojmë Komisionit të Apelit t’i shqyrtojë me drejtësi dhe ndershmëri të gjitha faktet që lidhen me ndeshjen mes Shkumbinit dhe Dinamos, si dhe incidentin e ndodhur pas kësaj sfide.
Shpresojmë që drejtësia të triumfojë në Apel dhe ndaj Shkumbinit të merret masa disiplinore e parashikuar në rregullore, duke mos u ndikuar aspak nga faktorë të tjerë dashakeqë që mund të ketë ndaj ekipit tonë”, shkruhet në deklaratën e shoqatës së tifozëve.
Fatmir Ahmeti – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"