Vëzhguesi dhe moviolisti…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2018 | 22:02

Vëzhguesi dhe moviolisti…

MIKEL SHESTANI

Jemi në pragfillim të sezonit futbollistik. Para disa ditësh, institucioni i futbollit hapi siparin me hedhjen e shortit, i cili më pas do t’ua lërë radhën komisioneve përkatëse për përgatitjen e fillimit të Superiores, me qëllimin e vetëm, e një fillimi sa më të mbarë të lojës “top e këmbë”. Duke i uruar suksese të mëtejshme futbollit shqiptar në arenën kombëtare e ndërkombëtare, po i kthehemi shkrimit tonë.

arbitrat

Fillimisht, me vëzhguesin e arbitrave e më pas me moviolistin, “prodhim disavjeçar” i futbollit të kohës së sotme. Rregullorja e veprimtarisë futbollistike viti 2017-’18, ka nenin 57, ose “Përgjegjësitë e FSHF”-së ku në pikën 3, thuhet se: “FSHF do të garantojë kualifikimin profesional të të gjithë punonjësve zyrtarë (përfshirë këtu dizajnerin e arbitrave, arbitrat, kryevëzhguesin e arbitrave, vëzhguesit e arbitrave… “. Pas miratimit të listës nga mbledhja e KE-së, vëzhguesi është i gatshëm për kryerjen e detyrës, si zyrtar i FSHFsë.

Me caktimin nga komisioni përkatës në një nga takimet e javës, detyra e tij kryesore është vëzhgimi e më pas vlerësimi i takimit i “skuadrës së arbitrave”. Pas përfundimit të takimit, sipas udhëzimeve është i detyruar të bashkëbisedojë me “skuadrën e arbitrave” dhe të plotësojë raportin e vëzhguesit, ku ndër pikat më kryesore të raportit janë personaliteti, aplikimi dhe interpretimi i ligjeve të lojës, kontrolli disiplinor, etj. Vëzhguesi duhet të paraqesë raportin e takimit brenda 24 orëve. Sipas rregullores, vëzhguesi ka të drejtë që për situata të veçanta të takimit t’u drejtohet formave të ndryshme të komunikimit dhe veçanërisht emisioneve sportive të pasqyruara në mediat televizive. Këtu përfundon puna e vëzhguesit, të cilit, sipas Kodeve të Drejtësisë sportive, i ndalohet komunikimi, dhënia e intervistave etj., me përjashtim në raste të veçanta me lejen nga titullarët e FSHF-së.

Siç theksuam më lart, një nga format e komunikimit të vëzhguesit kur ka nevojë të shohë raste të diskutueshme të arbitrimit janë pamjet televizive (sipas orientimit të dhënë), ku në panel nuk mungon specialisti i arbitrimit ose më saktë moviolisti. Për pak histori, në fillimet e para, ekrani u “mbush” me vëzhgues-moviolistë, të cilët në kundërshtim me rregulloren, vinin nga radhët e vëzhguesve në aktivitet?!

Për fat të mirë apo rastësisht, duke mos hyrë në brendinë e saj, numri i vëzhguesit-moviolist, sot është i reduktuar, por që ka krijuar me ose pa dashje problematikën e vet. Kjo ka sjellë si pasojë që në median e shkruar dhe televizive, oponentë të ndryshëm, për qëllime të ndryshme, duke kaluar ndonjëherë edhe masën e etikës, kanë shigjetuar personalitetin e moviolistit dhe vetë institucionin e futbollit. Qëllimi i këtij shkrimi nuk është evidentimi i rasteve, por zgjidhja e problemit. Duke u mbështetur në faktorë të ndryshëm socialë, psikologjikë, sportivë etj., jam dakord me prezencën e moviolistit në median televizive, sepse e bën më interesant emisionin, mban më afër spektatorin, nxit debatin konstruktiv dhe oponencën teknike me drejtuesin e emisionit, specialistë të futbollit dhe të ftuar të ndryshëm.

Shembujt pozitivë të komunikimit të moviolistit në studiot televizive janë të shumtë, por ka pasur edhe raste të mosndërhyrjes së tij në ruajtjen e dinjitetit të institucionit dhe të vetë atij. Anomalia vëzhgues-moviolist kërkon zgjidhje organizative, qoftë edhe në aspektin material. Kjo do të ndihmojë futbollin të ecë përpara, komisionet përkatëse do të jenë më transparente dhe efektive, por edhe oponentëve do t’u “kufizohet” kritika, disa herë jokonstruktive. FSHF-ja duhet të marrë përsipër kualifikimin e kujtdo që ka dëshirë të ushtrojë detyrën e moviolistit.

Licencimi i tyre, siç veprohet me grupin e trajnerëve të futbollit, është një nga zgjidhjet. Mund të ketë edhe zgjidhje të tjera, por gjithmonë mbështetur në rregulloret e veprimtarive futbollistike. Besoj se fryma bashkëpunuese, transparenca dhe mbështetja nga institucioni i futbollit, nuk ka munguar dhe nuk do të mungojë. Ndoshta është fushë e re, e paaplikuar në vendet e tjera, sepse shkelim në një rrugë të re, që sjell progres dhe kjo i bën mirë futbollit.

* Autori i shkrimit është vëzhgues i arbitrave

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"