Sporti në luftë për mbijetesë, ta shpëtojmë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 4, 2018 | 21:20

Sporti në luftë për mbijetesë, ta shpëtojmë!

VIRON BEZHANI

viron bezhani

Lojërat Mesdhetare “Tarragona 2018” u mbyllën dhe Shqipëria u rendit në vendin e 20-të nga 26 shtete pjesëmarrëse, ku mori vetëm dy medalje, një ari nga Luiza Gega që u konfirmua si sportiste e jashtëzakonshme dhe një tjetër medalje erdhi nga boksi ku djaloshi vlonjat Krenar Zeneli triumfoi duke u kthyer në atdhe me medaljen e argjendtë. Me mbarimin e këtij eventi, presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, zoti Viron Bezhani, bën bilancin dhe gjithashtu i bën thirrje shtetit për më tepër mbështetje.

shqiptaret koksh

Numri një i KOKSH-it në një deklaratë për “Panorama Sport” shprehet: “Sapo kanë përfunduar Lojërat Mesdhetare ‘Tarragona 2018[, ku Shqipëria mori pjesë në 14 disiplina, me 74 sportistë. Në këto Lojëra morën pjesë 26 vende, në 33 disiplina, 4.000 sportistë, 1.000 gjyqtarë, 3.500 vullnetarë dhe rreth 150.000 spektatorë. Në fund të konkurrimit morëm dy medalje: Një të artë në 3.000 metra me pengesa me atleten Luiza Gega (vendosi edhe rekord të Mesdhetareve) dhe një të argjendtë me boksierin Krenar Zeneli në peshën 56 kg. Të dy këta sportistë nderuan veten, por edhe Shqipërinë, duke qenë një shembull për sportin shqiptar. Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, për të bërë një paraqitje sa më dinjitoze, ka nisur përgatitjet 28 muaj para këtij aktiviteti, duke bërë takime me federatat pjesëmarrëse së bashku me përfaqësuesit nga Ministria, duke përzgjedhur sportistët më të mire dhe duke u krijuar kushte sa më të mira stërvitore, madje edhe jashtë Shqipërisë.

Fitimi i dy medaljeve mund të trumbetohet si sukses për Shqipërinë dhe vërtet është i tillë. Por, duke parë të gjithë pjesëmarrësit në këto Lojëra, paraqitjen e tyre si dhe bisedat e kryera me ta, mendoj se drejtuesit e sportit shqiptar, por dhe politika duhet të bëjë shumë më tepër për sportin, ta përkrahë atë dhe ta ndihmojë, jo t’i kthejë krahët ose t’i vendosë ‘shkopinj nën rrota’. Kemi 28 vite demokraci dhe sporti mbahet gjallë me shpirtin ndër dhëmbë, me një buxhet minimal që vjen gjithmonë në tkurrje, sa për frymëmarrje. Në këtë situatë asnjë nuk po e sheh se sporti shqiptar po vuan dhe nuk po e lë të ngrejë kokën lart në aktivitete zyrtare ndërkombëtare, me një Ministri ku fjala sport mezi dëgjohet. Duke arritur deri aty sa të shkrijë dhe Drejtorinë e Sportit.

Politikat në sport (për ata që janë zgjedhur t’i bëjnë ato) as po tregojnë kujdesin më të vogël për sportin. Kudo që shkojmë, dëgjojmë vetëm zërin e atyre që ngrenë problemet e shumta, por që bien në vesh të shurdhët. Sporti po shkatërrohet dita-ditës para syve tanë dhe ne përsëri heshtim. Politikanët tanë e shohin sportin si një lojë dhe nuk kuptojnë rëndësinë e madhe që ai ka në edukimin e rinisë, për ta larguar atë nga veset negative. Është e bukur të shohësh Botërorin e futbollit përmes TV dhe të shijosh spektaklin e tij, por për të shkuar deri aty është derdhur shumë djersë, është investuar shumë për dekada me radhë.

Sporti sot ka nevojë për strategji, por politikanët tanë më shumë mendojnë për të hapur kazino sesa terrene sportive (mjafton vetëm të bësh një xhiro në Tiranë për ta kuptuar). Pa një strategji të mirëfilltë, pa një masivitet duke e shtrirë atë në çdo qelizë të jetës, nuk mund të arrihen rezultate. Ndaj, këto dy medalje në ‘Tarragona 2018’ janë shumë pak për të pasur një sport elitar, edhe pse na bëjnë krenarë. Mjafton të analizojmë paraqitjen e delegacionit kuqezi në këto Lojëra Mesdhetare për të kuptuar sa larg realitetit jemi. Programet tona për sportin duhet të jenë inkurajuese që të nxisin një pjesëmarrje të madhe, duhet të zhvillojmë sa më shumë aktivitete sportive me fëmijët. Sporti në shkollë duhet të jetë themeli i zhvillimit të sportit shqiptar, baza e tij.

Aktivitetet mes shkollave duhet të zënë një vend të rëndësishëm, pasi nëpërmjet masivitetit do të dalë edhe cilësia sportive, e cila duhet mbështetur fuqimisht nga shteti. Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka bërë përpjekjet e tij për disa sportistë cilësorë, duke investuar për ta me bursa dhe trajnime jashtë vendit, si dhe me përgatitjen e trajnerëve shqiptarë me specialistë të huaj. Por mendojmë se kjo është shumë pak dhe në qoftë se nuk do të kemi mbështetjen e të gjitha institucioneve përkatëse, do të qëndrojmë në vendnumëro. Duke bashkëpunuar dhe duke kontribuar të gjithë së bashku, vetëm kështu mund ta shpëtojmë sportin nga kjo gjendje e përgjumur që ka rënë”, përfundon Viron Bezhani.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"