Situatë kaotike, trajneri pa ide dhe Kombëtarja pa të ardhme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2018 | 22:18

Situatë kaotike, trajneri pa ide dhe Kombëtarja pa të ardhme

SHKËLQIM MUÇA

shkelqim muca

Ishte ndeshje e dobët në përgjithësi që nuk të jep shpresa për të ardhme. Kjo Kombëtare me këta lojtarë, ndoshta me plotësimet nga të dëmtuarit, mund të lëvizë diçka, por s’ka perspektivë. E kishte thënë edhe Vata që lojtari më i mirë i tyre ishte Robertson. Po të ishte analizuar më mirë kundërshtari, që luante me 3-5-2, edhe ne mund ta nisnim kështu. Me Mavrajn në qendër do të ishte mbrojtje më solide. Edhe krahët do të ishin edhe më të sigurt, qoftë me Ansin (Agollin) ose Binakun në të majtë dhe me Hysajn.

Po të ishte analizuar më mirë ndeshja, mund të përfundonte ndryshe. Secili trajner duhet të jetë i qartë në kokë për skemën. Do të ketë dublime, e ndonjëherë nga tre lojtarë për rol, sidomos për mbrojtësit. Balaj gjatë gjithë kohës ishte i veçuar nga skuadra. Për mua, loja e tij ishte pozitive, pasi ishte aty ku duhet të ishte dhe, pavarësisht rasteve që nuk shënoi, te njëri prej tyre kishte fat portieri. Në lojë u la shumë i shkëputur. Në një moment që trajnerit i duhet rezultati, që duhet të sulmojë, nuk besoj se planifikon ndonjëherë që do të luash me Manajn dhe Balajn. Trajnerit i erdhi në moment si mendim dhe e futi. Por në fakt, duhet të kishte një ide për secilin, se kush mund të luajë si zëvendësues.

skoci shqiperi

Nuk mund të ndodhë kështu dhe në çdo ndeshje të ketë spontanitet. Pas çdo takimi, futen shumë e ndërrohet ekipi çdo herë. Për mua është kaos. Edhe Franca në ndeshjen me Gjermaninë kishte të njëjtin formacion. Pse Franca s’ka lojtarë? Kishte të njëjtin ekip të finales. Ne specialistët e quajmë fizionomi dhe adaptim këtë gjë. Prandaj s’të jep shpresa për të ardhmen ky ekip. Kur luajmë me skemën 4-3-3, jemi të gjithë dakord në fakt, trajneri pas Izraelit me Hykën kalon te Memushaj, që është jashtë rolit dhe nuk ka shpejtësi. Apo zgjedh Ndojin. S’kanë lidhje me atë rol. Nëse ke qartësi dhe plan, edhe vetë lojtarët fitojnë besim. E di secili se ku pozicionohet dhe se ku mund të vendoset në fushë. Po t’i analizosh të gjitha ndeshjet, nuk jam i qartë se çfarë ka ndodhur dhe çfarë mund të presim. Nuk shoh asnjë optimizëm.

Ekipi mund edhe të humbasë, por duhet pasur një strukturë loje. Nuk shoh asnjë aspekt organizimi të ekipit. Në aspektin sulmues, nuk shoh asgjë. Nuk shoh lojtarë në 30 metrat e fundit që të jenë të befasishëm. Në fakt, ne analistët që flasim, kërkojmë që në fushë të jenë lojtarët që kanë më tepër cilësi. Në krahasim me trajnerin paraardhës, duke qenë edhe më i afërti dhe me të bëhet krahasimi më i shpeshtë, De Biazi dhe Tramexani bashkëpunonin mirë dhe punohej mirë në skuadër.

Mbrojtja si repart nuk luajti keq, nëse marrim individët, sigurisht me disa përjashtime, por faza mbrojtëse e ekipit ishte e dobët. Depërtimet e tyre dhe daljet nga krahët ishin të tilla që skuadra jonë ishte jashtë loje. Nuk ishin lojtarët e duhur në mesfushë që të mos filtronte aq lehtë topi, apo në daljet e tyre në krahë. Ishte gol i shpejtë në pjesën e dytë dhe ndryshoi lojën, pasi edhe ndërrimi ishte bërë nga trajneri ynë. Pas golit të dytë ekipi u shua, pasi pas golit të parë për gati 10 minuta, skuadra reagoi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"