Mjaft me abuzime, privatizojeni Vllazninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Shkurt 17, 2020 | 18:00

FB Kategoria Superiore Lajmi i fundit Opinion

Mjaft me abuzime, privatizojeni Vllazninë

SENAD NIKSHIQI

senad nikshiqi

Lënda eksplozive C4 e vendosur poshtë makinës së administratorit Vllaznia, jo vetëm se nuk është një ngjarje e re, por mbase edhe e pritshme. Natyrshëm që është e rëndë ta thuash një gjë të tillë, por kjo është e vërteta edhe pse tejet e hidhur.

Sipas burimeve, administratori Lici që nga momenti kur ka nisur punën te Vllaznia dhe deri më sot, ashtu si paraardhësit e tij, ka marrë kërcënime të vazhdueshme edhe pse ka preferuar që t’i ndajë vetëm me miqtë e tij dhe të mos denoncojë në polici apo prokurori.

Ka raste kur edhe persona të ndryshëm i kanë shkuar poshtë shtëpisë të armatosur apo edhe duke i dërguar mesazhe kërcënuese dhe në këtë situatë vendosja e lëndës eksplozive C4, edhe pse tejet e rëndë, duke parë çfarë ka ndodhur në Shkodër me Vllazninë, është diçka që edhe mund të pritej. Fakti që klubi Vllaznia drejtohet nga Bashkia Shkodër duke mos pasur një president siç kanë ekipet e tjera, ka bërë që në Shkodër eksponentë të krimit të lidhur me lojtarë të ndryshëm të bëjnë presione e kërcënime për të futur te Vllaznia lojtarë që nuk e meritojnë.

Pavarësisht kësaj, nuk kanë qenë të pakta rastet kur këta futbollistë falë këtyre kërcënimeve e presioneve të drejtpërdrejta ia kanë dalë të qëndrojnë te Vllaznia të pashqetësuar. Edhe aktualisht Vllaznia ka lojtarë që nuk e meritojnë të jenë pjesë e ekipit, ndërsa edhe merkatoja qoftë e verës, por edhe tani e janarit është e dështuar sepse janë rreth 15 blerje, një pjesë e të cilëve janë larguar, ndërsa një pjesë tjetër qëndrojnë në stol dhe fjala bie ose pyetja që shtrohet është kush e mban përgjegjësinë?

pako

Deri kur Vllaznia do vijojë kështu? Në një kohë kur në Shkodër i vendoset C4 administratorit Lici, drejtori i Vllaznisë, turku Engin Firat, qëndron i qetë në Moldavi si trajner i kombëtares atje ose mund të jetë me pushime në Turqi si një mesoburrë qejfli udhëtimesh duke drejtuar Vllazninë me rrjetin social “viber” përmes mesazheve në telefon. Asnjëherë prezent në hallet dhe problemet që ka klubi dhe duke sjellë lojtarë që kujtdo i lind e drejta të mendojnë për abuzime, për sa kohë kanë një kosto më të madhe financiare dhe nuk bëjnë aspak diferencën me lojtarë të tjerë shkodranë të larguar si të padëshiruar.

Superiorja aktualisht ka afro 26 lojtarë shkodranë që janë në ekipe të ndryshme, natyrshëm jo të gjithë mund të jenë të denjë për Vllazninë, por një pjesë janë patjetër në një nivel më të mirë sesa ata që ngrohin stolin. Vendosja e C4 është një akt kriminal që duhet dënuar dhe që nuk ka asnjë lloj justifikimi, por patjetër që është koha që klubi Vllaznia jo vetëm të privatizohet, por edhe të pastrohet një herë e mirë nga kushdo që përfiton mbi kurrizin e saj siç ka ndodhur prej 8-9 vitesh dhe ndodh edhe aktualisht me ose pa dashje.

Nëse Vllaznia nuk merr drejtimin e duhur, atëherë C4, armët dhe kërcënimet do jenë gjithnjë prezente. Kryetarja e bashkisë, Voltana Ademi, si drejtuese bashkë me Këshillin Bashkiak që posedon 100% të aksioneve dhe drejtuesit e Vllaznisë duhet të zgjohen dhe ta heqin njëherë e mirë këtë barrë që kanë mbi supet e tyre.

Vllaznia Jonuz

Vllaznia është shfrytëzuar maksimalisht politikisht, është shfrytëzuar maksimalisht për vende pune, është shfrytëzuar maksimalisht për të paaftët, por edhe nga kriminelët, shfrytëzime këto që i nxinë edhe historinë në 100-vjetorin e saj duke e hedhur në Kategorinë e Parë. Askush nuk beson se dikush duhet të humbë jetën që Vllaznia të marrë rrjedhën e duhur. Çfarë borxhi kanë shkodranët dhe shqiptarët që klubi më i vjetër i futbollit në Shqipëri, një emblemë e futbollit, skuadra më me histori të nëpërkëmbet e të shkelet edhe nga kriminelët më ordinerë?!

Përse Vllaznia duhet të përpëlitet në vendet e fundit të renditjes në një kohë kur vendin e ka në elitën e futbollit shqiptar gjë e cila ka zbrazur edhe stadiumin në Shkodër. Jo se shkodranët nuk e duan më Vllazninë, përkundrazi, kur skuadra ka pasur nevojë, e kanë treguar dashurinë e madhe duke mbushur stadiumin, por për faktin se ky klub për vite me radhë tashmë keqmenaxhohet kush më shumë e kush më pak. Edhe dje nuk mund të kishte një festë për ditëlindjen e Vllaznisë!

PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com