Mos prisni vetëm Nejmarin, te Brazili shkëlqen Uillian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2018 | 20:23

Mos prisni vetëm Nejmarin, te Brazili shkëlqen Uillian

ROBERTO KARLOS

roberto karlos

Të gjithë e dimë që Leo Mesi dhe Kristiano Ronaldo duan të bëjnë gjithçka dhe janë të fiksuar pas kësaj kupe, por unë shoh Brazilin si favorit dhe dy lojtarë që mund të arrijnë në një nivel më të lartë në Rusi. Njërin mund ta prisni të gjithë dhe ai është Nejmar, i cili shënoi dy gola spektakolarë kundër Kroacisë dhe Austrisë në miqësore. Unë e kisha një mendim: Ky djalë do të shkëlqejë në këtë kompeticion. Duket i motivuar, perfekt dhe në javët e ardhshme do të shohim shpërthimin e tij. Dëmtimi e la disa kohë pushim dhe kjo e ndihmoi atë. Ishte shumë mirë për të si në aspektin fizik, po ashtu edhe në atë psikologjik. .

Ai tani është i relaksuar dhe me idetë e duhura pas një sezoni shumë të vështirë me PSGnë. Dhe kjo është thjesht një e mirë për Brazilin. Nejmar do të shkëlqejë dhe mund të marrë trofeun e Kupës së Botës. Por, e dini se kush tjetër do të shkëlqejë në këtë Botëror? Uillian. Njerëzit flasin për Mesin, Ronaldon, Levandovskin dhe Nejmarin, por për mendimin tim edhe Uillian është pjesë e këtyre kampionëve. Është në formë shumë të mirë dhe merr përgjegjësi në fushën e lojës. Është një djalë i qetë dhe kjo e ndihmon atë. Më besoni që do të jetë një surprizë për shumë njerëz në këtë Botëror. Ai do të jetë lojtari më i mirë i turneut bashkë me Nejmarin. Ai e di sa i rëndësishëm është për skuadrën dhe dua ta shoh gjithmonë në formacionin titullar. Më pëlqeu mënyra sesi “Seleçao” i përgatiti miqësoret.

nejmar

Mbrojtja dhe sulmi janë të koordinuara dhe të organizuara. Ata shënuan gola shumë të bukur dhe interesantë. Por nuk pres asgjë më pak nga një ekip i menaxhuar prej Tites. E kam pasur trajner te Korinthiansi. Ai është një person fantastik. Ai t’i thotë gjërat në sy dhe lojtarët e respektojnë maksimalisht atë. Dhe ndjenja e bashkimit është shumë e rëndësishme për Botërorin. Për më tepër Tite kërkon ta shfrytëzojë këtë Botëror për të treguar vlerat. Ai është imazhi i një trajneri modern. Njerëzit thonë se Brazili, Gjermania dhe Franca kanë shanse më të mira për të fituar Botërorin më shumë se Spanja, por unë nuk mendoj kështu. Mos harroni, trajneri nuk luan në këto ndeshje.

Për më tepër Fernando Hierro është një ish-shoku im dhe di t’i menaxhojë mirë këto situata. Spanja vazhdon të jetë një favorite, ndoshta më shumë sesa më parë sepse tani do të luajnë të gjithë bashkë për t’i kaluar këto probleme. Por unë do të kthehem sërish te Brazili. Ata janë favoritë. Anglia? Ata kanë bërë disa paraqitje zhgënjyese në këto turne, por nuk ka asnjë arsye që historia të përsëritet edhe në Rusi. Shumë njerëz në Brazil mendojnë se Anglia është favorite. Duke menduar për vitin 2002, ne fituam kupën e Botës, por vuajtëm shumë kundër Anglisë. Nuk është kurrë e lehtë të luash ndaj një ekipi të tillë. Ato mund të përballen, por mbrojtjes së Brazilit nuk do t’i pëlqejë aspak që të markojë një sulmues si Herri Kejn. Ai është i frikshëm dhe nuk jam i surprizuar që shumë skuadra e kërkojnë atë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"