Vllaznia-Partizani, ndeshje vitrinë e futbollit shqiptar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2019 | 18:46

Vllaznia-Partizani, ndeshje vitrinë e futbollit shqiptar

PËRPARIM DAIU

Daiu, trajneri i LacitVllaznia-Partizani kjo ndeshje vitrinë e kampionatit shqiptar të futbollit. Çdokush i ka ndierë emocionet e forta për këtë takim. Ata që e kanë përjetuar në fushë, po ashtu tifozëritë e të dyja ekipeve për faktin se janë tifozëritë më të zjarrta dhe me numër shumë të madh sportdashësish.

I shkruaj këto fjalë nga nostalgjia që kam përjetuar në ndeshjet me Vllazninë, si në Shkodër e Tiranë, ku stadiumet respektive mbusheshin me 20 mijë vetë. Ishte kënaqësi të luaje në djepin e futbollit, në tempullin e Loro Boriçit, legjendë e dy ekipeve. Aty kanë dalë me dhjetëra figura të spikatura të futbollit shkodran dhe atij kombëtar.

vllazniapartizanii

Ishte kënaqësi të ishe kundërshtar në Shkodër, sepse futbollistët e Vllaznisë kanë qenë gjithmonë “fair” në fushë. Tifozët e mrekullueshëm dinin fort mirë të mbështesnin Vllazninë, por edhe të duartrokisnin futbollistët kundërshtarë. Ishin po këta tifozë që zbarkonin në Tiranë dhe bashkë me tifozët e Partizanit, që gjithmonë kanë qenë dashamirës karshi Vllaznisë dhe tifozëve të saj, për faktin se marrëdhëniet kanë qenë të shkëlqyera, si klube, por edhe më tej. Shumë shkodranë kanë dhënë kontribute nga themelimi i FK Partizani deri te trofetë e shumtë që ka fituar klubi deri në ditët e sotme.

Unë do të jem në Shkodër, të shijoj përsëri atmosferën e ndjesinë që të jep ai stadium, tani si sportdashës dhe mbështetës i Partizanit, duke takuar shumë miq, ish-futbollistë të plejadës sime me plot mall, por edhe më të vjetrit. Të gjithë bashkë të shohim spektaklin në fushë e tribuna, respektin për njëri-tjetrin dhe fitoftë më i miri. Ky është futbolli, kjo është atmosfera që do të mbizotërojë në këtë tempull të futbollit, me yjet e Vllaznisë dhe Partizanit, nga më të spikaturit e futbollit kombëtar. S’po i përmend se janë aq shumë dhe kanë ngrohur mijëra zemra dikur. Shpresojmë edhe kësaj here të jetë e njëjta histori që përçon vlera. Mirë u takofshim në Shkodrën e kulturës, artit, sportit dhe njerëzve mikpritës plot vlera qytetarie.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"