Fituesi nuk gjykohet, por Lerda të mos bëhet si Panuçi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2019 | 22:01

Fituesi nuk gjykohet, por Lerda të mos bëhet si Panuçi

PËRPARIM DAIU

Daiu, trajneri i Lacit

Fituesi nuk gjykohet, por… Partizani fitoi në Shkodër pa lojë bindëse dhe fitoren e mori falë diferencës së elementit individual.

Mendimi im është që trajneri Lerda gaboi në pjesën e parë me rreshtimin e lojtarëve të caktuar, si Mala mbrojtës i djathtë (ka 3 ndeshje që çalon e nuk përshtatet fare në atë pozicion), Kote u përzgjodh të ishte në 11-shin e fillimlojës dhe rezultoi një forcë mangët përgjatë gjithë pjesës së parë. Me ndërrimet që u kryen në pjesën e dytë, ky trajner duhet të kuptojë se sa cilësi ka brenda skuadrës.

partizani

Ky trajner duhet të kuptojë që këta futbollistë të cilët nuk po aktivizohen rregullisht ishin ata që morën titullin kampion dhe përsëri këta futbolliste bënë në pjesën e dytë diferencën në cilësi. Gjithkush e pa transformimin e Malës kur u aktivizua në pozicionin e tij natyral. Gjithkush e pa Asanin me cilësinë që ai disponon. Gjithkush e pa që Bardhi me lëvizshmërinë e zhdërvjelltësinë që disponon është rrezik konstant për kundërshtarin. Çinari, megjithëse nuk shkëlqeu, për shumë arsye, përsëri shfaqet aty ku duhet me talentin e tij.

franko lerda

Për ta mbyllur me Albanin, që ka meritë të padiskutueshme në fitoren e Shkodrës. Mua më lind pyetja: Pse ky Partizan me gjithë këta lojtarë cilësorë në ofensivë të mos jetë kaq imponues? Ose trajneri gabon në vendosjen e lojtarëve në pozicionet e duhura për t’u marrë më të mirën, ose ky trajner të mos kthehet në një Panuç numër 2, në qoftë se do të vazhdojë me këtë lojë aspak bindëse që ka zhvilluar Partizani deri tani. Sa i përket ndeshjes në Shkodër, thjesht u kënaqa me tri pikët, por jo me atë çka tregoi Partizani në fushën e lojës përballë një Vllaznie të re e plot dëshirë, por që i mungonte eksperienca.

Shpresoj që të gjithë të më mirëkuptojnë në shqetësimet që ngre për vendosjen dhe zgjedhjen e lojtarëve, si dhe për lojën që ka zhvilluar deri tani Partizani, për frymën e grupit që ekziston brenda dhe shumë pikëpyetje te tjera. Koha ka mbaruar në përshtatjen e skemës, me ambientin, filozofinë dhe mentalitetin. Jemi në krye të tabelës thjesht nga gabimet e skuadrave të tjera. Duhet të shikojmë ndryshimin sa më shpejt, sepse nesër do të jetë vonë, kur s’do të mund të bëjmë asgjë për mbrojtjen e titullit kampion. Këtë duhet ta kuptojnë drejtuesit e klubit.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"