Viti i çudirave që lamë pas…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 5, 2021 | 21:02

Viti i çudirave që lamë pas…

Viti 2020 ishte jashtëzakonisht i vështirë për sportin shqiptar. Prej pandemisë pa dyshim, por edhe për vendimet që morën dhe nuk morën ata që sot drejtojnë sportin. Ishte një vit ku mësimet e së kaluarës u shpërfillën dhe u bënë të njëjtat gabime.
jetmir halilaj
– Ky ishte viti kur Tirana fitoi titullin dhe ndryshoi gjysmën e formacionit sezonin pasardhës.

– Ishte viti kur Egbo u shpall kampion.
Egbo Tirana
– Ishte viti kur Egbonë e shkarkuan.

– Ishte viti kur Skënder Gega merrte drejtimin e Kukësit.
skender gegaaa
– Ishte viti kur Skënder Gega dha dorëheqjen nga Kukësi.

– Ishte viti kur Apolonia në harkun e 1 muaji ndërroi tre trajnerë.
cungu-lacii
– Ishte viti kur Cungu bëri histori me Laçin, por e shkarkuan.

– Ishte viti kur Ilir Daja iku nga Skënderbeu i dënuar dhe shkonte te Partizani që sërish… dënohej.

– Ishte viti kur Juxhin Xhaja bëri namin në një derbi dhe bëri “nani” në derbin tjetër…

– Ishte viti kur klubet e Kategorisë së Dytë votuan me dorën e tyre që të mos kishin më të drejtë vote.

– Ishte viti kur Duka vendosi që të mos largohej më me votë.

– Ishte viti kur Edi Reja bëri 9 muaj pushim dhe na nxori në krye të grupit, pasi kuptoi se Roshi nuk mund të luajë mbrojtës dhe Shqipëria nuk ka nevojë për eksperimente pa fund për të bërë gjëra normale në fushë.
uZUNI rONALDO
– Ishte viti kur Uzuni i shënonte Juves, por me Kombëtaren luante si mbrojtës…

– Ishte viti kur u larguan Rroca, Trashi, Doka, Kobina dhe Ngo, por të gjithë së bashku nuk sollën as 1 milion euro në klubet shqiptare.

– Ishte viti kur qeveria i premtoi sërish sportit se do t’ua zgjidhë hallet vitin tjetër…
BELLO BEZHANI
– Ishte viti kur presidenti i KOKSH, Viron Bezhani, kallëzoi në prokurori sekretarin e përgjithshëm Stavri Bello për shpërdorim detyre. Sot të dy drejtojnë atë institucion dhe nuk u dënua asnjëri prej vjedhje dhe as tjetri për shpifje.
besa-shahini
– Ishte viti ku ish-ministrja e Sportit, Besa Shahini, nuk foli kurrë për sportin.

– Ishte viti kur ministrja e Sportit, Evis Kushi, nuk tha asgjë për sportin.

– Ishte viti kur opozita nuk e përmendi sportin.

– Ishte viti kur lojtarët u quajtën fasonë dhe njerëz që bëjnë evazion, ndërkohë që 70% e tyre paguhen nga bashkitë dhe ato i kontrollon vetëm një parti…

– Ishte viti kur falimentoi zyrtarisht Luftëtari, por asnjë nuk mban përgjegjësi.
Flamurtari
– Ishte viti kur Flamurtari ra nga kategoria dhe praktikisht është një klub i falimentuar, por Dritan Leli u fliste për të rinj të talentuar vlonjatëve…

– Ishte viti kur Elbasani nuk mori asnjë pikë në sezonin e ri dhe Gledian Llatja nuk foli asnjëherë për klubin e tij të futbollit.
VOLTANA ADEMI
– Ishte viti kur Voltana Ademi premtoi edhe një herë se privatizimi i Vllaznisë do të bëhej vitin tjetër.

– Ishte viti kur edhe Vllaznia bëhej pjesë e bojkotit ndaj qeverisë, ndërkohë që stadiumin ia ka ndërtuar qeveria dhe të gjitha shpenzimet e klubit bëheshin me lekët e taksapaguesve shkodranë.

– Ishte viti kur Vllaznia e mbylli në krye, por nuk ka marrë akoma rrogat e tre muajve të fundit.

– Ishte viti kur u kthye në krye të Federatës së Shtangës Elez Gjoza, njeriu që ka suksese “të papara” në luftën kundër dopingut…!

– Ishte viti kur Skënderbeu e humbi edhe betejën në Gjykatën Federale të Zvicrës, por prokuroria nuk nisi hetim për dëmin e madh që iu bë qytetit të Korçës dhe futbollit shqiptar. Nuk pati asnjë ndjesë publike nga ata që e çuan në këtë pikë.

– Ishte viti kur u ngjit prapë Kastrioti në Superiore dhe prapë nuk ka stadium. Ia ka marrë Kamzës me qira, meqë Rakip Suli nuk e sheh të arsyeshme të ketë ndonjë aktivitet sportiv në qytetin që drejton.

– Ishte viti kur Besa e Kavajës i luajti ndeshjet në Luz.

– Ishte viti kur qeveria mbylli lojërat me dorë dhe nuk i hapi më.

– Ishte viti kur kafenetë, restorantet, qendrat tregtare ishin plot, por nuk lejohej të luhej volejboll dhe basketboll.
Liga Profesioniste
– Ishte viti kur Liga Profesioniste e Futbollit i vinte ultimatume qeverisë dhe në fund nuk zgjidhej asgjë. Dy muaj të çuar dëm…

– Ishte viti kur Ligës së Futbollit iu akorduan 100 milionë lekë dhe nuk bëri asgjë.

– Ishte viti kur Liga e Futbollit vendosi edhe një herë që emrin e kampionatit ta shesë vitin tjetër…

– Ishte viti kur tre lojtarë të Kombëtares fillimisht dilnin me COVID, pas dy orësh nuk kishin COVID dhe kur shkonin në klubet e tyre, dilnin prapë me COVID…

– Ishte viti i pandemisë dhe qeveria nuk dha asnjë lek për futbollistët, stafet e tyre dhe sportin në tërësi. – Ishte viti që i hoqi kënaqësinë FSHF-së të jepte dënime me mbyllje stadiumesh…

– Ishte viti kur FSHF ndryshoi formulën e Kupës dhe e kuptuam se pamundësia për të bërë ndryshime në formatin e kompeticioneve brenda një sezoni ishte një gënjeshtër e madhe…

– Ishte viti kur Shqipëria mori medalje ari në Europianin e Gjimnastikës me një sportist rus, por qeveria nuk e njeh federatën që përfaqësoi vendin tonë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"