Tri lëvizje dhe një ministri për të shpëtuar sportin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 16, 2020 | 23:25

Tri lëvizje dhe një ministri për të shpëtuar sportin

JETMIR HALILAJ

jetmir halilaj

Ka gjithmonë nevojë për reflektim. Jo vetëm në kohë pandemie, por edhe kur gjërat shkojnë mirë. Në fakt, këtu te ne sporti nuk është hiç mirë. Përkundrazi, po kalon një moment kritik dhe lipsen masa të shpejta e konkrete. Është harxhim kohe të numërosh një për një problemet e këtij sektori sot në Shqipëri, por gjendja e mjerueshme vjen më së shumti nga dy faktorë: kriza financiare dhe mungesa e rregullave. Të dy janë ngushtësisht të lidhur me njëri-tjetrin dhe po asfiksojnë sportin, duke përfituar kështu vetëm disa “padronë” federatash, ministrish dhe zyrtarë bashkish, që nuk kanë asnjë plan sado të thjeshtë për të ardhmen.

KRIZA FINANCIARE

Është e lidhur ngushtësisht me privatizimin e klubeve, jo vetëm të futbollit. Për aq kohë sa marrin pjesë si të barabarta klube private dhe klube bashkish (që janë të të gjithëve dhe të askujt), është e vështirë të ketë një garë të ndershme dhe të punohet me përgjegjësi. Një klub bashkie që merr qindra milionë lekë në vit nga taksat e qytetarëve (rast unik në Europë), që investon pa kurrfarë plani dhe nuk ngre kurrë zërin për probleme apo padrejtësi të ndryshme që ndodhin gjatë garës, jo vetëm që cenon kampionatin, por hedh në erë edhe punën e atyre biznesmenëve që klubet i kanë pronë private. Shembulli tipik që e vërteton këtë është mungesa e licencimit të klubeve. Sistematikisht vitet e fundit vetëm gjysma ose më pak prej tyre licencohen për të marrë pjesë në Europë. Pra, e bëjnë garën fiktive. Kriza financiare vjen edhe prej një mungese strategjie shtetërore.
Ministria_e_Arsimit_Sportit_dhe_Rinisë
Ministria e Sporteve prej vitesh është në një realitet tjetër dhe as që e ka vënë ujin në zjarr se si mund të zhvillohet sporti. Rikonstruksioni i tri stadiumeve apo ndërtimi i një të riu nuk përkthehet domosdoshmërisht në strategji zhvillimi, siç edhe po shihet në fakt. Për t’i dhënë hov sportit, më së pari duhet të ketë një Ministri Sportesh, e cila në bashkëpunim me federatat dhe KOKSH-in, harton një plan afatgjatë dhe i përmbahet atij. Dhe nuk duhet të jesh patjetër gjeni për ta bërë këtë! Mjafton të marrësh modele nga shtete të tjera dhe t’i zbatosh edhe këtu. Nuk mund të bëhemi si Gjermania, por ndoshta si Kroacia. Po çfarë duhet?

– Së pari, të privatizohen të gjitha klubet e futbollit dhe jo vetëm. Shteti dhe federatat duhet të hartojnë një kuadër ligjor, ku përveç blerjes së logos, pronarëve të rinj t’u jepen në përdorim asetet pa të drejtë tjetërsimi (stadiume, fusha stërvitore, palestra, etj…).

– Së dyti, duhet të miratohet sa më shpejt një ligj për sponsorizimin, i cili parashikon lehtësi fiskale reale për ata që investojnë në sport. Ligj që, në fakt, disa prej federatave (FSHF dhe FSHB) me të drejtë e kërkojnë prej kohësh.

– Së treti, të mos regjistrohen në kategoritë profesioniste klubet që dalin me humbje për një periudhë 3-vjeçare.

MUNGESA E RREGULLAVE 
Shqipëria është i vetmi vend ku federatat kërkojnë vazhdimisht mbështetje nga shteti, por nuk duan që shteti t’i kontrollojë, t’u diktojë strategjinë e së ardhmes apo edhe të imponohet në disa rregulla bazë. Për shkak të një indiference shqetësuese shtetërore ndaj sportit prej dekadash, federatat deri tani janë “viktimizuar” sa herë u është dashur që të mos kenë asnjë pengesë në centralizimin e tyre. Kanë ulëritur me të madhe se “shteti po ndërhyn në punët e brendshme”. Disa herë me të drejtë, sepse edhe në ato pak raste kur shteti ka ndërhyrë, nuk e ka bërë për të zhvilluar sportin, por për të uzurpuar federatat dhe për të çuar atje militantët e partisë në pushtet. Kjo duhet të marrë fund.

-Zhvillim kombëtar të sportit pa shtetin nuk ka.

-Zhvillim të sportit me kryetarë federatash të pilotuar nga partia nuk ka.

-Por, për të gjetur një balancë dhe për të ecur përpara, më së pari duhet një Ministri Sportesh mirëfilli.

-Duhet, pra, një Ministri Sportesh, që të nxisë privatizimin e të gjitha klubeve dhe ndihmojë në ligjin e sponsorizimeve federatat.

-Duhet një ministri që të ndalojë FSHF-në të pronësojë stadiume siç ka bërë deri tani.

-Të mos lejojë më zhdukjen e klubeve dhe terreneve sportive si Partizani e Dinamo pa dhënë llogari askush.

-Të kërkojë hesap me zë të lartë se përse i duhen zyra 8 milionë euro FSHF-së me një futboll kaq të varfër sa yni.

-Të ndërtojë së bashku me federatat respektive 100 fusha futbolli në Shqipëri dhe 100 palestra për shumësportësh në harkun e një 5-vjeçari.

-Të imponojë reduktimin e sportistëve të huaj, madje me sistem progresiv, duke ulur ndjeshëm numrin e tyre në kategoritë inferiore.

-Të kërkojë llogari dhe transparencë për formulën e kampionateve e të ndalojë kategorikisht ndarjen e tyre në Veri dhe Jug.

-Të ndërhyjë urgjentisht për të rikthyer KOKSH-in në një institucion serioz dhe të nxisë hetimin për abuzimet që janë bërë aty ndër vite.

-Të marrë masa sa herë që federatat bëjnë shkelje të rënda, një ndër to edhe regjistrimi i klubeve pa -kurrfarë kriteri, duke evituar kështu ekipe fantazmë apo të zhytura në borxhe.

-Të jetë aktive në luftën kundër korrupsionit dhe trukimeve, duke bashkëpunuar me federatat dhe të gjitha strukturat e tjera ligjzbatuese.

-Pasi të jenë bërë këto, atëherë do të ketë shpresë për një sport më të mirë, konkurrues dhe të besueshëm.

-Pronarët e klubeve sportive nuk do të pranojnë më një ligë fiktive. Nuk do të heshtin kur dikush trukon ndeshje dhe u bën pis gjithë produktin.

-Nuk do të pranojnë më arbitra që vendosin fatet e një kampionati.

-Do të refuzojnë një garë me 10 ekipe që përjashton më shumë se gjysmën e Shqipërisë nga elita.

-Do të revoltohen kur klube fantazmë ngjiten në elitë dhe nuk kanë as stadium, as fusha stërvitore dhe as ekipe të rinjsh.

-E nëse shteti vazhdon t’i injorojë këto nevoja jetike për të ardhmen e sportit, atëherë klubet dhe federatat e të gjitha disiplinave duhet të bojkotojnë aktivitetet, derisa qeveria ta marrë seriozisht sportin. Në të kundërt, agonia do të vazhdojë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"