Largimi i Starovës, nuk ka tym pa flakë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 6, 2018 | 22:59

Largimi i Starovës, nuk ka tym pa flakë

ILIR CARA

ilir cara

Sulejman Starova nuk është më trajner i Partizanit. Duhet t’i vësh flakën diçkaje që të bëjë tym. Partizani kishte kohë që ia kishte vënë flakën largimit të “Bobit”, pasi tymnaja e këtij procesi kishte muaj që kishte mbështjellë ambientin sportiv. Starova, praktikisht, nuk ka qenë trajner i Partizanit që pas dorëheqjes në humbjen turpëruese me Luftëtarin. Por klubi e ktheu. Po pse e ktheu? Për ta përdoruar si një mashë për të larguar prushin e nxehtë dhe që drejtuesit të justifikoheshin se kokën nuk ua premë ne atyre që larguan, por nuk ishit në planet e trajnerit.

Klubi nuk ka qenë transparent me trajnerin dhe me dashamirësit e kuq në tre muajt e fundit, pasi e lanë Starovën sa për sy e faqe në drejtim, ndonëse nuk e donin. Merkatoja e dimrit është treguesi i qartë që Starova ishte “mish i huaj”, pasi jo të gjithë të larguarit kanë qenë ekskluzivitet i tij, ndonëse ia faturuan. Starova u nis për fazë përgatitore me 12-13 lojtarë, pasi pjesa tjetër ishte për mbushje. Çuditërisht, përforcimet i erdhën pak para fillimit të pjesës së dytë të sezonit, në një kohë që faza përgatitore ishte zhvilluar me grup të cunguar. Duke qenë çdo ditë në terrenin stërvitor, mëson shumë gjëra, ndonëse jo të gjitha shkruhen e pasqyrohen, pasi t’i vërtetosh duhen shumë asete.

Starova-470x313

Gjithsesi, një gjë është qartë dhe vërtetuar, Starova ka qenë i anashkaluar për përforcimet që u bënë në janar. Me largimin e djeshëm, Starova mund të ketë shpëtuar nga makthi i këtyre tre muajve të fundit, por e keqja te Partizani mbetet. Që “Bobi” nuk ishte vetvetja dhe ishte i anashkaluar, u pa qartë nga sjellja e tij. Nuk kishte ndodhur më parë që të përjetonte dy pezullime nga Disiplina për sjellje antisportive ndaj arbitrave.

Starova iku, e keqja mbeti!

Duhet pranuar që Starova ka qenë i ikur që pas humbjes 5-0 në Gjirokastër, pasi klubi prej kohësh është në kërkim të një zëvendësuesi. Por, sa herë drejtuesit kanë folur për këtë çështje, e kanë mohuar, ndonëse e vërteta është ndryshe. Ditë më parë, zv.trajneri Dalipi e hodhi dorashkën duke pohuar se është gati për të marrë përgjegjësi më të madhe, si trajner i parë. I pyetur se a ka ndonjë prapavijë ky status i Dalipit, drejtori i përgjithshëm, Olsi Rama, i hodhi poshtë, duke deklaruar se ardhmja e Starovës kurrë nuk ka qenë në dyshim, ndonëse shfaqi rezerva për sjelljen e tij me gjyqtarët, duke dhënë një shembull jo të mirë te lojtarët. Duhet të vinte mrekullia e portierit të Teutës, Moçka, që klubi të mos bënte më strucin duke e motivuar shkarkimin e Starovës si një dorëheqje të urdhëruar.

Cikli i Starovës quhej i përfunduar që pas eliminimit nga Liga e Europës nga Botev Plovdivi. Por, kthimi i tij në detyrë në nëntor vërtetoi gjithë zërat e përfolura, ku thuhej se në ekip ka klane, ku senatorët e pakënaqur nga stafi italian kërkon rikthimin e “Bobit”. Që këtu, klubi doli i dështuar me drejtimin, pasi vërtetoi gabimet e bëra në verë, si dhe përuljen para tekave të lojtarëve. Pse insistoj që Starova, i cili është konsideruar si një e keqe e domosdoshme për të kuqtë, u largua, por e keqja e madhe mbeti brenda? E them këtë sepse në 12 vite punë si reporter i Partizanit në terren nuk më ka rastisur të shikoj një ç’organizim të organizuar të klubit, si ky i këtij sezoni.

Presidenti Demi ka qenë i pakursyer këtë vit për të krijuar një ekip të një formati europian, por për faj të drejtuesve po arrihet një dështim spektakolar dhe me kosto të kripur. A ka njeri që të thotë se çfarë të mire i kanë sjellë Partizanit drejtuesit e lartë italianë? Luçiano Moxhi, që parajsën dhe ferrin e përjetoi te Juventusi, duket se ka ardhur për të groposur edhe Partizanin. Çfarë të mire i ka sjellë “Big Luçiano” dhe drejtori sportiv Antonelo Preiti Partizanit, që akoma mbeten në komandë? Në verë ata e mprehën shumë shpatën sa do të bënin të harronin largimin e Ekubanit dhe Torasës, por sollën një kontenier me lojtarë dhe staf nga Italia për t’i ricikluar te Partizani. Starova i kritikoi shumë, por çuditërisht, në nëntor, lindi një dashuri e rreme mes “Bobit” dhe atyre që kishin sjellë “mollët e kalbura” te Partizani. Starova iku, por të keqes te Partizani vijon t’i mbushet çdo muaj llogaria bankare….

dalipi

Dy fjalë për Dalipin

Klevis Dalipi është një nga të mbijetuarit e Partizanit në pesë vitet e fundit. Dalipi ka dhënë një kontribut të pamohueshëm në pesë sezonet e fundit si zv.trajner, i cili ka pritur dhe përcjellë disa trajnerë të shkollës së kuqe dhe të huaj. Ditë më parë, Dalipi pohoi se e kishte ëndërr që të merrte përgjegjësi si trajner i parë. Nga e hëna e 5 marsit kjo ëndërr quhet e realizuar. Por, para se të entuziazmohet, Dalipi duhet t’i bëjë një pyetje vetes: ky besim i drejtuesve është fillimi i realizimit të një ëndrre dhe karriere apo fillimi i një largimi të mundshëm? Partizani ka treguar se kur të gradon, të bën gati plotësimin e librezës së kontributeve… Para se të gëzohet, Dalipi duhet të pyesë drejtuesit se a po bisedojnë paralelisht edhe me trajnerë të tjerë për të marrë komandën?

Çfarë nuk shkon me klubin?

Falë investimeve të përvitshme të president Gaz Demi, Partizani në pesë sezonet e fundit është konceptuar si një klub me baza të shëndosha financiare. Por, investimet nuk janë përligjur deri tani për shumë arsye. Në pesë sezonet e fundit në Superiore, të kuqtë nuk kanë shkuar më shumë se vendi i dytë. Partizani ka pasur një marrëdhënie jo komode me trajnerët, pasi në çdo sezon kulla drejtuese ndryshon dy apo tri herë, me përjashtim të edicionit 2014-2015, kur Shpëtim Duro e mbylli të plotë. Në logjikën e futbollit, kur mungon rezultati, trajneri e pëson i pari dhe kjo është bërë rrugë te Partizani. Natyrshëm lind pyetja, çfarë faji kanë trajnerët kur çdo vit puna nis me drejtues të rinj? Çfarë faji kanë ata kur skuadra transformohet çdo merkato me minimumi 10 lëvizje?

Pa dyshim, këtu përgjegjësia bie edhe mbi presidentin dhe bordin drejtues që, për dështimet, llogarinë e shtrijnë vetëm te trajnerët, ndërsa shumë të tjerë mbijetojnë nga beteja në betejë. Te Partizani nuk ndryshojnë çdo vit vetëm trajnerët, por edhe drejtorët e përgjithshëm. Kjo vërteton se klubi ecën jo me plane afatgjate dhe me ide menaxhuese të denja për një skuadër profesioniste. Te stabiliteti ndikon edhe mungesa e një shtëpie, pasi Partizani vijon të provojë terrenet stërvitore me bar sintetik që shtrihen në gjithë perimetrin e jashtëm të kryeqytetit. Stadium nuk kanë dhe u duhet që për ndeshjet brenda të bëjnë cic-mic me Tiranën, aq sa pranojnë të luajnë në “Selman Stërmasi” edhe një ditë pas ndeshjes së bardhebluve, në një terren aspak të denjë. Ka ardhur koha që Demi, përveç rritjes së investimeve, të rrisë edhe kërkesën e llogarisë. Në të kundërt, Dalipi do të jetë thjesht emri i radhës…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"