Mesi nuk është Maradona dhe as… Kristiano

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2018 | 23:09

Mesi nuk është Maradona dhe as… Kristiano

HERNAN KRESPO

Hernan Crespo

Shumë që panë ndeshjen mes Islandës dhe Argjentinës mund të kenë mbetur të habitur nga rezultati, por unë jo, sepse e kisha parë disa herë në aksion dhe për një kohë edhe më të gjatë skuadrën që tashmë stërvitet nga Horge Sampaoli dhe unë kam qenë i bindur që ai ekip ka nevojë për shumë korrigjime, për mënyrën e lojës që ofron. Të gjithë vazhdojnë të presin gjithçka nga Lionel Mesi, por mua më duhet ta them si gjithmonë, se Mesi nuk është Diego Armando Maradona dhe nuk mund ta fitojë i vetëm një Botëror.

Këtë gjë duhet ta kuptojnë mjaft mirë të gjithë argjentinasit dhe akoma më mirë shokët e ekipit. Leo është një fenomen, por ai duhet vënë në kushtet e duhura që të japë më të mirën, siç bëjnë për të te Barcelona. Në të kundërt, Mesi has shumë vështirësi në lojë. Me këtë nuk dua të them që është ai problemi, por shokët e skuadrës që ka rreth tij… Kush e ndihmoi Mesin kundër Islandës?!

mesi

Di Maria nuk pati një herë guximin që të kërkojë një duel një kundër një në shpejtësi me kundërshtarin, ndërsa pjesa tjetër e mesfushorëve qëndronin të palëvizur, duke parë dhe duke shpresuar që Mesi të bëjë një nga numrat e tij dhe pastaj të festojnë të gjithë… Është e pamundur që t’i japësh përgjegjësinë një lojtari të vetëm, është e pamundur që edhe pse quhet Mesi, të tërheqë i vetëm Argjentinën. Po e ritheksoj, Leo nuk është Diego Armando Maradona, Leo nuk mund të bëjë atë që Diego arriti të bëjë i vetëm dhe të sillte Kupën e Botës në vitin 1986 në Argjentinë.

Mesi maksimumi mund të driblojë një ose dy lojtarë, ndërsa Maradona dinte të driblonte me lehtësi pesë “armiq” dhe të shënonte i vetëm… Të fitonte i vetëm… Për Leon Argjentina duhet të mendojë që të ndërtojë një manovër për të vënë Mesin në kushte që të kërkojë duelin një kundër një dhe aty po që bëhet vdekjeprurës. Shkurt, Leo nuk di të luajë i vetëm, diçka që e bën në mënyrë të përkryer Kristiano Ronaldo. Kristiano luan i vetëm, vrapon, ka një fizik të fortë edhe në dyluftim, driblon dhe shënon.

Mesi për të qenë Mesi ka nevojë për ekipin. Nëse e vë Mesin në kombëtaren e Portugalisë, jam i bindur që do të bënte çmendurira në kundërsulm. Problemi është që nëse Argjentinës i mbyllen kundërshtarët dhe hapësirat mungojnë, atëherë po që ata futen në vështirësi, sepse Mesi i vetëm nuk mund t’i driblojë të gjithë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"