Ligji lejon që qeveria t’a shkrijë këtë federatë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2020 | 13:09

Ligji lejon që qeveria t’a shkrijë këtë federatë

EDUART PRODANI
Prodani-Eduard
Këto ditë është folur shumë për bojkotin. Përveç kërkesave të parashtruara është komentuar se kush janë organizatorët, janë shpjeguar dhe kundërshpjeguar qëllimet, është spekuluar për kohëzgjatjen, dëmet që ai sjell, etj, etj, etj. Vetëm se për një gjë nuk është folur pothuajse fare: ligjshmërinë e tërë kësaj që po ndodh. Nuk ka folur as media, as ideatorët dhe urdhëruesit e bojkotit, madje as edhe përfaqësuesit e Qeverisë. Natyrisht që është në kulturën tonë të të bërit biznes, politikë e çdo gjë tjetër që ligjit t’i kushtojmë pak, fare pak hapësirë dhe madje vetëm po na doli koha në fund të bisedës.
Për më tepër, kur flitet për futbollin dhe federatën, mendohet se flitet për një subjekt me eksterritorialitetit të konsakruar mbi të cilët nuk mund të ngrihet në asnjë mënyrë dora e ligjit. Ky është një keqkuptim i madh i krijuar pa dashje dhe me dashje në rrethana të caktuara. Në fakt, futbolli jo vetëm që nuk mund të jetë mbi ligjin, por përkundrazi “survejohet” nga dy palë ligje; ai i drejtësisë civile dhe ai i drejtësisë sportive. Se sa me rreptësi koordinohen dhe zbatohen këto ligje në futbollin modern, e dëshmon mirë historia e freskët e FIFA/UEFA, por dhe e shumë federatave në lindje dhe perëndim ku kanë ndodhur përmbysje speklakolare të “establishmenteve” dhe ku janë vënë para “togës së pushkatimit” emra të mëdhenj të futbollit të kombeve dhe atij ndërkombëtar.
eduard prodani
Po a është i ligjshëm ky bojkot? Ne në fakt kemi një ligj sporti që “reciton” me vend e pavend për një larmi aspektesh jo të rëndësisë së parë pa u ndalur të specifikojë parimet dhe marrëdhëniet themelore. Natyrisht që në këtë ligj nuk do të gjesh paragrafe që e ndalojnë specifikisht bojkotin e garës nga vetë organizatori. Kjo edhe sepse ky bojkot është një veprim absurd, i pahasur më parë në praktikën e futbollit modern. Por, në nenin 17 të ligjit “Për Sportin”, shkruhet se në rastet kur “nuk zhvillohet çdo vit Kampionati Kombëtar dhe Kupa e Shqipërisë” ministri përkatës ka të drejtë të kërkojë heqjen e emrit “federatë shqiptare”. Për ata që mund të mos ta kenë shumë të qartë, kjo do të thotë që Qeveria paska të drejtë të kërkojë, mos o Zot, shkrirjen e kësaj federate që domosdo do të duhet të pasohet me krijimin e një tjetre. Natyrisht që ideatorët e bojkotit që janë burra me një barrë mend dhe që kurrsesi nuk ua ha qeni shkopin, do e kenë ditur këtë palo paragraf të ligjit. Po futbolli tek ne është eksterritorial dhe me sa duket do vazhdojë të jetë i tillë për të keqen e vetë atij.
*Eduard Prodani, ish-Sekretar i Përgjithshëm i FSHF-së dhe ish-drejtor i Partizanit

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"