Koment nga Astrit Greva/ Basketbolli i moshave, në rritje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2022 | 20:18

Koment nga Astrit Greva/ Basketbolli i moshave, në rritje

Shtatori, muaji që nisin aktivitet sportive në të gjitha sportet, shumë të pritura nga skuadrat e moshave të reja, sidomos në basketboll. Mbas pushimeve verore, të rinjtë presin me padurim t’i kthehen shkollës dhe sallave stërvitore. Vijnë një vit më të rritur në moshë, më të gjatë fizikisht, më të etur për të ecur përpara dhe do të kemi një nivel më cilësor në kampionatet e moshave, që nisin së shpejti, si për djem, ashtu edhe për vajza.

 

Astrit Greva

U bënë shumë vite (4 apo 5) që në periudhën e verës Federata Shqiptare e Basketbollit ka mundësuar pjesëmarrjen në aktivitetet europiane me të gjitha grupmoshat, 14 deri në 16 vjeç, 16 deri në 18 vjeç apo 18 deri në 20 vjeç, si për djem, gjithashtu edhe për vajza.

Kjo nismë ka sjellë nga viti në vit zhvillim të ri pozitiv në lojën e basketbollit për të rinj e të reja dhe këtë e treguan edhe takimet ndërkombëtare të kësaj vere, ku skuadrat tona luajtën si të barabarta me shumë skuadra të shteteve me basketboll të një niveli të lartë.

Kjo u pa me të gjitha ekipet tona të moshave, që morën pjesë në aktivitetet e FIBA-s. Kjo pjesëmarrje masive në këto kompeticione europiane ishte shumë e çmuar dhe shpresëdhënëse, që së shpejti do të kemi skuadra kombëtare për të përballuar ndeshje të niveleve më të larta europiane.

Basketbolli është sporti i rinisë dhe sot kemi shumë skuadra të sistemuara në shoqata, ku punohet jo vetëm në Tiranë, por në të gjitha qytetet e vendit. Këto aktivitete ndërkombëtare duhet që të jenë një stimul më shumë edhe për t’u përgatitur gjatë vitit sa më mirë, në mënyrë që të jemi anëtarë të denjë të basketbollit të moshave edhe për sezonin 2023.

Nuk ishte rastësi që disa prej të rinjve dhe të rejave nga skuadrat tona, u vlerësuan dhe u cilësuan si më të mirët në Europianët 2022 – një tjetër tregues domethënës që premton shumë se në të ardhmen do të kemi një nivel më të lartë në basketboll.

Apeli im për FSHB-në, është që për ta çuar edhe më tej këtë pjesëmarrje europiane moshash, duhet të organizojë gjatë çdo muaji të vitit, seanca një ose dyditore për të seleksionuar elementët më të mirë për çdo grupmoshë, së bashku me trajnerët përkatës. Sigurisht që ka pak vështirësi për ta realizuar, por është shumë e vlefshme për të pasur përfaqësime dinjitoze.

Gjithashtu mendoj se pas aktiviteteve duhet zhvilluar një analizë me të gjithë trajnerët, për të parë se çfarë është bërë dhe se çfarë duhet bërë për të ardhmen.

Dua të theksoj edhe diçka shumë të rëndësishme në këto aktivitete masive moshash, në të cilat janë aktivizuar rreth 20 trajnerë të rinj djem e vajza, që po fitojnë eksperiencë në profesionin e tyre, diçka që na ka munguar deri më tani.

Kjo nismë e mirë nga FSHB-ja duhet që të mos ndërpritet për vitet e ardhshme, sepse ky zhvillim masiv për moshat e reja stimulon rininë për ta bërë basketbollin tonë sa më afër nivelit dhe standardit që kanë skuadrat më të mira të Europës. Pse jo, ne mundemi!

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"