Koment nga Artan Shyti/ Letër e hapur KOKSH-it

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2019 | 18:49

Koment nga Artan Shyti/ Letër e hapur KOKSH-it

ARTAN SHYTI

Artan Shyti

I nderuar President Viron Bezhani,

Po ju drejtohem publikisht në mënyrë të drejtpërdrejtë, pasi, po në gazetën “Panorama Sport”, jam prononcuar për një problem që, jo vetëm për mua besoj, është shumë shqetësues.

Ju jeni shprehur në asamblenë e fundit të KOKSH-it që administrata u ka mbajtur sportistëve bursistë 15% tatim mbi të ardhurat, por nuk e ka transferuar atë në Drejtorinë e Tatimeve, siç është praktika normale.

KOKSH-640x345

Këtë prononcim tuajin unë e kam trajtuar publikisht duke vendosur dy alternativa, të cilat, për fatin tuaj të keq, janë të dyja negative: ose ju nuk jeni i informuar siç duhet dhe jeni shprehur gabim, ose administrata e KOKSH-it ka kryer një krim ekonomik dhe duhet ndjekur penalisht.

Besoj se keni pasur kohë që ta verifikoni informacionin që dhatë në asamble, ndaj po ju drejtohem përsëri për të kërkuar sqarimin përfundimtar të këtij problemi. Ju jeni i detyruar, si përfaqësuesi zyrtar i KOKSH-it, të jepni variantin zyrtar dhe të saktë të asaj që ka ndodhur. Ky detyrim është në respekt të imazhit të KOKSH-it, i cili megjithëse ka shumë hije dhe njolla, përsëri nuk mund të katandiset në perceptimin që dikush në KOKSH vjedh paratë e sportistëve.

Gjithashtu, ky detyrim është i rëndësishëm edhe në raport me sportistët që ju keni trajtuar me bursë nëpërmjet financimit të Solidaritetit Olimpik.

Nuk dua të paragjykoj, por fakti që nuk ka një reagim zyrtar për një prononcim të bërë publikisht nga ju në forumin më të madh të KOKSH-it, më shtyn të dyshoj se me fjalët tuaja keni prekur një nga abuzimet që kanë ndodhur në KOKSH. Ndaj, po synohet që ky problem të lihet në heshtje, derisa të harrohet nga opinioni sportiv dhe të vazhdohet si më parë.

Por kjo praktikë e vjetër e KOKSH-it nuk mund të funksionojë me këtë rast që, nëse është i vërtetë, përbën një njollë të zezë për ju, si organizatë. Dhe shpresoj shumë të jetë i vetmi, megjithëse raporti i auditit, të cilin e kam lexuar me kujdes, ka edhe shumë momente të tjera të dyshimta të funksionimit të KOKSH-it, që kërkojnë një vlerësim të vëmendshëm të përputhshmërisë së tyre me ligjin dhe statutin e KOKSH-it.

Duke shpresuar në një përgjigje tuajën, ju siguroj se, në mungesë të saj, do të vazhdoj të insistoj, në të gjitha format ligjore, për të sqaruar këtë situatë.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"