Qava për Mesin, e meritoi ndaj fenomenit Mbape

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 20, 2022 | 21:00

Qava për Mesin, e meritoi ndaj fenomenit Mbape

Nga ARRIGO SAKI

saki

Para së gjithash, një rrëfim: kur Mesi ngriti Kupën e Botës sytë e mi ishin me lot. Mendova për të gjithë udhëtimin e Leos, për atë që ai fitoi me Barcelonën, për driblimet e tij, për golat, për shumë “Topat e Artë” dhe për atë lloj mallkimi që ai duket se nuk po e mposhtte dot.

mesi

Jeta është bujare, e po ashtu edhe futbolli: jep gjithmonë, ose pothuajse gjithmonë, bazuar në atë që mbillet. Dhe Mesi ka mbjellë gëzim në kopshtin e madh të futbollit. Shumë shpesh ai detyrohej të luante me hijen e Maradonës që i rëndonte mbi supe, shumë shpesh i kërkonin atë çfarë nuk mund të jepte.

Tani e gjithë Argjentina është në këmbët e tij. Nuk kam dëshirë të them nëse ka arritur Maradonën, nuk jam dakord me këto krahasime mes kampionëve që u përkasin periudhave të ndryshme. Finalja ishte e mrekullueshme, ndeshja më e bukur e të gjithë turneut. Aksione nga të dyja palët dhe moment ku mbetëm pa frymë. Argjentina sulmoi, me kthjelltësi dhe guxim, me veprime të arsyetuara dhe me presion të vazhdueshëm e të egër. Me 2-0, u duk se asgjë nuk mund të ndodhte. Por këtu është e papritura:

Deshamps bën disa zëvendësime, ndryshon strukturën taktike, çekuilibron ekipin në kërkim të një barazimi që duket i paarritshëm për të gjithë. Mbape realizon një dopietë vdekjeprurëse, duke lënë pa fjalë të gjithë shikuesit. Në kohën shtesë, Argjentina dhe Franca, për mënyrën se si e interpretuan ndeshjen e nderuan të gjithë eventin. Fitoi guximi dhe ky është lajmi më i mirë, sepse pa guxim nuk mund të ketë ide pozitive për futbollin.

Në një Botëror me shumë ndeshje të dominuara nga taktika të tepruara, finalja tregoi se rruga përpara për evolucionin është një tjetër: duhet një qëndrim proaktiv, duke treguar gatishmëri për të sulmuar kundërshtarin, ta vendosni në trysni, në vend që të ruhet rezultati. Edhe në kohën shtesë, lojtarët e rraskapitur luftuan sikur të ishin në ring boksi: një goditje nga njëra anë dhe një goditje nga tjetra, një gol nga Mesi dhe barazimi nga Mbape.

saki mesi

Të gjithë lojtarët ishin të emocionuar sepse patën mundësinë të lëviznin në ekipe të formuara mirë. Sigurisht, shifrat e Mesit dhe përshpejtimet mbresëlënëse të Mbapesë mbeten në sytë e njerëzve, por edhe të tjerë lojtarë merituan vëmendjen e finales. Mendova se Franca ishte favorite. Nga ana tjetër, Mesi me shokë treguan se dinë të qëndrojnë në lojë: nuk lejuan t’i mposhtte zhgënjimi, nuk u nervozuan dhe ishin të aftë nga pika e bardhë. Mendoj se fitorja e Argjentinës është e merituar: ata bënë diçka më shumë se Franca. Për mua është një fitore e madhe futbolli.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"