Kombëtarja U-21 i “prish punë” Laçit, kurbinasve u dëmtohet talenti 19-vjeçar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2020 | 11:21

Kombëtarja U-21 i “prish punë” Laçit, kurbinasve u dëmtohet talenti 19-vjeçar

Laçit nuk i ndahet tersi i dëmtimeve për krahun e djathtë të mbrojtjes. Para mbylljes së sezonit 2019-2020, ishte Abdurrahman Fangaj ai që u dëmtua rëndë në një ndeshje ndaj Bylisit dhe më pas iu nënshtrua operacionit në gju, që do ta lërë edhe për disa muaj jashtë fushave.BDCA2035-8F8E-44A8-A9EC-122813C035A0

Në mungesë të Fangajt, trajneri Armando Cungu aktivizoi Albion Markun në krahun e djathtë në ndeshjen e turit të parë të Ligës së Europës ndaj Keshlës. Paraqitja e 19-vjeçarit ishte fantastike dhe kjo i mundësoi edhe një thirrje në Kombëtaren U-21 për ndeshjet ndaj Austrisë dhe Andorrës.

Në të dyja takimet Marku luajti nga minuta e parë, por të martën në “Elbasan Arena” ai doli nga fusha para kohe. Në minutën e 68-të lojtari e kishte të pamundur të vazhdonte ndeshjen për shkak të një dëmtimi.

Menjëherë stafi mjekësor i Kombëtares Shpresa i erdhi në ndihmë Markut, por, me sa duket, dëmtimi është serioz në këmbën e majtë. Gjithsesi, nuk ka asgjë të sigurt për momentin nëse kjo mund ta penalizojë futbollistin për ndeshjen e 17 shtatorit ndaj Hapoel Ber Shevës. Në rast se Marku nuk ia del, atëherë trajneri Cungu me siguri do të provojë titullar Dorian Kërçikun në krahun e djathtë.

Ndërkohë, Laçi kishte me Shpresat edhe Adolf Selmanin dhe Redon Xhixhën, që mbajtën një peshë kryesore në sukseset e kuqezinjve.

GJYQTARËT – Më 17 shtator, ora 19:00, në stadiumin “Elbasan Arena”, Laçi do të presë Hapoel Ber Shevën. Kjo ndeshje i është besuar për t’u gjykuar një tresheje nga Holanda. UEFA ka përcaktuar si kryesor Jokem Kamfuis, ndërsa asistentë Johan Balder dhe Bas Van Dongen.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"