Kombëtarja U-19/ Seleksionime nën vëzhgimin e Rejës, por fshihen listat e lojtarëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 23, 2021 | 19:55

Kombëtarja U-19/ Seleksionime nën vëzhgimin e Rejës, por fshihen listat e lojtarëve

Prej disa ditësh, trajneri i Kombëtares, Edi Reja, gjendet në Shqipëri nga ku po ndjek në qytete të ndryshme aktivitetin e ekipeve rajonale. Pak ditë më parë ndoqi grup-moshat 13 dhe 15-vjeçare në Shkodër, ndërsa prej dy ditësh në Tiranë ka vëzhguar grup-moshat U-17 dhe U19.

REJA

Mirëpo, për habi, FSHF fsheh lisat e të rinjve që janë testuar në ekipet kombëtare. Është krejt normale që të bëhen testime dhe seleksionime me grup-mosha të ndryshme në ekipet kombëtare. Mirëpo, është gjithashtu detyrim për opinionin publik që ekipet kombëtare të jenë transparente me lojtarët që fusin në sitat e vëzhgimit. Pse fshihen ekipet U17 dhe U-19, duke mos publikuar listat e të rinjve që kanë qenë pjesë e këtyre stejxheve stërvitore? Është një pyetje që prej disa kohësh nuk merr përgjigje pasi të dy këto përfaqësuese vijojnë që të jenë krejt diskrete me të rinjtë që veshin fanellën e Kombëtares, qoftë edhe për vetëm disa seanca stërvitore testuese.

TRAJNERI – Në fjalën e tij, trajneri i U-19, Armando Cungu, ka vlerësuar pjesëmarrjen e trajnerit Reja. “Është shumë e rëndësishme prezenca e trajnerit Reja, për t’i dhënë edhe seriozitetin dhe rëndësinë e duhur strukturës së Kombëtares shqiptare U-19. Prezenca e tij është e rëndësishme për të na dhënë të kuptojmë që vijueshmëria do të jetë e garantuar për sa i përket interesit për këta djem”, është shprehur trajneri Cungu në faqen zyrtare të FSHF-së.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"