Kombëtarja U-19/ Në përgatitje për miqësoren ndaj Italisë, flet Cungu: Jemi në proces përzgjedhje, objektivi është…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 11, 2021 | 15:05

Kombëtarja U-19/ Në përgatitje për miqësoren ndaj Italisë, flet Cungu: Jemi në proces përzgjedhje, objektivi është…

Shqipëria U-19 vazhdon prej një jave grumbullimin dhe stërvitjet për ndeshjen miqësore që do të luajnë më datë 13 gusht, në Coverciano, ndaj Italisë. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Armando Cungu kanë zhvilluar nga dy seanca stërvitore në ditë, si edhe kanë luajtur një ndeshje miqësore ndaj Turbinës ku triumfuan me rezultatin e thellë 4-0. Përpara nisjes për në Itali, fshf.org ka intervistuar trajnerin Cungu dhe lojtarët Preka e Nerguti. Trajneri Armando Cungu, që gjatë këtij viti ka zhvilluar disa seleksionime dhe ndeshje miqësore me lojtarët e kampionatit shqiptar, tani ka në dispozicion dhe disa element që vijnë për herë të parë, kryesisht nga Italia ku pak kohë më parë u zhvilluan edhe disa seleksionime. Për përgatitjet dhe objektivat e skuadrës U-19 trajneri kuqezi është shumë i qartë.

CUNGU

“Në përgjithësi jam i kënaqur me angazhimin dhe stërvitjen që kanë zhvilluar djemtë, kështu që jam i bindur se këtë përkushtim që kanë në stërvitje do ta shfaqim edhe në ndeshjen ndaj Italisë. Ne vazhdojmë punën. Jemi në proces të përzgjedhjes, apo seleksionimit të lojtarëve, në mënyrë që të zgjedhim të duhurit për të qënë të gatshëm për eliminatoret e Europianit që janë në nëntor. Edhe kjo ndeshje me Italinë vlen në këtë drejtim.

Në dy ndeshjet miqësore me Kosovën patëm mundësi të shikojmë për herë të parë lojtarët që luajnë jashtë kampionatit shqiptar, si këtë herë që na jepet për herë të dytë kjo mundësi, duke pasur më shumë theksin te lojtarë që luajnë në kampionatin italian. Duke parë që këtë ndeshje e luajmë në Itali besoj se këtë ndeshje e kanë edhe më të mundur për të qënë present. Kjo punë e tanishme është pjesë e punës dhe strategjisë tonë që në fund të jemi plotësisht të gatshëm për nëntorin, për eliminatoret.

Objektivat? Unë dua të arrij në majat më të larta, unë, djemtë dhe Federata jemi në të njëjtin mendim. Unë garantoj që do të bëjmë përzgjedhjet më të mira të mundshme, do të jemi shumë dinjitoz, dhe siҫ kam thënë edhe herë të tjera do të bëjmë më të mirën me përzgjedhjen që të kemi lojtarë që do ndihmojnë nesër Kombëtaren e madhe.

Objektivi i dytë, paralel me përzgjedhjen, është të kërkojmë rezultate, sepse kjo është një moshë madhore, me lojtarë që aderojnë në ekipe të para kështu që duhet të kërkojmë rezultatin. Elementët vendas? Kampionati shqiptar ka djem me cilësi të mira.

Tani po na jepet mundësia të shikojmë element që luajnë në kampionate shumë të rëndësishme jashtë Shqipërie. Jam i bindur që ka lojtarë por shpresoj që edhe ne të biem në gjurmët e lojtarëve që janë më të mirët në këtë grupmoshë. I referohem lojtarëve që luajnë jashtë sepse në kampionatin shqiptar prej pesë muajsh jemi fokusuar shumë dhe kemi bërë zgjedhjet e duhura”.

Marcelino Preka, lojtari i Bylisit që sezonin e kaluar ka luajtur edhe në Kategorinë Superiore vlerëson punën që po bën skuadra këto ditë.

“Ndihem shumë mirë dhe jam shumë i lumtur që ndodhem këtu. Po punojmë shumë fort për ndeshjen me Italinë, ҫunat janë shumë të motivuar dhe shpresojmë për një rezultat pozitiv. Unë kam ëndërr që të arrij majat e Europës në të ardhmen”, u shpreh.

Në një linjë me të është edhe Henri Nerguti, i cili është transferuar prej pak nga kampionati shqiptar te kampionët e Sllovenisë, Mura, ku do të luajë nga ky sezon.

“Ndihem shumë krenar që do të përfaqësoj vendin tim në këto ndeshje të rëndësishme. Grupi i ҫunave njihet shumë mirë dhe është i harmonizuar. Ne do të bëjmë më të mirën sëbashku për t’ia dalë sa më mirë në këtë ndeshje. Stërvitja dhe grumbullimi ka qënë pozitiv dhe presim të dalim mirë në këtë ndeshje të rradhës”, ka përfunduar Nerguti rrëfimin e tij.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"