Kombëtarja U-19 mundet në miqësore nga skuadra e Kategorisë së Dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 27, 2017 | 17:25

Kombëtarja U-19 mundet në miqësore nga skuadra e Kategorisë së Dytë

Skuadra Kombëtare U-19 është duke qëndruar e grumbulluar në Fier në vigjilje të dy ndeshjeve miqësore kundër Gjeorgjisë. Të besuarit e Bogdanit kanë zhvilluar një ndeshje të mirë kundër Albpetrolit, por kanë qenë këta të fundit që kanë arritur të fitojnë ndeshjen testuese.

Albpetroli

Vendasit tentojnë të parët me anë të Lalajt që del përpara portës, godet, por sfera kalon ngjitur me shtyllën pingule. Është minuta e 13-të që do të sjellë zhbllokimin e rezultatit. Caushaj merr një pasim nga Fausto dhe me një goditje potente, arrin që të realizojë. Në vijim, të besuarit e përfaqësueses U-19 kanë tentuar që të marrin frenat e lojës, por nuk janë treguar të saktë përpara portës duke shpërdoruar disa raste për shënim.

Albpetroli

Në të dytën, janë sërish lojtarët e Kombëtares U-19 që janë më konkretë në ndërtimin e aksioneve, por në fund mungon finalizimi. Këtë herë është Haxhiu që ka shpërdoruar një rast të artë shënimi për të barazuar shifrat.

kombetarja u19

Duke përllogaritur ndryshimet dhe testimet e shumta që Bogdani ka bërë, të besuarit e Mihos kanë gjetur edhe golin e dytë me anë të Hatias në të 80-ën. Goleada e vendasve është shmangur nga disa pritje vendimtare të portierit Shala.

TRAJNERI – “Kjo ndeshje na shërben për të testuar gjendjen e lojtarëve, pasi ekipi U-19 është një kontingjent për t’u respektuar dhe na vuri në vështirësi disa herë”, ka deklaruar Miho në përfundim të miqësores.

bogdani

BOGDANI – Trajneri Erjon Bogdani ka deklaruar se kjo ndeshje i ka shërbyer që të testojë kontingjentin përpara ndeshjes miqësore që do të zhvillojë kundër përfaqësueses së Gjeorgjisë. “Kemi shumë pak kohë në dispozicion dhe çdo ndeshje është e vlefshme. Ky test na shërbeu shumë për të parë gjendjen e lojtarëve dhe mënyrën si mund të luajmë kundër Gjeorgjisë  pas disa ditësh”, ka deklaruar Bogdani.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"