Kombëtarja U-18, lindja e një brezi që la gjurmë 36 vite më parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 7, 2018 | 22:58

Kombëtarja U-18, lindja e një brezi që la gjurmë 36 vite më parë

GËZIM NUSHI

Para disa ditësh një shkrim i Besnik Dizdarit në “Panorama Sport” shoqërohej me një foto të skuadrës tonë përfaqësuese U18 të vitit 1982. Në realitet, kjo foto është e veçantë, pasi në të është fiksuar skuadra U-18 që ka luajtur ndeshjen e saj të parë zyrtare në një kompeticion ndërkombëtar jashtë fushës së saj. Saktësisht, fotoja është e datës 7 prill 1982 dhe tregon skuadrën shqiptare para fillimit të ndeshjesh Qipro-Shqipëri, e cila ishte e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian U-18.

Kjo ndeshje u zhvillua në Larnaka të Qipros dhe u fitua nga vendësit me rezultatin 2- 0. Por, për në fazën finale të Kampionatit Europian u kualifikua skuadra jonë, e cila më parë në “Qemal Stafa” të Tiranës kishte fituar me rezultatin e thellë 4-0. Në ndeshjen e luajtur në Larnaka, trajneri Bahri Ishka e ka nisur takimin, duke hedhur në fushë këtë formacion: Sotir Shkurti (Besa) – Josif Gjergji (Shkëndija), Skënder Gega (Shkëndija), Isak Pashaj (Vllaznia), Roland Iljadhi (Flamurtari) – Mirel Josa (17 Nëntori), Gilbert Rapo (Skënderbeu), Sulejman Demollari (Dinamo) – Sokol Kushta (Flamurtari), Sadedin Raxhimi (Dinamo), Eduart Zhupa (Shkëndija).

kombetarja u18

Por, si lindi kjo skuadër dhe si u vendos që të marrë pjesë në eliminatoret e Kampionatit Europian U18?

Në realitet prej shumë vitesh në Federatën Shqiptare të Futbollit vinin ftesa nga ana e UEFA-s, që Shqipëria të merrte pjesë në Kampionatin Europian Under 18. Kampionati Europian U-18 kishte lindur që në vitin 1948, pra praktikisht akoma pa nisur aktivitetin e saj UEFA, e cila u themelua më 15 qershor 1954 dhe faza finale e tij ishte zhvilluar në Angli. Skuadra angleze U-18 ishte fituesja e kampionatit të parë, pasi mundi në finale Holandën me rezultatin 3- 2. Vazhdimisht, drejtuesit e futbollit tonë i ishin përgjigjur negativisht ftesave të ardhura nga UEFA. Në vitin 1978 skuadra U-21 e Shqipërisë do të shënonte një sukses të jashtëzakonshëm, pasi për herë të parë do të shpallej Kampione e Ballkanit. Në ndeshjen përcaktuese dhe të paharruar, ajo do të fitonte në “Qemal Stafa” me rezultatin e thellë 7-1 ndaj Rumanisë, duke përmbysur humbjen 1-3 të pësuar disa javë më parë në Bukuresht. Tre vjet më pas, Shqipëria U-21 do të jetë përsëri Kampione e Ballkanit. Këtë herë do të triumfojë në Volos të Greqisë, pasi në takimin final mundi Bullgarinë me rezultatin 2-1.

Këto rezultate tregonin se një brez i talentuar futbollistësh po dilnin në skenë, i cili mund të përfaqësonte me dinjitet futbollin tonë në aktivitetet ndërkombëtare. Pikërisht, kjo situatë u shfrytëzua nga drejtuesit e futbollit për t’ju kërkuar drejtuesve të lartë të qeverisë së kohës, për t’ju dhënë mundësi futbollistëve të rinj për të marrë pjesë në turnetë ndërkombëtarë, e në radhë të parë në Kampionatin Europian të U18. Për të realizuar këtë qëllim, një meritë të veçantë ka pasur Mehdi Bushati, i cili në ato vite sapo kishte marrë detyrën e kryetarit të Komitetit Shtetëror të Sportit Shqiptar. Arsyetimi i tij kryesor, i cili gjente mbështetjen e madhe edhe të kryetarit të Federatës Shqiptare të Futbollit të kohës, profesor Zyber Konçit, dhe të kuadrove të tjerë, ishte se një nga dobësitë më të mëdha të futbollit tonë në takimet ndërkombëtare ishte mungesa e eksperiencës, gjë e cila vihej re gati në të gjitha ndeshjet, që skuadrat tona luanin në kompeticionet e ndryshme botërore dhe europiane.

kombetarja u 18

Duhet thënë se ishte po Mehdi Bushati, ai që porsa erdhi në krye të sportit shqiptar, insistoi për kthimin e Shqipërisë në eliminatoret e kompeticioneve të mëdha ndërkombëtare, pasi ajo kishte munduar në eliminatoret e Botërorit të vitit 1978 dhe dy Kampionateve të Europës, 1976 dhe 1980. Hedhja e shortit përcaktoi se Shqipëria në fazën eliminatore të Kampionatit Europian U-18 do të ndeshej me Qipron. Fituesja e çiftit kishte të drejtën për të shkuar në fazën finale të kampionatit, të cilat do të zhvilloheshin gjatë muajit maj në Finlandë. Shorti u prit me entuziazëm, pasi kundërshtari ishte plotësisht i kalueshëm, dhe rezultatet e skuadrave të Qipros në ato vite ishin nga më modestet në Europë. Menjëherë u fillua nga puna.

Detyra nuk ishte e lehtë, pasi skuadra U-18 duhet të ngrihej nga themelet. Për seleksionimin dhe stërvitjen e saj u ngarkua një grup trajnerësh, në krye të të cilëve ishte Bahri Ishka, i cili sapo ishte kthyer nga një specializim disa mujor, që kishte kryer në Austri. Në grupin e punës bënin pjesë gjithashtu edhe tre trajnerë të rinj, të cilët drejtonin tri nga skuadrat më të mira të të rinjve të kampionatit të kohës si Neptun Bajko i Partizanit, Resul Ahmeti i 17 Nëntorit dhe Fisnik Kosova i Besës. Puna filloi menjëherë. Gjatë muajit dhjetor të vitit 1981 u thirrën për të kaluar në shoshën e seleksionueseve elementët më të mirë të skuadrave të kampionatit të të rinjve.

Polemikat për përzgjedhjen

Pas disa seancash prove, u përzgjodh grupi i futbollistëve që do të formonte skuadrën, e cila do të përfaqë- sonte Shqipërinë në Kampionatin Europian U-18. Në fakt, për zgjedhjen e elementëve, jo gjithçka kaloi si në vaj. Pati polemika dhe kundërshtime. Kjo edhe për faktin, se në atë moshë të re që ishin futbollistët, si dhe nga ndeshjet e pakta që ata kishin zhvilluar, nuk ishte dhe aq e lehtë që të përcaktoheshin më të mirët. Por në fakt, koha do t’i jepte të drejtë grupit seleksionues me në krye Bahri Ishkën, pasi pjesa më e madhe e futbollistëve që ata seleksionuan, në vitet e ardhshme do të ishin ndër futbollistët më në zë të Shqipërisë dhe talentin e tyre do ta tregonin duke luajtur për shumë vite me dinjitet kundër skuadrave më në zë të Europës.

Në mesin e janarit të vitit 1982 skuadra u grumbullua dhe filloi stërvitjet në Tiranë, të cilat zhvilloheshin tri ditë në javë, kryesisht në fushën e futbollit që ndodhej pranë stadiumit “Qemal Stafa”, e cila në ato vite administrohej nga klubi “Dinamo”. Kjo edhe për faktin se futbollistët ishin vendosur në hotelin e sportistëve që ndodhej në ambientet e stadiumit “Qemal Stafa”.

Problemi i Vilson Mustafarajt

Një nga kërkesat e para për çdo futbollist ishte kryerja e vizitave mjekësore, gjatë të cilave u konstatua se një nga futbollistët me një të ardhme të sigurt, Vilson Mustafaraj, kishte probleme dhe nuk duhet të vazhdonte më të luante futboll. Mustafaraj luante si qendërsulmues me skuadrën e Partizanit dhe konsiderohej si një nga talentet më të mëdha të asaj kohe, gjë të cilën e tregonte edhe fakti se ai ishte një nga shënuesit më të mirë të kampionatit të të rinjve. Shpërthyes, shumë i shpejtë, me një teknikë të mirë dhe me një goditje të saktë dhe befasuese, Mustafaraj kishte tërhequr vëmendjen e specialistëve të kohës. I madhi Panajot Pano ishte një nga mbështetësit më të mëdhenj të tij, sepse “te Vili shikoj disa nga cilësitë e mia më të mira”, thoshte ai. Në fakt, problemi ishte se Vilsoni ishte me një veshkë, pasi kur kishte qenë i vogël i ishte dëmtuar njëra veshkë dhe mjekët ishin detyruar të kryenin një operacion për ta hequr.

Për largimin e tij nga skuadra pati polemika të shumta, pasi disa mjekë mendonin se mungesa e veshkës nuk e pengonte Vilin për të luajtur futboll, por pjesa tjetër, sidomos ato që do të hidhnin firmën, ishin kategorikisht kundër aktivizimit të tij. Sigurisht, ai që u ndie më keq në këto momente ishte Vilsoni, i cili kishte një pasion të jashtëzakonshëm për futbollin. Në fakt këtu kishin marrë fund ëndrrat e një talenti. Një dëshpërim të madh patën edhe prindërit. Nuk munguan edhe ndërhyrjet e dajës së tij, artistit të madh Besim Zekthi, i cili në emër të familjes insistonte që Vili të vazhdonte futbollin, pasi gjithçka që mund të ndodhë me shëndetin e tij, përgjegjësinë do ta mbante familja. Por, mjekët ishin kategorikë. Vilson Mustafaraj jo vetëm që nuk do të luante me përfaqësuesen U-18, por duhet t’i thoshte lamtumirë edhe Partizanit. Kur e pyet edhe sot trajnerin e tij, Neptun Bajko, të thotë: “Një fatkeqësi. Vili ka qenë një nga talentet më të mëdha që kam stërvitur. Do të kishte me siguri një të ardhme të ndritur”.

Nga Demollari te Kushta

Pas seleksionimit dhe përcaktimit të grupit të skuadrës, përgatitjet vazhduan me intensitet. Me kalimin e ditëve filloj të konturohej edhe formacioni bazë, në qendër të të cilit do të ishte i padiskutueshëm më “i vogë- li” i skuadrës, Sulejman Demollari, i cili dallohej mbi të gjithë. Prandaj Sulës iu besua jo vetëm organizimi i lojës, por edhe detyra e kapitenit. Në mbështetje të tij, në mesin e fushës do të ishte Mirel Josa, një çift ky që në vitet e ardhshme do luante me mjaft sukses edhe në skuadrën përfaqë- suese. Ndërsa, besimin për të udhëhequr sulmin e fitoi Sokol Kushta, për të cilin Agron Sulo, trajneri që e kishte zbuluar dhe që kishte filluar ta aktivizonte te skuadra e parë e Flamurtarit, vinte bast se “Sokoli do të bëhej një nga sulmuesit më të shquar të futbollit shqiptar”.

Por jepte edhe një porosi: “Të tregohet kujdes me të, pasi Sokoli ka edhe një karakter prej rebeli. Është një lab i vërtetë”. Historia tregoi se i paharruari Agron Sulo, nuk kishte gabuar. Me kalimin e ditëve, grupi i trajnerëve konstatonte se një nga problemet më të mëdha ku çalonte skuadra ishte qendra e mbrojtjes. Zgjidhjen e dha Bahri Ishka, i cili u propozoi kolegëve të tij, që në rolin e mbrojtësit të qendrës të provohej Skënder Gega, djaloshi tropojan që në ato kohë ishte nxënës i shkollës së futbollit dhe në skuadrën e “Shkëndisë” që përfaqësonte atë, luante në rolin e qendërsulmuesit, duke qenë edhe një nga shënuesit më të mirë të kampionatit të të rinjve. Prova doli me sukses. Ky moment do të ndryshonte edhe rrjedhën e karrierës së Skënder Gegës, i cili në vitet e mëpasshme jo vetëm do të ishte një nga pikat më të sigurta të mbrojtjes së Partizanit, por do të lunte me sukses edhe në skuadrën përfaqësuese të Shqipërisë.

Prova e së vërtetës

Më në fund, më 10 mars 1982, do të vijë prova e së vërtetës. Përballë të rinjve të Shqipërisë do të ishin moshatarët e Qipros. Në stadiumin “Qemal Stafa”, të mbushur me spektatorë gati në kapacitetin e tij maksimal, skuadra U-18 e Shqipërisë do të luante një ndeshje historike, pasi ishte ndeshja e saj e parë për Kampionatin Europian të U-18. Emocionet ishin të mëdha, sidomos te futbollistët, pasi ata do të ishin të parët që do të përfaqësonin vendin e tyre në këtë kompeticion të rëndësishëm të futbollit europian. Peshën e ndeshjes e ndjenin edhe drejtuesit. Para ndeshjes trajneri Ishka ishte i tensionuar. “Jemi përgatitur shumë për këtë takim. Kam besim te djemtë, por kam vetëm një frikë. Mos i tradhtojnë emocionet”.

Por, në fushën e lojës gjithçka u zgjidh shumë shpejt nga ana e djemve tanë. Që në minutat e para, kapiteni Demollari, jo vetëm që do të udhëhiqte skuadrën, por do të tregonte talentin e tij duke shënuar dy gola dhe duke i hapur rrugën skuadrës për të korrur një fitore të thellë. Më pas do të vijë një autogol i qipriotit Zaharias, ndërsa në pjesën e dytë Sokol Kushta me një predhë do të vulosë fitoren përfundimtare 4-0. Ishte hedhur një hap i madh për të shkuar në finalet e Kampionatit Europian. Të gjithë janë të gëzuar. Pas katër javësh skuadra do të udhëtojë për në Qipro, ku më 7 prill 1982 do të zhvillojë ndeshjen e kthimit. Pas fitores së thellë në ndeshjen e parë, në skuadër, sidomos te futbollistët, ka entuziazëm. Më të rezervuar janë trajnerët, pasi e dinë se kanë në dispozicion një grup të rinjsh, që për herë të parë dalin jashtë vendit dhe do të luajnë në një kompeticion kaq të rëndësishëm. Pastaj edhe udhëtimi do të jetë i lodhshëm, pasi nga Tirana deri në Athinë do të shkohet me autobus dhe më pas do të merret avioni për në Qipro.

Njëfarë tensioni dhe emocioni vihej re edhe te ndonjë nga futbollistët. Më shumë këto dukuri u panë te portieri kavajas, Sotir Shkurti, i cili gjatë gjithë udhëtimit qëndroi në pjesën e fundit të autobusit, dhe përveç tutave mbante veshur edhe një xhup të trashë, duke iu thënë shokëve se vishem kështu se “kam shumë ftohtë”. Pas një udhëtimi prej diçka më shumë se një ore, avioni i linjës “Olimpik” do të ulej në aeroportin e Larnakës, qytet në të cilin do të zhvillohej edhe ndeshja. Qipriotët i rezervuan skuadrës tonë një pritje shumë të mirë, duke e vendosur atë në një nga hotelet më të mirë. Hoteli sapo ishte ndërtuar dhe ndodhej në një nga plazhet më të mira të vendit. Në realitet në ato vite sapo kishte filluar të ulej diçka tensioni, që ishte krijuar në Ishullin e Qipros, pas pushtimit të pjesës veriore të saj nga Turqia në vitin 1974. Një fakt të tillë e thanë edhe drejtuesit e Federatës së Futbollit, të cilët deklaruan se “ndeshjen kishim dëshirë ta zhvillonim në Nikosia, ku kemi edhe stadiumin më të mirë, por situata që është atje nuk na e lejon një gjë të tillë”. Ata nuk pranuan edhe kërkesën e drejtuesve të skuadrës, që ata të bënin një vizitë në Nikosia, që ndodhej jo shumë larg Larnakës. Sipas programit u kërkua që skuadra të kryente një seancë stërvitore. Qipriotët u përgjigjën menjëherë. Befasia ishte e madhe.

Fusha ishte pa bar, e zhveshur dhe sipër saj ishte hedhur një shtresë rëre. Kur trajneri Ishka u kërkoi vendësve që stërvitja të zhvillohej jo në këtë fushë, por në fushën ku do të luhej ndeshja, u ndodh përpara një të papriture të madhe: “Këtu do të luhet”, i thanë, “pasi kjo është fusha më e mirë në Larnaka”. Në fakt, ai ishte një impiant sportiv me vetëm pak shkallë për spektatorët dhe me kushte shumë modeste. Të nesërmen, më 7 prill 1982, skuadra jonë doli në fushën e lojës gati me të njëjtin formacion që kishte luajtur në Tiranë. Ndryshimi i vetëm ishte në portë, ku në vend të kavajasit Guga, luajti një tjetër portier i Besës, Sotir Shkurti. Interesimi nga vendësit ishte shumë i vogël. Nuk ndodheshin më shumë se 200 spektatorë. Duke pasur sigurinë e katër golave të shënuar në ndeshjen e parë, futbollistët tanë zhvillojnë një pjesë të parë të kujdesshme, duke u përpjekur që më shumë të mbajnë lojën nën kontroll. Në pushim, trajneri Ishka insistoi që ndeshja duhet të fitohej, prandaj skuadra duhet të ishte më agresive dhe të sulmonte më shumë. Qëllimi ishte për të kërkuar më me insistim golin. Por, në fushë ndodhi e kundërta. Që në fillim të pjesës së dytë, duke përfituar nga disa gabime të mbrojtjes tonë, qipriotët shënojnë dy gola. Tanët tronditen. Por, në fund gëzojnë dhe festojnë, pasi fitorja 2-0 nuk i mjafton Qipros për të përmbysur humbjen e thellë të pësuar në Tiranë.

Festa dhe… avioni

Në darkë djemtë festuan. Në fund të fundit objektivi i caktuar ishte arritur. Shqipëria ishte kualifikuar për në turneun final të Kampionatit Europian U-18, turne i cili do të zhvillohej gjatë muajit maj në Finlandë dhe në të cilin do të merrnin pjesë 16 skuadra. Entuziazmi i djemve ndihej edhe gjatë rrugës së kthimit, gjatë të cilës ata ishin shumë më të çliruar. Bile në momentin që avioni “Boeing” do të ulej në Athinë, në bordin e të cilit ishin mbi 200 pasagjerë, ata i habitën të gjithë. Çfarë ndodhi? Gjatë udhëtimit të vajtjes, kur avioni takoi rrotat në pistën e aeroportit të Larnakës, të gjithë pasagjerët, sipas traditës të udhëtimit duartrokitën. Futbollistët tanë deshën të përsëritnin këtë rit gjatë uljes në Athinë dhe për t’u bërë protagonistë filluan të duartrokitnin disa minuta përpara se rrotat të takonin në pistë. Për këtë gjest nuk munguan edhe pasagjerët që i panë me nervozizëm, ndonjë lëshoi edhe ndonjë fjalë. Në fund të fundit, djemtë tanë nuk kishin faj. Për herë të parë po fluturonin me avion. Ishte edhe kjo një eksperiencë.

Sfidat në grup

Holandë, Skoci, Turqi dhe Shqipëri. Ky ishte një nga katër grupet e përcaktuar nga shorti i hedhur për fazën finale të Kampionatit Europian U-18. Një grup i vështirë, pasi djemtë tanë do të ndesheshin me fidanishten e famshme të futbollit të Holandës. Por, edhe me Skocinë, e cila në ato vite për të gjithë ishte një kockë e vështirë. Ndërsa, Turqia ishte diçka më e njohur për ne, pasi me turqit skuadrat tona ishin ndeshur disa herë në aktivitetet e ndryshme ballkanike. Përgatitjet për fazën finale vazhduan me një intensitet më të madh. Te të gjithë kishte entuziazëm, pasi për herë të parë Shqipëria do të përfaqësohej në finalet e një Kampionati Europian. Duke pasur parasysh se në Finlandë vështirësitë do të ishin shumë më të mëdha, drejtuesit kërkuan që në radhët e saj të bëheshin disa përforcime.

Pas diskutimesh, por edhe hezitimesh, më në fund Mehdi Bushati, i cili tregonte një kujdes të veçantë për plotësimin e të gjitha kërkesave të skuadrës, dha dritën jeshile për afrimin e disa futbollistëve, të cilët ishin pak mbi moshën e lejuar. Në realitet, kjo ishte një shkelje e rregullave të UEFA-s, të cilën drejtuesit e futbollit tonë e patën përdorur disa herë vite më parë edhe në Kampionatet Europiane U-23. Skuadra u përforcua në sektorin ku ndiente më shumë nevojë, në mbrojtje. Pranë saj erdhën Hysen Zmijani i Vllaznisë dhe Adnand Ocelli i Partizanit. Më 21 maj 1982 Shqipëria do bënte debutimin e saj në finalet e Kampionatit Europian U-18. Përballë Skocia. Kjo e fundit do të fitojë me rezultatin e thellë 3-0.

Në realitet, tanët zhvilluan një ndeshje të dobët, pasi jo vetëm që patën shumë emocione, por nuk mundën të përballonin dinamizmin dhe presingun e vazhdueshëm të skocezëve. Në realitet, skocezët nuk do të surprizonin vetëm Shqipërinë, por do të ishin surpriza e madhe e vetë Kampionatit Europian, pasi në përfundim të tij do të varnin medaljet e arta në qafë, duke mundur në ndeshjen finale 3-1 Çekosllovakinë. Për Skocinë ky është një titull historik, pasi është i vetmi që një skuadër përfaqësuese e këtij vendi ka mundur të fitojë në turne europian apo botëror. Në ndeshjen tjetër të grupit, Holanda do të fitojë 3-1 me Turqinë. Në ndeshjen e dytë, më 23 maj, tanët do të ndeshen me Holandën. Takimi do të ndiqet edhe nga një vëzhgues i veçantë, trajneri i dytë i Skocisë, Valter Smith. E ka dërguar trajneri Andy Roksburg për të studiuar holandezët, me të cilët skocezët do të ndesheshin në ndeshjen e fundit, ndeshje nga e cila do të përcaktohej vendi i parë në grup. Sipas rregullores, vetëm fituesja e grupit kualifikohej për më tej, duke shkuar direkt në gjysmëfinale. Tanët luajnë më mirë se në ndeshjen e parë dhe arrijnë të shënojnë edhe një gol me anë të Sokol Kushtës, por në fund duhet të pranojnë superioritetin e Holandës, e cila fiton me rezultatin 3-1.

Interesant është raportimi që Valter Smith do t’i bëjë trajnerit Roksburg për këtë ndeshje, pasi në ndeshjen e saj Skocia kishte fituar 2-0 me Turqinë. Midis të tjerave ai do t’i thotë: “Do ta kemi shumë të vështirë për të përballuar skuadrën holandeze, pasi ajo kishte në përbërje të saj futbollistë të një klasi shumë të lartë. Mbi të gjithë dallohej qendërsulmuesi i tyre, i cili ishte i papërmbajtshëm dhe e gjente golin me lehtësi. Por kemi një avantazh, pasi diferencën e golave e kemi më të mirë, prandaj në ndeshjen direkt na mjafton edhe barazimi”. Në realitet, Valter Smith, komenti i të cilit është botuar në një shkrim të BBC kushtuar 30-vjetorit të suksesit skocez në Finlandë, kishte të drejtë, pasi atë ditë djemtë tanë kishin pasur përballë emra, që vetëm disa vite më pas do t’i jepnin Holandës titullin e kampiones së Europës, pasi në finalen e vitit 1988 do të fitonin 2-0 me Bashkimin Sovjetik. Ndërsa, qendërsulmuesi holandez për të cilin flitej, ishte as më shumë e as më pak, por ai që quhej Marko van Basten, një nga yjet e ardhshëm të futbollit botëror. Ndeshjet e fundit në grup, ato Skoci-Holandë dhe Shqipëri-Turqi përfundojnë që të dyja në barazim, me të njëjtin rezultat 1-1.

Si rrjedhojë Skocia renditet e para në grup dhe do të vazhdojë rrugën për fitoren finale. Strategu i fitores skoceze ishte Andy Roxburgh, i cili më pas nga viti 1986 e deri më 1993 do të drejtonte me sukses përfaqësuesen e Skocisë, të cilën do ta kualifikojë për në finalet e Botërorit 1990 dhe Europianit 1992. Në vitin 1994 Roxburgh do të fillojë të punojë në UEFA, në detyrën e rëndësishme të drejtorit teknik, post të cilin do ta mbajë deri në vitin 2012. Vite më parë, në një takim që Andy Roxburgh ka pasur me ish-sekretarin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Eduard Dervishi, midis të tjerave i ka thënë: “Gjithnjë i kujtoj shqiptarët, pasi një gol i juaj më ka ndihmuar shumë gjatë karrierës time”.

Këtu përfundon “aventura” e debutimit të Shqipërisë në Kampionatin Europian Under 18. Një paraqitje e cila u konsiderua e suksesshme jo vetëm nga drejtuesit tanë, por ajo u vlerësua me nota pozitive edhe nga specialistët europianë. Në fakt në skenë kishte dal një brez, një pjesë e të cilit në të ardhmen do të përfaqë- sonte me shumë dinjitet futbollin tonë në arenën ndërkombëtare. Vetëm një vit më pas, pasi do të zinte vendin e parë në grup, duke sfiduar Gjermaninë Perëndimore, Austrinë dhe Turqinë, Shqipëria e udhëhequr nga një timonier si Sulejman Demollari do të shkonte deri në çerekfinalet e Kamoionatit Europian Under 21, ndërsa kur përfaqësuesja jonë më 22 Dhjetor 1984 në “Qemal Stafa” do të fitonte 2- 0 ndaj Belgjikës, në një ndeshje të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror, në shtypin më të njohur sportiv botëror të kohës do të shkruhej me të madhe: “Surpriza Shqipëri, kandidate për Meksikë ’86.

Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet riprodhimi i pjesshëm apo i plotë pa lejen e gazetës.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"