Kombëtarja U-18 e basketbollit e mbyll Europianin me fitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 7, 2017 | 12:03

Kombëtarja U-18 e basketbollit e mbyll Europianin me fitore

Shqipëria e U18-ës në basketboll për djem, e mbyll në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën europiane, Divizioni B në Talin të Estonisë. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Mired Jani, bënë “bis” këtë edicion duke mposhtur dje Azerbajxhanin 56-69, në ndeshjen e vlefshme për vendin 21-22, duke përsëritur suksesin e një dite më parë me Irlandezët.

basketboll

Shqipëria ka qenë gjatë gjithë kohës në avantazh, duke mos e vënë për asnjë moment në pikëpyetje këtë triumf. Përfaqësuesja jonë krijon shkëputjen që në periodën e parë 12-6, 15-10 duke e fituar 15-12. Ndërkohë, perioda e dytë do të ishte edhe ajo e “nokautit” për azerët që dorëzohen në shifrat e thella 17-8.

Në fundin e pjesës së parë, Haruni udhëheq të tijtë me një epërsi luksi të 12 pikëve (20-32), duke i çuar në dhomat e zhveshjeve të karikuar. Azerët tentojnë me rikthimin në parket duke ngushtuar rezultatin një moment në -5 pikë (27-32), por ky është thjesht një “alarm fals”. Shqipëria u përgjigjet “blic” dhe thellojnë sërish shifrat 29-41, 33-46, 35-51 e duke bërë njëherësh detyrën edhe në këtë pjesë loje, ndonëse me rezultatin të ngushtë 17-19.

Azerët ngushëllohen me fitimin e periodës së katërt e përmbyllëse të këtij Europiani 19-18, por e pamjaftueshme për ta kthyer paraditen në favorin e tyre. Krejt ndeshja përfundoi me festën e merituar të kuqezinjve të vegjël 69-56, falë dyshes protagoniste Berati-Haruni, nga 17 pikë të realizuara secili. Lojtari më efektiv nga radhët e Shqipërisë ishte Hysa, autor i 13 pikëve, 9 topave në tabelë dhe 8 asisteve.

Një përqafim dhe përshëndetje “fair play” mes lojtarëve dhe stafeve respektive i jep fund edhe kësaj pjesëmarrje të basketbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Padyshim ka nevojë për një analizë të thellë për atë çfarë demonstruan lojtarët në fushë e jo të mbyllet në heshtje.

OLGERT SERANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"