Shpresa mbyll zborin me humbje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 28, 2013 | 12:39

Shpresa mbyll zborin me humbje

shpresaShqipëria U-21 – Drenica 0-2
GOLAT: Hyseni 39′, F.Barjaktari 58′
SHQIPËRIA U-21: Kaloshi, Dita, Marku, Vogli, Imami, Deliallisi, Dema, Peposhi, Hasa, Guni, Morina. (U aktivizuan: Hysenbelliu, Shkaba, Qëndro, Naçi, Abdurrahmani, Petro, Nela, Xhani, Trashi). Trajner: S.Gega
DRENICA: Sadiku, Haklaj, Geci, Rrahmani, Llapashtica, F.Barjaktari, B.Bajraktari, Bolqi, Maxhuni, Cekja, Hyseni. (U aktivizuan: Cuci, Shkërpulla). Trajner: T.Lushtaku

Kombëtarja U-21 e ka mbyllur “zborin” treditor me një humbje të pastër, 2-0, në miqësoren që zhvilloi dje në Durrës kundër ekipit kosovar të Drenicës. Ndeshja u luajt në aneksin e stadiumit “Niko Dovana”, teksa kosovarët u treguan më të qartë në lojën e tyre. Të përzgjedhurit e Gegës kanë zhgënjyer, ndërsa Drenica, e cila mban vendin e fundit në kampionatin kosovar, përveç rezultatit të pastër, bindi edhe me lojë. Kosovarët zhbllokuan rezultatin në minutën e 39-të me anë të sulmuesit Hyseni, ndërsa në të 58-ën minutë dyfishuan me Bajraktarin. Kuqezinjtë e rinj patën disa raste për shënim, porse nuk arritën t’i shfrytëzonin përpara portës.
Loja – Takimi nisi mjaft i vrullshëm nga të dyja skuadrat, ndërsa nuk munguan edhe rastet për shënim. Kanë qenë kuqezinjtë, të cilët lëshuan shkëndijën e parë, duke bërë presion me Morinën, Deliallisin dhe Hasën. Ndërkohë, edhe kosovarët kundërpërgjigjen me të njëjtën monedhë, ku Çekaj dhe Hyseni krijuan mjaft hapësira në mbrojtjen e U-21. Pas disa sulmesh të njëpasnjëshme, Drenica kalon në avantazh me anë të Hysenit. Ky i fundit përfiton nga një gabim në mbrojtjen kuqezi dhe me një goditje të saktë e dërgon topin në rrjetë. Trajneri Gega e nuk pranon kurrsesi rezultatin dhe i urdhëron të tijtë të bëjnë më shumë. Që nga ai moment kuqezinjtë e rinj krijuan disa raste me Morinën, Gunin e Hasën, por sulmet e tyre u thyen me mjaft lehtësi nga mbrojtja kosovare. Kjo e fundit ishte vendosur mjaft mirë dhe la pak hapësira për sulmuesit kuqezi. Pjesa e parë është mbyllur me rezultatin 0-1. Ndërkohë që e dyta ka nisur me ndryshime të shuma në radhët e kuqezinjve jo vetëm në formacion, por edhe nga ana taktike. Gega hedh në fushë pothuajse një skuadër tjetër në krahasim me atë të pjesës së parë. Nga ana tjetër kosovarët nuk është se nxituan për të bërë ndryshime, ndërsa mendonin më seriozisht për rezultatin dhe mundoheshin të ruanin avantazhin. Minutat e para të 45-minutëshit të dytë ishin të qeta dhe u luajt më shumë në mesin e fushës. Megjithatë kosovarët gjejnë forca për të shënuar golin e dytë. Këtë herë është F.Bajraktari, i cili brenda zone nuk gabon, ku me një goditje mjaft të kalibruar bën që portieri kuqezi të detyrohet ta nxjerrë sërish topin nga rrjeta. Aktivizimi i talentit Hysenbelliu dhe Abdurrahmanit ndryshoi lojën, por gjithsesi rezultati mbeti me të njëjtat shifra deri në fund.

Gega, i zhgënjyer me ekipin
Tekniku i kuqezinjve, Skënder Gega, nuk ka mbetur i kënaqur nga forma që lojtarët e grumbulluar prej tij kanë treguar gjatë këtyre tri ditëve. “Nuk jam i kënaqur as me lojën dhe as me formën që treguan lojtarët. Shpresoj që deri në ndeshjen zyrtare të radhës të kemi një skuadër të denjë për t’u përballur si e barabartë me kundërshtarët. Këtë herë kemi grumbulluar vetëm lojtarë që luajnë në Shqipëri, por jam shumë i zhgënjyer me një pjesë të tyre”, – u shpreh Gega pas ndeshjes për gazetën.

Lushtaku: Kjo fitore më kënaq
Trajneri i skuadrës kosovare të Drenicës, Tahir Lushtaku, është shprehur i kënaqur nga fitorja e arritur. “Zhvilluam një ndeshje mjaft të mirë. Lojtarët bënë të mundur që ta interpretonim në mënyrë perfekte dhe si përfundim morëm atë që dëshironim. Prej më shumë se dhjetë ditësh skuadra është grumbulluar në Durrës, ku po zhvillon edhe fazën përgatitore. Jam shumë i kënaqur me fitoren e marrë ndaj ekipit Shpresa dhe shpresoj që të vijojmë me të njëjtat ritme”, – theksoi trajneri Lushtaku.
Leonidha Musaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"