Kombëtarja më zhgënjeu, 90% e ekipit luan sipas dëshirës. Situata është shqetësuese dhe alarmante

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 7, 2022 | 23:08

Kombëtarja më zhgënjeu, 90% e ekipit luan sipas dëshirës. Situata është shqetësuese dhe alarmante

OPINION NGA NEPTUN BAJKO
Një ndeshje si kjo më jep të drejtën që ta gjykoj për të dyja pjesët veçmas. Rrallë ndodh një vlerësim i tillë, por Kombëtarja në fakt bëri një paraqitje në kufijtë e paradoksales…

berisha

PJESA E PARË
Ekipi pati një vendosje të mirë në fushë, u treguan tepër të kujdesshëm në lëvizjet me top e pa top dhe në shumë raste loja me një takim, pra pa mbajtje të tepruar të topit, ishte e kënaqshme, në veçanti në krahun tonë të djathtë. Ndoshta nga forma shumë e mirë e Balliut dhe Abrashit. Kjo e detyroi ekipin që të luante gati tërësisht në krahun e djathtë. Një lojë e tillë, e mbështetur edhe nga të tjerët e vunë në vështirësi Islandën, duke krijuar situata shumë të mira dhe kombinime të sakta, jo vetëm midis Balliut, Abrashit dhe Çekiçit, por në të njëjtën kohë edhe me dy sulmuesit.

seferi

Cikalleshi dhe Seferi nuk ranë shumë në sy, por me lëvizjet e tyre pa top brenda zonës së rreptësisë e vunë vështirësi mbrojtjen kundërshtare. Edhe goli ishte një përpunim mjaft i mirë dhe një ndjekje me intuitë e aksionit, duke përfituar edhe nga gabimi i portierit islandez. Dua ta theksoj se Seferi realizoi një gol shumë të vështirë. Pse? Sepse ishte një pozicion i tillë që topi mund të përplasej te portieri, në shtyllë ose edhe të ikte në drejtim horizontal pa u futur në rrjetë. Gjithashtu, duhet të vë në dukje lojën e mirë të Berishës, sepse në dy aksione u bë shpëtimtar i golave të sigurt. Kjo i dha siguri ekipit, që për 45 minutat e para të luante edhe me personalitet deri diku të mjaftueshëm, që ndihmoi skuadrën ta kishte mendimin të saktë për të arritur sukses. Në këtë aspekt, edhe mbrojtja bashkë me mesfushorët, ndonëse ishin më të lehtësuar nga veprimet sulmuese të islandezëve, u munduan të ndihmonin në veprimet sulmuese, sidomos Gjimshiti. Por nxitimi dhe mungesa e pasimit të fundit nuk e shtuan presionin ndaj portës.

PJESA E DYTË
Për fat të keq, nuk kam asnjë fjalë të mirë. Jo vetëm që ekipi u zgjat në gjithë fushën, por luajtën me një mendjelehtësi, sikur gjithçka kishte përfunduar dhe ne zotëronim edhe lojën, edhe rezultatin. Gabimet erdhën si pasojë e mentalitetit të gabuar me të cilin ekipi u fut në pjesën e dytë. Rasti më flagrant është pësimi i golit, ku jo vetëm që mbrojtja nuk kishte rreshtimin e duhur, por u gjend kaq e çekuilibruar, çka solli edhe pësimin e golit. Që nga ky moment loja e skuadrës tonë u zbeh, nuk u pa një lojtar që të merrte situatën në dorë. Veprimtaria e gjithanshme e Abrashit dhe Balliut çoi në lodhjen e këtyre të dyve jashtë mase dhe rendimenti në tërësi ishte tepër i ulët nga ana e skuadrës.

berisha gjimshiti

Për shkak të këtij paniku u panë gabime elementare në pasime. Skuadra filloi të luante me kokën ulur, që ishte një sinjal se lodhja fizike po ndikonte në atë psikologjike. Unë mendoj se duke vënë në pah të metat e pjesës së dytë, një situatë e tillë duhet të analizohet me qetësi dhe profesionalizëm. Dihet që lojtarët në këtë fund sezoni janë të lodhur, prandaj edhe trajnerët duhet të ndërhyjnë shpejt dhe saktë për të evituar situatat që u panë dje në pjesën e dytë. Për fat të keq, trajneri ndërhyri me shumë vonesë. Jo vetëm kaq, por lojtarët që u futën nuk korrigjuan asgjë nga gabimet e mëparshme. Ata ishin pothuajse të gjithë të paqartë se ku do të luanin dhe çfarë do të bënin. Nuk kishin asnjë ide se si duhej ta sulmonin kundërshtarin. Ishin të gjithë të çorientuar.

Kjo është shqetësuese, është alarmante. E kuptoj se nuk ka ndeshje të lehta për askënd, por Islanda po bën rinovim të thellë. Vërtet ata luajnë futboll të pastër dhe me shumë dëshirë, por me gjithë respektin, nëse ne nuk tregojmë se jemi rritur as me një kundërshtar të tillë, atëherë më vjen keq, por ne vuajmë nga të njëjtat dobësi. Unë mendoj se 90 për qind të lojtarëve veprojnë sipas mendimit të tyre dhe aftësive të tyre. Ne nuk kemi ende një filozofi loje. Ta dimë që kjo është Shqipëria dhe luan me këtë sistem. Mirëpo, ne nuk kemi ende një sistem dhe varemi nga improvizime rastësore dhe te mbrojtja. Në momentin kur edhe prapavija gabon, Shqipëria futet në panik siç ndodhi edhe dje. Për fat të keq, nuk ka asnjë plan B që ekipi të mund të kapërcejë situatat e vështira.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"