Kombëtarja bën 6 ditë grumbullim në Spanjë para sfidës kualifikuese ndaj Portugalisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 19, 2014 | 11:32

Kombëtarja bën 6 ditë grumbullim në Spanjë para sfidës kualifikuese ndaj Portugalisë

Kombetarja-ne-stervitjeShqipëria do ta përgatisë nga Spanja ndeshjen e parë eliminatore për kualifikueset e “Euro 2016”-s kundër Portugalisë, që do të luhet më 7 shtator në stadiumin “Municipal de Aveiro”. Kombëtarja kuqezi do të grumbullohet më 1 shtator në qytetin e La Korunjës, aty ku do të stërvitet për gjashtë ditë. Trajneri Xhani de Biazi ka bërë këtë zgjedhje për shumë arsye. Një nga motivet më kryesore është afërsia gjeografike që ka qyteti i La Korunjës me vendin ku do të zhvillohet ndeshja. Burime në FSHF treguan dje për “Panorama Sport”, se e veçanta e këtij grumbullimi është që vetëm një ditë para ndeshjes skuadra do të udhëtojë me autobus drejt Portugalisë. Nga La Korunja deri në qytetin e Aveiros rruga zgjat tri orë e gjysmë dhe De Biazi ka qenë dakord që të mos përdorej avioni, përderisa vendi ku do të stërviten kuqezinjtë është shumë afër me qytetin ku do të zhvillohet ndeshja. Pas udhëtimit me autobus, ekipi do të grumbullohet në një nga hotelet e Avieros dhe më pas do të zhvillojë stërvitjen zyrtare në stadium. Në vitin 2009, kur kuqezinjtë luajtën në Braga ndaj Portugalisë dhe morën një rezultat historik (0-0), udhëtimi është bërë me çarter nga Budapesti për në Porto. Ndërkohë, gjatë qëndrimit në Spanjë mësohet se Kombëtarja do të zhvillojë një miqësore me një nga skuadrat vendëse, por emri s’bëhet i ditur.
Biletat – Tifozët shqiptarë që do të mbështesin Kombëtaren në Portugali mund të blejnë biletën në FSHF. Kjo e fundit ka njoftuar dje mediat se për të gjithë të interesuarit, duke filluar nga data 20 gusht deri më 31 gusht, biletat do të jenë të disponueshme pranë institucionit të futbollit. Biletat për tifozërinë shqiptare do të jenë të dy kategorive të ndryshme me çmimet respektive 10 dhe 20 euro. “Këshillojmë tifozët të blejnë biletat vetëm pranë FSHF-së dhe të mos paguajnë kosto ekstra, pasi çdo çmim tjetër do të ishte abuzim dhe shkelje ligjore, për të cilën FSHF nuk mban përgjegjësi”, bënte të ditur dje FSHF.

Priten sponsorë të rinj për kuqezinjtë
Të qenit në një grup me Serbinë, Portugalinë, Danimarkën dhe Armeninë ka zgjuar interesimin e shumë kompanive shqiptare për të mbështetur Kombëtaren në kualifikueset e “Euro 2016”-s, që nisin më 7 shtator me ndeshjen Portugali-Shqipëri. Burime në FSHF treguan dje për gazetën se sponsorët e kuqezinjve pritet të shtohen, teksa zyrtarizimi i tyre do të bëhet në ditët e para të muajit shtator. Ndërkohë, mësohet se me sponsorët aktualë do të rishikohen marrëveshjet, me ndonjë prej të cilëve mund edhe të mos ketë më bashkëpunim. Të njëjtat burime treguan se shumë kompani janë joshur nga fakti që Shqipëria do të luajë me Serbinë dhe duan të mbështesin Kombëtaren drejt synimit për kualifikim.
JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"