Kombëtarja e femrave U-19, Dede: Plan për afrimin e lojtareve nga jashtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 24, 2017 | 17:16

Kombëtarja e femrave U-19, Dede: Plan për afrimin e lojtareve nga jashtë

Trajneri i Kombëtares shqiptare për femra U-19, Nevil Dede, në një dalje para mediave zbardhi sot programin e grumbullimit të radhës si dhe objektivat e ekipit që drejton.

Nevil Dede konference

Dua të theksoj faktin që në këtë grumbullim rutinë janë marrë në konsideratë lojtaret e datëlindjeve 2000-2001-2002 për t’i parë realisht se çfarë forme dhe gjendje kanë. Nga Kosova këtë radhë do të jetë mbrojtësja Albina Zyba, teksa edhe një futbolliste tjetër ka pranuar të luajë me Kombëtaren shqiptare, por për këtë fazë stërvitore ishte e dëmtuar dhe nuk mundi të vinte. Duhet të shohim vajzat me moshë të vogël. Duhet të jemi gati ta furnizojmë ekipin me elemente të reja”, deklaroi 42-vjeçari.

Ndryshe nga herët e tjera, në këtë grumbullim bie në sy fakti që shumica e vajzave vijnë nga kampionati shqiptar. Dede sheh me optimizëm drejt të ardhmes, pasi në Kombëtaren aktuale të 19-vjecareve është zgjeruar gjeografia e skuadrave nga ku vijnë futbollistet e grumbulluara. “Duhet të jemi realistë për nivelin dhe futbollin e femrave në Shqipëri. Kampionati zhvillohet me një subvencionim të FSHF-së. Vllaznia është absolute, kurse ekipet e tjera konkurrojnë. Kampionati na shërben, sepse është baza për skuadrën U-19. Nga Apolonia vijnë 7 futbolliste, ndërsa janë të shumta ekipet që po investojnë”, theksoi trajneri.

Një tjetër mundësi për të pasur një skuadër konkurruese janë prurjet nga jashtë trevave shqiptare. Fëmijët e emigrantëve shihen si një mundësi për të përmirësuar ndjeshëm ekipin, teksa në funksion të tyre është miratuar edhe një buxhet. “Tani mendoj që fëmijët e emigrantëve shqiptarë në Europë mund të bëhen furnizues të ekipit, ashtu si dhe futbollistet e kampionatit. Shpresojmë që në një grumbullim me Armir Grimën në qershor mund të zgjerojmë organikën dhe numrin e lojtareve. Deri një vit më parë funksiononte me informacione dhe ka pasur disa prurje, ndërsa tani, me miratimin e buxhetit të ri, mund të bëjmë seleksionime në vende të ndryshme”, nënvizoi Nevil Dede.

Në këtë listë spikat portierja Meriem Isa, e cila vjen nga Suedia dhe aktivizohet me ekipin e Rozengardit. Parashikohet që në këtë grumbullim të ketë edhe një ndeshje miqësore, ndërsa grumbullimi i radhës do të jetë në datat 8, 9 dhe 10 maj.

Lista e futbollisteve të grumbulluara

Kombetarja U-19 femrat lista

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"