Kombëtarja, Bunjaki kritika ndaj De Biazit për kosovarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 17, 2014 | 22:17

Kombëtarja, Bunjaki kritika ndaj De Biazit për kosovarët

bunjaku-de-biazi-kryesoreTrajneri i përfaqësueses së Kosovës në futboll, Albert Bunjaki, e ka vlerësuar të nxituar dhe të dëmshme deklaratën e trajnerit të Kombëtares së Shqipërisë, Xhani de Biazi. Në prag të takimit të tyre të paralajmëruar për nesër në Tiranë, të dy trajnerët kanë hedhur “shigjetat” e tyre. E fundit është hedhur nga italiani, i cili ka reaguar në deklaratën e Bunjakit për bashkëpunim rreth punës së kosovarëve që ftohen rregullisht ose jo në Kombëtaren shqiptare. Pas kësaj, De Biazi ka dalë i prerë, duke thënë se “kosovarët e Kombëtares duhet të vendosin nëse do të luajnë me Shqipërinë ose Kosovën”. De Biazi nuk ka lënë rrugë tjetër, gjë që, sipas Bunjakit, mund të gjendet pasi, siç thotë ai, një gjë e tillë është arritur edhe me Suedinë e Norvegjinë. Bunjaki ka thënë se kjo nuk i kontribuon frymës së bashkëpunimit dhe se Kosova asnjëherë nuk ka kushtëzuar për asgjë deri më tani. “Mendoj se është një deklaratë e nxituar ajo e Xhani De Biazit. Më shumë po nxitet situata, sesa po bashkëpunojmë me kësisoj deklaratash. Përderisa ne po bashkëpunojmë me shtetet e tjera si Norvegjia, Zvicra, Finlanda, Suedia e disa të tjera dhe po i marrim lojtarët që i kanë rritur dhe formuar ata, nuk e kuptoj pse me Shqipërinë duhet të vendosë lojtari për atë që kërkon De Biazi se duhet të luajë vetëm për Kosovën apo vetëm për Shqipërinë”, ka thënë Bunjaki të premten për “Kohën Ditore”. “Liria e lojtarëve duhet të jetë më e madhe. Duhet të shihet si një mundësi pozitive e jo si pengesë. As unë, as De Biazi nuk mund t’i ndalim proceset. Edhe vendimet janë individuale e jo në grup. Secili lojtar e ka rrugën e vet dhe historinë e veçantë. Duhet të ketë një bashkëpunim më të madh”.
Situata Numri i lojtarëve kosovarë që janë aktualisht në ekipin A të Shqipërisë, por edhe në ato të grupmoshave të reja është shumë i madh. Madje, në ekipin A vlerësohet se baza e ekipit është me lojtarë nga Kosova, si Lorik Cana, Mërgim Mavraj, Valdet Rama, Migjen Basha, Alban Meha, Etrit Berisha, Shkëlzen Gashi e shumë të tjerë. “Fitili” kësaj pune i është futur kur Kosovës i janë lejuar miqësoret nga FIFA në fillim të këtij viti. Për ndeshjen e parë Kosova mori nga Shqipëria Samir Ujkanin e pakënaqur. Po ashtu, mori edhe Loret Sadikun që pritej të debutonte për Shqipërinë, në kohën kur luajti me Kosovën kundër Haitit më 5 mars. Pas kësaj, trajneri i Kombëtares premtoi se do të flasë kokë më kokë me secilin kosovar të Kombëtares pa nisur eliminatoret e ardhshme, për të parë disponimin e tyre nëse do t’i mbeten besnikë Shqipërisë. Në fakt, marrëdhëniet mes dy federatave ishin acaruar edhe më përpara se Kosovës t’i lejoheshin miqësoret, pasi trajnerë të grupmoshave të ndryshme të Shqipërisë në vazhdimësi kanë organizuar kampe grumbullimi në Kosovë, pa pyetur Federatën e Kosovës. Në këto kampe janë zbuluar disa talente kosovare, që sot luajnë për grupmoshat e reja të Shqipërisë. Bunjaki, që po përgatit ekipin për dy ndeshjet e radhës miqësore, atë kundër Turqisë më 21 maj në Prishtinë dhe atë kundër Senegalit më 25 maj në Gjenevë, thotë se Kosova gjithnjë ka përkrahur Shqipërinë, megjithëse, sipas Bunjakit, ka mundur t’i provokonte shumë dëme po të kishte dashur. “Qëndrimin tonë e dinë, ne jemi në përkrahje të Kombëtares së Shqipërisë. Në të njëjtën kohë realiteti jonë ka ndryshuar, pasi edhe ne tash jemi në procesin e krijimit të përfaqësueses sonë. Kosova i ka dhënë shumë Shqipërisë dhe do të vazhdojë t’i japë sa të ketë nevojë. Bashkëpunimi ynë nuk duhet të jetë vetëm me një urë, por të jetë autostradë. Takimi me De Biazin është i natyrës si me gjithë trajnerët e tjerë të përfaqësueseve. Mendoj që është përgjegjësi morale të kemi një takim të përbashkët”, ngul këmbë Bunjaki.

SADIKUKUELIDe Biazi në hall, një skuadër në infermieri
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, nuk e ka parë veten më keq se kaq në më shumë se dy vite në drejtim të skuadrës, kur vjen fjala për te mungesat. Po, pasi për ndeshjet e radhës, tri miqësoret e programuara për t’u luajtur në fund të majit dhe në qershor (më 31 maj luajmë ndaj Rumanisë, më 4 qershor ndaj Hungarisë dhe më 8 ndaj San Marinos) tekniku nuk do të ketë në dispozicion më shumë se një skuadër, duke filluar nga porta deri në sulm. Pjesa më e madhe janë lojtarë që janë dëmtuar rishtazi dhe, pas operacioneve, pritet të mungojnë për një periudhë të konsiderueshme kohe. Mirëpo, ka edhe futbollistë të tjerë, të cilët me gjasa mund të jenë pjesë e skuadrës (pa përfshirë këtu të larguarit), por që po kalojnë një periudhë të zymtë në klubet ku janë nën kontratë. Gjithsesi, ata që shqetësojnë më shumë janë Armando Sadiku dhe Ledian Memushaj. Që të dy këta lojtarë kanë të njëjtin problem, këputje të ligamenteve, dhe nuk do të mund të luajnë një ndeshje pa kaluar minimalisht 6 muaj. Sulmuesi u dëmtua gjatë ndeshjes Zyrih-St.Galen, ku pas vetëm 9 minutash lojë u detyrua të linte fushën. Ai është operuar dhe tashmë ka nisur fazën e rikuperimit (shihni foton), por gjithsesi do t’i duhet kohë për të qenë në dispozicion të trajnerit të Zyrihut dhe Kombëtares shqiptare njëkohësisht. E njëjta gjë edhe për Memushajn. Mesfushori u dëmtua më 5 maj në ndeshjen e Karpit ndaj Peskarës. Ndërsa një kohë më të paktë rikuperimi, fatmirësisht, kanë Migjen Basha dhe Jahmir Hyka, që të dy të operuar gjatë kësaj jave, por normalisht pritet t’i kalojnë pushimet verore në infermieri. Mbeten të dëmtuar, duke tentuar rikuperimin edhe Burim Kukeli, Vullnet Basha, Ilir Berisha dhe Taulant Xhaka. Ndërsa Odise Roshi ka pësuar një tërheqje muskulore dhe pritet të mungojë për rreth dy javë. Gjithashtu nuk po kalojnë momente të mira Jurgen Gjasula, Valdet Rama, Ahmed Januzi, Agon Mehmeti dhe Edgar Çani, të cilët kohët e fundit kanë qenë shpeshherë jo vetëm larg fushës, por edhe jashtë 18-shes.

BerishaPezullimi, Lacio kërkon zëvendësin e Berishës
Dënimi i mundshëm i Etrit Berishës nga FIFA (vendimi jepet më 12 ose 13 qershor) ka shtyrë drejtuesit e Lacios që të kërkojnë një zëvendësues për portierin shqiptar. Duke qenë se Marketi do të largohet përfundimisht nga klubi (drejt Milanit), drejtori sportiv Igli Tare ka shënjestruar portierin e Sandërlandit, në skadencë kontrate, Oskar Ustari. Ky i fundit mund të jetë në katërkëndorin e “çelestave”, në rast se Berisha, për shkak të problematikës që ka pasur me kontratën e firmosur vitin e shkuar, mund të pezullohet nga 3 deri në 6 muaj. Berisha pat firmosur një parakontratë në qershor të vitit të shkuar me Kievon, për të shkuar te kjo skuadër më 1 janar 2014. Por, më pas, kur i erdhi oferta e Lacios, gjeti si shkak faktin se kontrata e tij nuk ishte edhe në gjuhën shqipe, për ta konsideruar si të parregullt dhe kaloi në shtator te Lacio. Kjo gjë e shtyu Kievon që ta padiste në FIFA, nga ku tashmë pritet dhe vendimi. Portieri i dytë te Lacio (pasi të largohet Marketi) është vendosur shqiptari tjetër Thoma Strakosha, ndërsa i treti Guerrieri. Mirëpo, një pezullimi ndaj Berishës krijoi probleme, ndaj edhe Tare është vënë në lëvizje. Përveç Ustarit në shënjestër janë edhe Zeljko Bërkiç (Udinese) dhe Vladislav Stojanov (Ludogorets, Bullgari). Gjithsesi, Ustari mbetet zgjedhja e parë, kjo edhe për faktin se ka miqësi me mesfushorin e Lacios, Lukas Bilia.

MehaAlban Meha kryeson “Lojtari i Vitit”
Është viti i Alban Mehës. Pas rikthimit në fushë në fund të shtatorit 2013 (u dëmtua rëndë në maj të 2013-ës), mesfushori i Kombëtares shqiptare ka rritur ndjeshëm lojën e tij, duke bërë një sezon të jashtëzakonshëm me Paderbornin. Përveç 12 golave të shënuar dhe 3 asisteve; përveç konsolidimit në Kombëtaren shqiptare; përveç kontributit në ngjitjen për herë të parë në histori të skuadrës së Paderbornit në elitën e futbollit gjerman; përveçse ka qenë lojtari më i mirë dhe popullor për tifozët e kësaj skuadre; Meha tenton një tjetër arritje: çmimin e “Lojtarit të Vitit” në Bundesligën e dytë gjermane. Sipas uebsajtit “liga-zwei.de”, prej disa ditësh ka nisur votimi online, ndërsa fituesi do të publikohet më datë 25 maj, ora 18:00. Kandidatët për këtë çmim janë Timo Horn, i cili festoi kalimin në Bundesligën 1 me Këlnin, pas një sezoni shumë të mirë, Filip Klingman i Karlsruher, Simon Zoler i Kaiserslauternit, i cili në këtë rast ka fituar “betejën” verbale me Mërgim Mavrajn, duke hyrë në këtë listë si një nga mbrojtësit më të mirë, Uve Hunemejer i Paderbornit, si dhe Alban Meha. Kur kanë kaluar disa ditë nga votimi, mesfushori i Kombëtares shqiptare kryeson me 39.39% të votave. Pas tij vijnë me radhë, Timo Horn me 27.27%, Filip Klingman me 18.18%, Simon Zoler me 9.09% dhe Uve Hunemejer me 6.06% të votave. Kujtojmë se jo më larg se para dhjetë ditësh, Meha u shpall “Lojtari i Vitit” te Paderborni. Tifozët e kësaj skuadre bënë një sondazh në rrjetin social “Facebook”, ku Meha mori edhe pjesën më të madhe të votave.

Gashi “driblon” për merkaton: Kam kontratë
Shkëlzen Gashi është njeriu i momentit te Grasshopersi në Zvicër, ndaj për këtë arsye edhe interesimi i mediave është fokusuar pikërisht tek e ardhmja e tij. Nisur nga zërat e merkatos, “sport.ch”, thekson se do të jetë shumë e vështirë që Grasshopersi t’i mbajë të gjithë “yjet” e saj në organikë edhe për edicionin tjetër. Njëri që mund të largohet është Gashi, për të cilin ka pasur interes nga Italia dhe Gjermania. Mirëpo, i pyetur për këtë gjë, golashënuesi më i mirë në Zvicër (19 gola) ka “dribluar”, duke theksuar: “Unë kam edhe një vit kontratë me Grasshopersin, ndaj për momentin po shikoj vetëm përpara, pa bërë shumë llogari”.

Elseid Hysaj, e ardhmja drejt Bundesligës
Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, mbetet në qendër të merkatos së Empolit. Sipas “tuttomercatoweb”, me shumë gjasa, karriera e shkodranit të talentuar do të vijojë në Gjermani, aty ku ka klube që kanë shprehur interes për të. Trajneri i Empolit, Mauricio Sarri, kërkon që ta mbajë në skuadër, në rast të një ngjitjeje në Serinë A (me shuma gjasa do të ngjitet direkt, pasi është në vend të dytë në kampionat), por një ofertë e mirë financiare mund të bëjë që presidenti i klubit të heqë dorë nga Hysaj. Mbrojtësi 20-vjeçar u kërkua verën e shkuar edhe nga Lacio, e cila dha 1.8 mln euro për kartonin e tij, por Empoli kërkoi 3 mln euro.
LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"