Kombëtaret një makth, Sarri ngre dronët për të kuruar Juventusin. Ronaldo dhe trajneri “diktojnë” skemat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2019 | 11:07

Kombëtaret një makth, Sarri ngre dronët për të kuruar Juventusin. Ronaldo dhe trajneri “diktojnë” skemat

Bilanci i dy muajve të parë aktivitet i Juven tusit të Mauricio Sarrit është mbresëlënës, duke qenë se mes skuadrave të mëdha të Europës, vetëm bardhezinjtë janë ata që nuk kanë njohur humbje mes kampionatit dhe Ligës së Kampioneve, duke lënë kështu pas krahëve edhe gjigantë si Liverpuli, Mançester Siti, Bajerni i Mynihut, apo edhe Barcelona e Reali i Madridit.

juventus atletiko

Gjithsesi, pasi e pritën pauzën e kombëtareve duke vulosur një sukses shumë të madh në “San Siro” kundër Interit, i cili i garantoi edhe parakalimin në krye të renditjes, është pikërisht rikthimi nga pushimet e përfaqësueseve ai që i tremb bardhezinjtë.

“Zonjës së Vjetër” duket se i bën alergji ky fakt, duke qenë se në 9 daljet e para sezonale kanë regjistruar 7 fitore dhe 2 barazime, por pikërisht këto frenime kanë ardhur pas rikthimit të pauzës së shtatorit, kur fillimisht ngecën në Serinë A me Fiorentinën (0-0), ndërsa pak ditë më pas nuk arritën që të ruajnë avantazhin 2-0 në Madrid, ndaj Atletikos, në debutimin e tyre në Champions (takimi përfundoi 2-2). Këtë kompleks që Juventusin e ka shoqëruar shumë shpesh edhe gjatë periudhës në të cilën ishte trajneri Masimiliano Alegri në krye të skuadrës, e përndoqi Sarrin në ndalesën e parë, por trajneri aktual i torinezëve kërkon që ta thyejë këtë mallkim, duke nisur nga dueli me Bolonjën nesër në mbrëmje, në orën 20:45.

sarri juventus

DRONËT NË AJËR

Për të punuar sa më shumë me detajet që duhet ende të korrigjohen në mënyrën e re të lojës që kërkon trajneri 60-vjeçar, Mauricio Sarri është rikthyer që të ringrejë sërish mbi qiellin e “Kontinazës” dronët me kamera, për të parë dhe vlerësuar disa nga lëvizjet që ende i mungojnë grupit bardhezi.

Ndërsa skuadra zbriti në fushë, aspektet mbi të cilat mbajti shënime Sarri lidheshin sidomos me manovrat e mbrojtjes, pasi siç është stërthënë në këtë fillimsezoni, Matajs De Ligt nuk po arrin që të përshtatet ende siç duhet me Leonardo Bonuçin në krahë, por për teknikun e “Zonjës së Vjetër” holandezi do të vazhdojë që të jetë titullari në mungesë të Kielinit, pasi jo më kot për atë u shpenzuan 85.5 milionë euro, mes pagesës për Ajaksin (75 milionë) dhe komisionit për menaxherin Mino Raiola (10.5 milionë).

DIKTON RONALDO

Ajo që bëri shumë përshtypje gjatë seancës së djeshme te Juventusi, e cila pa të gjithë grupin në dispozicion, pas rikthimeve nga kombëtaret, ishte biseda e gjatë mes Mauricio Sarrit dhe Kristiano Ronaldos. Trajneri dhe fenomeni portugez artikulonin jo vetëm me fjalë, por edhe gjeste disa lëvizje që sidomos CR7 kërkonte në fushë.

SARRI RONALDO

Madje, për disa minuta, të dy së bashku vëzhguan, vlerësonin dhe diktonin disa skema dhe ide lojë, për të futur në ingranazhe, të cilat janë aprovuar me kokë edhe nga Sarri, pas këshillave të Ronaldos. Më pas portugezi vazhdoi normalisht stërvitjen, madje u pa jo vetëm shumë i relaksuar, por edhe shumë i motivuar, ndoshta edhe si rrjedhojë e arritjes së 700 golave. Gjithsesi, të 701-in Kristiano e ka gati për ta shkrepur, prandaj Bolonja të shtunën dhe Lokomotiva e Moskës (të martën në Champions), janë të paralajmëruara.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"