“Kombëtares i mungon lidershpi”, Fakaj: Skema nuk është e duhura. Ja objektivi i Shqipërisë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2019 | 23:17

“Kombëtares i mungon lidershpi”, Fakaj: Skema nuk është e duhura. Ja objektivi i Shqipërisë (E PLOTË)

Shqipëria do të luajë ndeshjen e radhës në transfertë përballë Turqisë nesër në orën 20:45 në Stamboll. Kundërshtari, me të cilin Panuçi e nisi edicionin e kualifikueseve me humbje dhe i shkaktoi shkarkimin, ka treguar një formë mjaft të mirë në ndeshjet në shtëpi, por për trajnerin aktual Edi Reja, kjo finale e fundit duhet fituar patjetër.

fakaj

 

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Ervin Fakaj skanon repartin e prapavijës, vlerëson formën e kuqezinjve, evidenton çfarë na duhet të bëjmë në të ardhmen dhe mbi të gjitha analizon përballjen e radhës. “Nuk na duhet patjetër fitore në Stamboll. Turqisë po”, shprehet ndër të tjera ish-futbollisti i Kombëtares.

Fakaj, në gjykimin tuaj, si vjen Kombëtarja në këtë përballje me Turqinë?

Pas fitores së fundit ndaj Islandës, vjen me më shumë shpresa. Sigurisht që do të përballemi me një ekip të klasit më të lartë e cila për më tepër luan në shtëpinë e vet. Por, unë besoj se në aspektin psikologjik ne jemi të avantazhuar. Pra, sipas meje, presioni bie mbi kundërshtarin.

Referuar statistikave, lojtarët shqiptarë kanë shënuar 22 gola kundrejt vetëm 7 nga turqit (me ekipet e tyre në kampionat ose Kupë). A është kjo forma e duhur e skuadrës për të tentuar rezultat?

Të gjithë sulmuesit tanë kohët e fundit, në përgjithësi, kanë pasur formë të kënaqshme. Pothuajse të gjithë, Balaj, Manaj, Cikalleshi madje edhe Sadiku që nuk është grumbulluar kanë shënuar gola në ekipet respektive. Por, duke pasur parasysh diferencën në nivel klubesh ku luajnë futbollistët tanë dhe ata turq, nuk besoj se këto statistika kanë rëndësi maksimale. Por, duhet theksuar se është shumë pozitive për ekipin tonë që sulmuesit tanë kanë pasur marrëdhënie të mirë me golin gjatë kohëve të fundit. Unë shpresoj që kjo gjë të reflektohet edhe në ndeshjet e ekipit kombëtar.

Kombetarja

Mungojnë Mavraj e Hysaj,futbollistë me shumë peshë, por sërish në ekip nuk ka alarm për këtë gjë. A është një luks i shtuar i Kombëtares për vetë kontingjentin që ka dhe që mbulon edhe mungesat e titullarëve?

Është e vërtetë që mungojnë lojtarë me eksperiencë në ekipin tonë kombëtar. Mirëpo, nëse i analizojmë si një e nga një, unë mendoj se Mavraj ka qenë një lojtar shumë i rëndësishëm për skuadrën tonë. Por, rrjedha e karrierës së tij në klube pati rënie të dukshme dhe për rrjedhojë ka humbur shumë terren në Kombëtare. Pastaj, mendoj se në këtë pozicion kemi mjaftueshëm lojtarë. Hysaj është mungesa e madhe, si në aspektin e cilësisë, edhe për faktin që si kapiten në kohët e fundit ishte duke marrë rolin e liderit. Aspekt që për fat të keq ekipi ynë kombëtar vuan shumë sidomos pas tërheqjes së Canës.

Pa harruar edhe lojtarë si Xhaka e Sadiku…

Po, janë të katërt me eksperiencë në Kombëtare. Sa i përket Xhakës, ai realisht e ka humbur vendin e vet si titullar në Kombëtare dhe mendoj se i duhet që të presë përsëri shansin e vet për të treguar që është i rëndësishëm për ekipin. Për Sadikun, me sa kam lexuar, ai mungon për arsye personale. Sigurisht që grinta dhe ego e tij për të shënuar na duhen gjithmonë, prandaj le të shpresojmë që do të jetë në ndeshjet e nëntorit.

Kemi sulmues që shënojnë rregullisht, mesfushë të rinovuar që dha sinjale të mira ndaj Islandës, një prapavijë të gjithën nga shkolla italiane. A ka arritur Shqipëria në nivele luksi, krahasuar me vetveten në të shkuarën?

Unë mendoj se nuk duhet të jemi euforikë, sepse na ka dëmtuar rregullisht kjo gjë. Sipas meje, jemi në fazë rinovimi të skuadrës ku alternativat nuk mungojnë. Megjithatë, unë them se kemi shumë punë të kthejmë entuziazmin e Europianit në “Euro 2106”, të forcojmë maksimalisht grupin dhe të kemi lidershipin e duhur brenda skuadrës sepse për momentin na mungon.

Fakaj, sipas jush, a ka shanse Shqipëria për kualifikim?

Përderisa matematika na e lejon, atëherë nuk ka asnjeri të drejtën që ta kundërshtojë që kemi. Edhe pse dihet që shkalla e vështirësisë është shumë e madhe. Duke filluar që nga ndeshja e Turqisë që duhet ta fitojmë, por duke pasur parasysh kundërshtarin me të cilin do të luajmë, për të qenë realistë shanset nuk janë shumë të mëdha.

Pra nuk kemi asgjë për të bërë?

Jo, ne duhet të shfrytëzojmë presionin që bie mbi turqit. Për ne nuk është obligim të fitojmë në Stamboll, ndërsa për ata po. Ne kemi për detyrë të renditemi të tretët në grup dhe të rinovojmë ekipin

Si një ish-mbrojtës, por edhe njohës i mirë i aktualitetit të Kombëtares, me kontingjentin aktual të mbrojtësve, Gjimshiti, Ismajli, Veseli, Dermaku dhe i riu Kumbulla, ju kë do përzgjidhnit për një ndeshje të tillë?

Kësaj liste do t’i shtoja pa hezitim dhe Herdi Prengën, i cili është duke zhvilluar një kampionat shumë të mirë. Pra kemi mbrojtës relativisht në moshë të re dhe me cilësi. Po të zgjidhja të preferuarit e mi, me siguri që do gaboja pasi të zgjedhësh më të mirët duhet të jesh me ta në fushë, t’i ndjekësh çdo minutë dhe prapë do të ishte e vështirë.

ervin fakaj

Pse?

Sepse në këndvështrimin tim, të gjithë mbrojtësit, plusminus, janë në të njëjtin nivel. Pak a shumë… Ajo që në opinionin tim ka pikëpyetje të madhe dhe unë e theksoj vazhdimisht, është vendosja me tre mbrojtës.

Çfarë doni të thoni që nuk është e duhura për Shqipërinë?

Në opinionin tim, nuk i kemi karakteristikat në disa pozicione për ta luajtur këtë sistem. Për më tepër, me këtë skemë, shumë lojtarë ofensivë të rëndësishëm na dalin jashtë loje.

Sipas jush, a meriton rinovimin trajneri Reja?

Po flisni me Ervin Fakajn dhe jo me presidentin e federatës (qesh…).

Po, me një ish-lojtar të Kombëtares që mund të ketë një opinion…

Unë nuk e kam të lehtë që të gjykoj për një trajner me kaq shumë eksperiencë në futbollin italian. Sigurisht që në punën e tij disamujore, ka ulje-ngritjet e veta. Reja e mori ekipin në situatë të vështirë dhe kishte shumë pak informacione rreth tij. Mendoj se një përgjigje më e saktë mund të jepet në dhjetor… Jo për të pritur rezultatet

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"