Kombëtare çudirash, Spanja shkëlqen dhe shkarkon trajnerin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2019 | 11:43

Kombëtare çudirash, Spanja shkëlqen dhe shkarkon trajnerin

Në një atmosferë vullkanike dhe me shumë hije trajnerësh të rinj që qarkullojnë për të marrë drejtimin e kombëtares, Spanja i dedikon Robert Morenos një simfoni me aromë lamtumire. Pak orë përpara se të fillonte ndeshja me Rumaninë, në Spanjë plasi si “bombë” lajmi se Robert Moreno do të largohet dhe nuk do të jetë më trajneri i kombëtares dhe në Europian do të ketë një tjetër “timonier”. 

Moreno-Ramos

Në këtë kombëtare “tërmetesh”, Luis Rubiales as nuk e ka idenë se kur fillon dhe kur mbyllet një cikël. Megjithatë, skuadra në fushën e lojës u përgjigj ashtu siç duhet dhe nuk u ndikua aspak nga lajmet që qarkullonin. Fitoi 5- 0, falë një pjese të parë spektakolare. Presion asfiksues, raste pa fund për gol dhe qarkullim topi i shpejtë. Spanja ishte një akademi futbolli. Nëse trajneri Robert Moreno nuk do të jetë në Europian, sulmuesi Gerard Moreno kërkon patjetër të jetë, sepse shënoi dy gola dhe është një nga zbulimet e këtij sezoni.

Santi Kacorla gjithash tu në pjesën e parë tregoi se është një lojtar shumë i rëndësishëm, për mënyrën se si luan dhe si e kontrollon topin. Por për t’i marrë me radhë, goli i parë u shënua nga Fabian Ruiz. Mesfushori i Napolit nuk gabon me portën e boshatisur pas një pritjeje jo të mirë të portierit Tatarushanu.

Moreno në fundin e pjesës së parë shënon dopietën dhe autogoli i Rus i çon shifrat në 4-0. Pjesa e dytë nuk dhuroi shumë gola dhe dukej sikur ndeshja do të përfundonte me këtë rezultat. Ishte Ojarzabal që në minutën e fundit shënoi golin e pestë. Me këtë fitore, Spanja është kokë grupi në Europian.

spanja

TENTOHET ENRIKE – Në ditën që Spanja luan më mirë se kurrë, federata merr vendimin për ta larguar. Kjo është çudia e futbollit. Luis Rubiales nuk i beson shumë Morenos dhe dyshon që mund të bëjë një Europian të mirë, prandaj kërkon një trajner me emër, me eksperiencë dhe që i ofron garanci për “Euro 2020”.

luis enrike

Nga zyrat e federatës bëjnë me dije se po punohet për një rikthim të mundshëm të Luis Enrikes, i cili u largua për shkak të problemeve që pati vajza e tij që u nda nga jeta. Raportohet se ai ka dhënë miratimin për rikthimin, por ditën e sotme do të ketë mbledhje dhe do të diskutohet më mirë strategjia e ndjekur. Me shumë mundësi, Moreno mund të qëndrojë në staf si ndihmësi i tij, ashtu siç ka qenë përpara se të merre drejtimin e skuadrës.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"