Koman mbyll vitin, Bajerni ofertë 68 milionë euro për zëvendësuesin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 26, 2018 | 12:35

Koman mbyll vitin, Bajerni ofertë 68 milionë euro për zëvendësuesin

Një start me fitore për Bajernin e Mynihut, por në lot për Kingslej Komanin pas një ndërhyrjeje brutale nga ana e kundërshtarit Niko Shulz. Sulmuesi francez ishte shumë fatkeq, duke qenë se atij i është diagnostikuar një këputje e ligamenteve të kaviljes së majtë, i njëjti dëmtim dhe në të njëjtën këmbë që e mbajti jashtë nga fusha e lojës për 7 muaj në sezonin e kaluar, duke bërë që ylli bavarez të humbte edhe pjesëmarrjen në Botërorin rus me kampionët e botës së Francës.

koman

Për 22- vjeçarin është urdhëruar ndërhyrja kirurgjikale, e cila do të zhvillohet sot. Duke qenë se edhe ky dëmtim është në të njëjtën kavilje të dëmtuar në sezonin e kaluar, atëherë kohët e rikuperimit në fushë priten të jenë minimalisht 6 muaj, por ndoshta një diagnozë më e saktë do të vijë vetëm pasi mjekët që do të marrin përsipër operacionin do të gjykojnë.

Dhe ndoshta, për të mos sforcuar më tej Komanin, ky sezon mund të quhet i mbyllur për të, edhe pse ndoshta rikthimi në fushë mund të vijë në shkurt ose mars të vitit 2019. Me pak fjalë, ky është një tjetër sezon për t’u harruar për Komanin.

SYNOHET MARSIAL

Klubi i Bajernit pa dyshim që nuk mund ta shtyjë të gjithë sezonin vetëm me dy anësorë ofensivë të moshuar si Frenk Riberi dhe Arjen Roben, ndonëse në këto pozicione mund të luajnë edhe David Alaba, duke u spostuar nga mbrojtja në fazën ofensive apo edhe blerja e re, Leon Gorecka, disa herë i eksperimentuar në një rol të tillë te Shalke.

marsial

Prandaj, deri më 31 gusht, kur mbyllet merkato në Gjermani, bavarezët do të synojnë një zëvendësues dhe emri që ata pëlqejnë njihet prej kohësh. Bëhet fjalë për një tjetër francez, Entoni Marsial, të Mançester Junajtid, për të cilin oferta zyrtare është bërë mesditën e djeshme: 68 milionë euro. Ndërkohë, pritet përgjigjja e “Djajve të kuq”, ndonëse Entoni Marsial ua ka shprehur anglezëve dëshirën për t’u larguar nga skuadra e Zhoze Murinjos.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"